Kandarët e ujit dhe kryeministri pa kandar

870
Abdurahim Ashiku
Dhe një mesele popullore me rrënjë të thella… Dy muaj të shkuara kur kryeministri ynë shpalli publikisht nismën për ujin e pijshëm, u çudita kur “media e kazanit” dhe politika u fokusuan tek puset dhe sahatet që kreu i ekzekutivit shqiptar tha (unë nuk e dëgjova me zë e figurë) se, ato do të pajisen me sahat uji, mbushi kryefaqet e gazetave dhe portaleve.

U bë një zallamahi si të gjitha zallamahitë, kur njeri ia fut thumbit e tjetri patkonjve duke e lënë kalin të çalë. Askush nuk u kujtua ta pyesë kryeministrin për sahatet shtëpiakë të ujit, ato që Ai tha në Lezhë se shpenzimet për vendosjen e tyre për “njerëzit në nevojë” do t’i përballojë shteti. Nisur nga përvoja e vendit ku tash 20 vjet jetoj, por edhe nga informacioni i marrë për shtetet e mëdhenj të Bashkimit Evropian dhe të mbarë botës, bëra një letër publike, letër që e dërgova edhe në portalin “Shqipëria që duam”.
Letra:
Kandari është i juaji z. Kryeministër
Një letër të hapur kryeministrit tim për “sahatet e ujit”
I nderuar z. Kryeministër!
Ju shkruan një gazetar zoti Kryeministër. Ju shkruaj për një këshillë, në qoftë se doni ta pranoni.
Ju po kërkoni që sahatin llogaritës të harxhimit të ujit ta paguajë klienti!!! 
Kjo shkon në kundërshtim me traditën popullore shqiptare dhe me praktikën botërore. 
Kandari kurdoherë është i shitësit, asnjëherë nuk është i blerësit. Në faturimin e energjisë elektrike sahati është i shitësit, i entit të energjisë elektrike, ai e vë, ai e mirëmban, ai e kontrollon dhe ai faturon harxhimet. Ai edhe të gjobit, edhe të çon para togave të zeza në qoftë se e prek. Në një njësi metrazhesh metri është i shitësit, jo i blerësit. 
Kur shkon në “pazar” asnjë blerës nuk shkon me kandar në brez, atë e ka shitësi. Ai peshon, ti paguan. Nuk ndodh asnjëherë e kundërta. Unë jetoj në Greqi. Sahati i ujit është pronë e ndërmarrjes së ujësjellësit, nuk është pronë e askujt nga konsumatorët. Kjo është kudo në botën e qytetëruar ku duam të shkojmë.
Nuk e kuptoj se nga cili vend i botës është marrë modeli që sahatet e ujit t’i vënë familjarët!? Shpresoj që ta analizoni këtë dhe të mos bëhemi vendi i vetëm në botë ku “kandari” është i blerësit.
Kandari është juaji z, Kryeministër, mendoje dhe jepu përgjigje njerëzve…
Me respekt
Abdurahim Ashiku

Rama mat me kandarin e Berishës
E mora përgjigjen. Faleminderit dhe respekt për portalin e hapur…
Por përgjigja ishte sipas sloganit të njohur: “Ti pyet si do ti, unë përgjigjem si dua unë”.
Po e bëj publike sepse në fund të saj nuk është shkruar ai togfjalëshi i njohur
Përshëndetje Abdurahim Ashiku,
Përgjigje ndaj kërkesës tuaj me Numër: 4784
I nderuar Z. Ashiku,
Faleminderit që kontaktuat me Zyrën e Bashkëqeverisjes. Si më poshtë do të gjeni përgjigjen zyrtare të dërguar nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës –Kanalizime/ (AKUK), lidhur me ankesën tuaj: Bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 1304, datë 11.12.2009 “Për miratimin e modelit të rregullores për furnizimin më ujë të dhe për kanalizimet në zonën e shërbimit të Ujësjellës-Kanalizimve Sh.a”, pika (1) e Kapitullit 2.8 “Sistemi i brendshëm i furnizimit me ujë”, përcakton si vijon: “Ujëmatësi dhe sistemi i brendshëm i furnizimit me ujë administrohet nga konsumatori familjar, publik ose privat”. Për më tej, bazuarnë pikën (5) të kapitullit të sipërpërmendur, përcaktohet se: “Lidhja e çdolloj pajisjeje konsumi të sistemit të brendshëm në mjedisin privat të konsumatorit bëhet me shpenzimet e vetë konsumatorit”.
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin
Faleminderit, 

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
(Shënim: Përgjigja është origjinale, sipas mënyrës drejtshkrimore të dërguesit !!!) U çudita. Instalimi i ujëmatësve bazoheshka në një “Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 1304, datë 11.12.2009, vendim të Qeverisë Berisha?!

Nuk jam në kundërshtim që vendime të qeverive të mëparshme të shuhen nga qeveritë pasardhëse, por kur një vendim bie ndesh me të gjitha normat ndërkombëtare të furnizimit me ujë dhe të drejtat e njeriut dhe është marrë për të gërryer deri në grisje astarin dhe copën e xhepit të qytetarit, nuk mund të pajtohem e të hesht. 

Kjo për më tepër kur…” “Ujëmatësi dhe sistemi i brendshëm i furnizimit me ujë administrohet nga konsumatori familjar, publik ose privat”.
Ujëmatësi që në të gjitha rastet vendoset jashtë banesës (kudo në botë kështu ndodh) sipas kësaj VKM-je dhe përgjigjeje nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë “…administrohet nga konsumatori familjar, publik ose privat”!!!
Qytetari duhet të rrijë roje ditë e natë që ujëmatësi të mos preket as nga njerëz që s’ta duan të mirën, as nga ngricat, as nga kafshët, nga askush. Po qe se ai preket sipas deklaratës së bërë në Lezhë nga kryeministri…të pret burgu!!!
Kësaj i thonë “bidat mbi bidatet” apo me gjuhën moderne “Rekord Ginnes”

PO SI REAGOJNË QYTETARËT?
Letrën drejtuar Kryeministrit e përcolla në facebook…
Ja si reaguan qytetarët…

JASHTË SHQIPËRIE
Agim Deva Më se e vërtetë. Vjet e ndryshuan tek shtëpia ime në USA, nuk na kërkoi njeri asnjë qindarkë.
Bledar Spahiu Në Angli, sahati elektrik, metri i ujit po edhe aparati wi-fi është falas dhe mirëmbahet nga kompania që të jep serverin (ujin, dritat, internetin) që këtu ka standard jetese, kurse ne Shqipëri ndodh e kundërta.
Veri Sulku Përshëndetje! Është më se e vërtetë. Kudo jashtë shtetit kështu ndodh, sepse edhe vetë në Greqi ndodhem…
SPECIALISTË TË UJËSJELLËSIT
Shpëtim Miftari Përshëndetje Duro! Për hir të së vërtetës historikisht matësi i ujit është pronë e ujësjellësit dhe është mirëmbajtur nga ujësjellësi, por tani për të mbushur buxhetin e ndërmarrjes matëset paguhen nga konsumatori, bile dhe në rastet kur bëhet kolaudimi paguhet nga konsumatori. Një rast unik ky: Para ca ditësh në pallatin tim ishin dyndur një brigadë e ujësjellësit dhe me një listë në dorë po ndërronin disa matës, se gjoja nuk faturonin mirë dhe kundrejt pagesës prej 4000 lekësh të rinj. Turp! Kur i pyeta më thanë se nga kolaudimi nuk matnin mirë dhe na faturuan dhe kolaudimin.

Naim Lleshi Unë punoj faturues në ndërmarrjen UK. Problemi që ngre me matësit e ujit është i vërtetë. Banorët po paguajnë kontratën, matësin, madje edhe të dëmtuarin në ato vende ku nuk regjistron apo me numërator të rënë. 
QTETARË NË PËRDITSHMËRINË E TYRE…
Vjoleta Uka Ke ngritur një problem shumë të rëndësishëm. Ne po i paguajmë nga 2 herë sahatet e ujit, sa herë arkat e ujësjellësit mbeten bosh do të shkojnë tek qytetari të ndërrojnë sahatet. Kështu po ndodh tek ne banorët e rrugës së qelqit. Para 6 muajsh e pagova një 49 mijë lekëshe për sahatet e rinj që i vuri ujësjellësi. Dhe këtë muaj pagova 56 mijë lekë se e kishin ndërruar sahatin kur unë sahatin e kisha të ri të kolauduar.???! Shefqet Kaci Shkurt muhabeti, ky vendim i qeverisë që ju merr pagesë për matësit e energjisë elektrike dhe të ujit klientëve, nëse ekziston asht shumë i padrejtë për të mos thanë “marrëzi”.

Xhevat Bushi Respekt i nderuari zoti Abdurahim. E vlerësoj shumë komentin tuaj, është realitet i prekshëm kudo në Shqipëri, por është një fjalë e mençur në vesh të shurdhër.

Rustem Laci Këto qeveritarët tanë kanë dalë në pazar e na shesin mallin tonë me kandarin tonë, lekët i marrin vetë.

Fatmir Koçi Se mos është vetëm sahati i ujit, po dhe i energjisë elektrike, për çdo gjë këtu “kandari është i blerësit “, statusin e vendit të vetëm në botë që “kandari është i blerësit ” ka shumë kohë që e kemi marrë.

UJËMATËSI SI RAST I PASTËR KORRUPSIONI
T’ia ngjeshësh me detyrim ujëmatësin klientit është burim i pastër korrupsioni.

Shteti nuk prodhon sahate uji. Ata prodhohen nga firma të ndryshme dhe me cilësi e garanci të ndryshme. Në Shqipëri rendet gjithnjë tek prodhimet më të lira, më pak të garantuara, tek tenderët “më fitimprurës”. Në rastin kur aparati nuk është i ndërmarrjes furnizuese me ujë por është i klientit abuzimi me “më të lirin” e “më pak të garantuarin” është i hapur. Për gjithçka do të paguajë klienti. Në Shqipëri dihet se sa të ndershëm dhe profesionistë në leximin e sahateve (elektrik, ujësjellës etj.) janë nëpunësit. Raste flagrante të leximit të aparateve në miliona përcillen çdo ditë. Besueshmëria për matjet është në kufijtë e zeros. Sahatet elektrikë janë të shtetit, lexohen, hiqen, kolaudohen nga shteti, megjithatë synohet që ata të modernizohen në shkallën më të lartë që mos ketë abuzime. Ujëmatësit janë të klientit, të banorit. Vendosja bëhet me pagesë. Kolaudimi bëhet me pagesë, ndërrimi bëhet me pagesë. Hapësira për abuzim është e plotë.

Përvoja: “Për hir të së vërtetës historikisht matësi i ujit është pronë e ujësjellësit dhe është mirëmbajtur nga ujësjellësi, por tani për të mbushur buxhetin e ndërmarrjes matëset paguhen nga konsumatori, bile dhe në rastet kur bëhet kolaudimi paguhet nga konsumatori”. 
“Para 6 muajsh pagova 49 mijë lekë për sahatet e rinj që i vu ujësjellësi. Dhe këtë muaj pagova 56 mijë lekë se e kishin ndërruar sahatin kur unë sahatin e kisha të ri të kolauduar.???!”- thotë zonja Uka.

“Para ca ditësh në pallatin tim ishin dyndur një brigadë e ujësjellësit dhe me një listë në dorë po ndërronin disa matës se gjoja nuk faturonin mirë dhe kundrejt pagesës prej 4000 lekësh të rinj”- denoncon hidrauliku Miftari.

“Unë punoj faturues në ndërmarrjen UK… Banorët po paguajnë kontratën, matësin, edhe të dëmtuarin në ato vende ku nuk regjistron apo me numërator të rënë”, thotë zoti Lleshi.

NJË MESELE PËR KRYEMINISTRIN TIM
Populli, me gjuhën e tij bisturi shëruese në plagë, përcjell këto fjalë për veshët që dëgjojnë… “Një burrë plak e i përmendur për fjalën e tij të mençur thirret në një kuvend. Meqenëse ishte i sëmurë mendoi të çonte të birin. Para se ai të nisej, plaku e porositi: – Kur të shkosh në kuvend të burrave, duhet të kesh me vete tri gjëra: një kandar, një metër dhe një kunj të mprehtë në dy anët. Me metër mat vendin ku do të ulesh, me kandar pesho fjalët, kurse me kunjin, para se t’ua ngulësh të tjerëve, ngulja një herë vetes tënde”

Jam plotësisht me ju, z. Kryeministër, në aksionin për disiplinimin e furnizimit me ujë të pijshëm 24 orë në 24 orë, rrjedhshëm deri në katet më të larta sipas ligjit të enëve komunikuese. Jam me ju që secili të paguajë deri në pikën e fundit ujin që merr në shtëpinë e tij. Jam me ju edhe kur do të rrisni çmimin e ujit. Por nuk jam me ju kur sahatin e ujit ma faturoni mua, sepse nuk dua të bëhem pjesë e një korrupsioni të pastër, nuk dua të paguaj paratë nga pensioni im në llogari të dyshimta. Kur të dalësh në publik përsërit disa herë këshillën e plakut të urtë: “Të kesh me vete tri gjëra: një kandar, një metër dhe një kunj të mprehtë në dy anët”

Ke kohë të reflektosh… Në mos paç do të më vijë keq… Kjo se nuk më udhëheq kush të dal në rrugë e të protestoj për një padrejtësi të padëgjuar… Kjo sepse rrugën ma kanë zënë partitë politike që duan karrige… Kjo sepse nuk kam fuqi të shkoj në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut që atë VKM në sirtarin tënd ta shfuqizojë…
Unë e thashë fjalën time si gazetar dhe qytetar z. Kryeministër i vendit tim me shpresë se do ta dëgjosh dhe reflektosh.
Sigal