Fermerët në Qarkun e Korçës po vuajnë prej abuzimit të nëpunësve të komunave

561
Sigal

Vëzhgim/ Një fenomen negativ po ndodh në tregjet rurale pilot në Qarkun e Korçës dhe fajtorët duhet të ndëshkohen ligjërisht

Me investim të qeverisë suedeze për zhvillim ndërkombëtar “Sida”(kompania suedeze “hinfab”në Stokholm) u ndërtuan tregjet bashkëkohorë pilot në komunën Pirg, komunën Pojan dhe në bashkinë e Bilishtit, Devoll të qarkut të Korçës, në vitin 2003 me një fond 1.6 milion dollarë. Kush kishte qenë në zonat rurale të vendeve europiane, do të thoshte i entuziazmuar, se ky treg rural nuk kishte asnjë ndryshim nga tregjet ruralë të vendeve europiane. Arkitektura, ambientet brenda të plotësuara sipas të gjithë parametrave bashkëkohore, oborri i jashtëm, etj., krijonin një përshtypje, se kjo do të ishte një “dallëndyshe” europiane. Fermerët ndjeheshin të motivuar e të gëzuar për këtë treg rural modern, që do të luante rolin e grumbulluesit rajonal të produkteve bujqësore e blegtorale, shitjen me shumicë e pakicë, shkëmbimin e eksperiencave midis fermerëve, bashkëpunimin me bizneset në mënyrë që fermerët mos tregtonin anës rrugës automobilistike në diell, shi e dëborë, e të mos u kalbej më prodhimi. Kompleksi tregtar rural pilot i Pirgut në strukturën e tij kishte salla me banakë të tregtisë me pakicë dhe shumicë, tre zyra, dhoma të grumbullimit të qumështit dhe të nën produkteve të tij, dhoma frigoriferike, të analizave që do të kontrollonin cilësinë e bulmetrave etj.

Po me këto parametra, si tregu rural pilot i Pirgut ,u ndërtuan dhe tregjet ruralë pilot në qytetin e Bilishtit dhe në Pojan (plasë). Ndërtimi i tregjeve ruralë do të ishte në shërbim të shpejtimit të hapave për një jetë të re drejt standardeve europianë. Organet e qeverisjes vendore komunat dhe bashkitë kishin aksionet e tyre, dhuratë e qeverisë suedeze ,duke i dhënë mundësinë që të luanin rolin e rregullatorit në këto tre tregje ruralë pilot. Rritja e vlerës së produkteve në këto tregje do të ishte në favor të fermerëve. Eksperienca nuk mungonte,si në Suedi-Greqi-Bullgari etj…

Por si rrodhën ngjarjet pas vitit 2005?

Që në fillimet e saj e në vazhdim për 8 vjet me radhë pushtetarët e rinj si, Valter Miza Kryetar i Bashkisë në Bilisht dhe kryetari i komunës qendër Devoll Ramadan Hoxha sa herë kanë dalë në media dhe kanë premtuar se, tregun rural pilot do ta vënë në funksionim, duke zgjidhur gjithë problemet e fermerëve, ata jo vetëm nuk i zgjidhën, por e kthyen atë në gërmadhë. Po kështu dhe kryetari i komunës Pirg i vitit 2005, dhe ai i sotmi, si dhe ai i Pojanit Alfred Berberi, mbajtën një qëndrim mohues deri sa arritën t’i nxjerrin jashtë funksionit  tregjet për qëllimin që u ndërtuan. Tregu rural pilot i Pirgut, i Bilishtit, i Pojanit pas 2005 janë thjesht një abuzim me prapavijë  për të mos u shtrirë në qarqe të tjera në gjithë Shqipërinë, si një risi bashkëkohore europiane në fushën e grumbullimit, menaxhimit, e tregtimit të prodhimeve bujqësore e elektorale, një ndihmë e madhe për fermerët. Pas vitit 2005 kryetari i komunës Pirg ia jep me qira një firme italiane për tregtim hidrosanitare, duke marrë qiranë për vete. Po kështu u veprua me tregun rural në Pojan që iu dha me qira një firme greke dhe një fermeri nga Plasa, ndërsa tani atje është instaluar një fabrikë që prodhon xaxiqe. Edhe në Bilisht të dyja godinat përfunduan në magazina për kazanët e plehrave të bashkisë?! Institucionet përkatëse pse kanë heshtur dhe heshtin?! Sot ka vetëm rrënoja…

Fajtorët duhet të ndëshkohen për shpërdorim detyre dhe dëmin ekonomiko-social që kanë krijuar për fermerët e kësaj zone dhe të detyrohen ta ngrenë atë treg rural pilot në Bilisht ashtu siç ishte! Drejtësia duhet të vënë në vend, që t’i hapet rrugë progresit. Si për çudi në Bilisht ishte dhe një treg i vogël, të cilin e mbylli bashkia?! Fermerët tani shesin në rrugë.

Indinjata e komunitetit të këtyre tregjeve ruralë bashkëkohorë pilotë është e madhe.

Në Pirg e Pojan kryetarët e komunave vazhdojnë akoma të mbledhin qiratë?! 1.6 milionë dollarë të qeverisë suedeze nuk u dhanë që tregu rural pilot i Bilishtit të rrënohej dhe tregu i Pirgut e Pojanit të lëshohej me qira ?! Ku vajti investimi i qeverisë suedeze prej 1.6 milionë dollarë?! A mund të investojnë suedezët përsëri kur shikojnë si po përfundon projekti i tyre?!

Një mesazh për kryeministrin e ri të Shqipërisë z.Edi Rama dhe ministrin e Bujqësisë Edmond Panariti duhet dërguar që të ndëshkohen të gjithë fajtorët dhe drejtësia të kthehet në vend.

 Vehbi Furxhi