Kanadaja njeh vitet e punës për shqiptarët, lehtësim për vizat

728
Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, diskutoi me ministrin kanadez për Refugjatët, Migracionin dhe Shtetësinë, Ahmed Hussen, lidhur me njohjen e viteve të punës për shqiptarët që jetojnë e punojnë në këtë vend. Dy zyrtarët diskutuan lidhur me marrëveshjen për pensionet, një çështje me shumë interes për shqiptarët në Kanada. Gjatë bisedës u tha se projekt-marrëveshja është finalizuar dhe të dyja palët janë gati ta firmosin. Lehtësimi i lëvizjes së qytetarëve ishte një tjetër temë e rëndësishme e prekur në takim. Ministri Hussen informoi Majkon se Kanadaja po ndërmerr një reformë për të mundësuar lehtësimin e lëvizjes, veçanërisht për studiuesit, studentët dhe sipërmarrësit që kanë lidhje biznesi në Kanada. Ministrat diskutuan edhe për çështje të tjera që shqetësojnë komunitetin shqiptar në Kanada. Një numër i madh shqiptarësh emigrojnë çdo vit drejt Kanadasë, duke e shtuar këtë komunitet ndjeshëm në numër. Majko vizitoi shkollën shqipe në Otava, ku që nga viti 2000 gjuha shqipe është përfshirë në programin mësimor si gjuhë e tretë, pas anglishtes dhe frëngjishtes. “Foluni fëmijëve në gjuhën amtare. Vetëm kështu do të mund ta përcjellim identitetin shqiptar nëpër breza”. Me këtë mesazh iu drejtua Ministri mësuesve dhe prindërve. Mësimi i shqipes zhvillohet ditën e shtunë dhe Majko vlerësoi sakrificat dhe punën e mësuesve e prindërve për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare tek brezat e rinj. Gjatë takimit, ministri Majko foli për hapat që po ndërmerren në bashkëpunim më qeverinë shqiptare dhe atë të Kosovës, për të lehtësuar qasjen ndaj librave shqip.
Sigal