“SHOQATA E AVOKATËVE ANTIKORRUPSION” KALLËZIM PENAL, AGJENSISË SË KTHIMIT DHE KOMPENSIMIT TË PRONAVE.
Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave Tiranë bëhet sërish objekt akuzash, këtë herë penale, si rezultat i fshehjes së dokumentacionit, duke tjetërsuar në këtë mënyrë pronën, në dëm të pronarit legjitim të saj
Tiranë/ Ditën e djeshme pranë “Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare” është paraqitur rasti i shtetasit Prel Gjoli, pronar me anë të blerjes së një sipërfaqeje trualli në Shkodër, që nga viti 2001. Në këtë truall, shtetasi i sipërcituar ka ndërtuar edhe banesën e tij në vitin 2004 dhe më vonë ka depozituar të gjithë dokumentacionin ligjor për të legalizuar banesën e tij. Por në pritje të aprovimit për aplikimin për legalizim, vihet përballë një situate të çuditshme. Z. Nikolin Kujaxhiu, si pasardhësi i shtetases Gjyljana Bushati, me pretendimin se ishte pronar i këtij trualli, kishte paraqitur një padi kundër shtetasit Prel Gjoli, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Paditësi pretendonte se, me vendimin e vitit 1995 të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Shkodër, kjo pasuri ishte e tija dhe si e tillë i lindte e drejta për legalizim. Dikush do të shprehej se: “Dy pronarë për të njëjtën pronë ndodh rëndom të dëgjohet në Shqipëri”. Por absurdi sarkastik nuk mjaftohet me kaq, vazhdon më tej.
Pretendenti i kësaj pasurie z.Kujaxhiu pretendon se në këtë truall ekziston hershëm një kapanon automjetesh. Harta e Vitit 2002 tregon dhe fakton qartazi, se aty nuk ka ekzistuar ndonjë kapanon, madje, as aktualisht nuk ka një të tillë. Të vetmet ndërtesa janë disa ndërtesa të Gjeologji – Minierave dhe banesa e shtetasit Prel Gjoli. Nga Zyra e Urbanistikës Shkodër, për efekt tenderi kanë ngritur edhe një Komison Vlerësimi nga inxhinierë, të cilët jo vetëm e kanë vlerësuar këtë kapanon, por edhe e kanë regjistruar atë. Mos vallë kemi të bëjmë me një ndërtesa “fantazmë”? Mitologjia dhe legjendat shqiptare nuk kanë shkuar deri këtu e megjithatë jemi në vitin 2014 dhe kjo merret si e mirëqenë, madje nga nëpunës administrate. Shpjegimi i vetëm ligjor është pretendimi, se z. Nikolin Kujaxhiu, në bashkëpunim me Hipotekën Shkodër, ALUZNI-n Shkodër, Drejtorinë e Gjeologji – Minierave Shkodër, si edhe me inxhinierët ekspertë, z.Tyrbetari dhe z. Qerimaj kanë falsifikuar dokumentacionet dhe në shkelje me ligjin kanë dëmtuar të drejtën e përfitimit të pasurisë ndaj shtetasit Prel Gjoli. Me të ardhur ky denoncim pranë “Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare”, i jemi drejtuar Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Tiranë, për të n’ a pajisur me kopjen e Dosjes ku përfshihej edhe Vendimi i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Shkodër, vendim ky që pretendohet se e legjitimon z. Kujaxhiu si trashëgimtar të pasurisë. Në përgjigjet e para nga kjo Agjenci kemi marrë shkresa me Kthim -Përgjigje, me pretendimet se duhet ky apo ai dokument bashkangjitur. Edhe pse dokumentacioni ishte dërguar me shkresën kërkuese, jemi paraqitur personalisht duke e ridepozituar të gjithë dokumentacionin e kërkuar. Pas shumë ecejakeve të kota, kërkesa jonë refuzohet përfundimisht. Agjencia e Kthimit të Kompensimit të Pronave refuzon kërkesën tonë, duke pretenduar se nuk kemi të drejtë të kërkojmë dokumentacione të klasifikuara nga kjo agjenci si private. I shpjeguam Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, se “Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare” është legjitimuar me Vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, që në rastet kur konstatohen pretendime për veprime antiligjore dhe korrupsion, ne kemi të drejtë të kërkojmë çdo lloj dokumentacioni nga çdo institucion. E megjithatë, me dashje askush nuk denjoi të kuptonte. A nuk le kjo hapësirë për pretendime se kemi të bëjmë me shkelje ligjore nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë? Përveç shkeljes së Ligjit për “Organizatat Jofitimprurëse”, dhe Nenit 39 të Kodit Civil, kemi hapësira për të pretenduar se kemi të bëjmë edhe me shkelje të Nenit 301 të Kodit Penal, i cili citon:“Kryerja e veprimeve për të ndryshuar vendin e kryerjes së veprës penale duke prishur, ndryshuar apo fshirë gjurmët e saj ose duke lëvizur, fshehur, asgjësuar, vjedhur, falsifikuar një send apo një dokument me qëllim për të vështirësuar dhe penguar zbulimin e veprës penale dhe të autorit të saj, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.”
Nga ana tjetër, fakti që kjo Agjenci e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë drejtohet nga Drejtoresha e Përgjithshme, znj. Sonila Qato, atëherë edhe nga ana e saj ka vakum për akuzën e Shpërdorimit të detyrës, sipas Nenit 248 të Kodit Penal, i cili citon:
“Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë”. Kjo agjenci ka vazhduar akoma më tej dëmin që i është shkaktuar z. Prel Gjoli, pronarit legjitim dhe duke refuzuar një kërkesë ligjore të “Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare”. Dëmi pasuror i kryer ndaj shtetasit Prel Gjoli i kalon kufijtë e dëmit pasuror, duke përfshirë edhe atë jo pasuror. Duke i konsideruar këtë reagim të Agjencisë së Kthimit të Kompensimit të Pronave si veprime në shkelje me ligjin, madje edhe si shkelje. të paktën dy Neneve të Kodit Penal, “Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare” ka paraqitur Kallëzimin Penal me Nr. Prot. 5/1, datë: 04.03.2014 kundër Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë, përfaqësuar nga Drejtoresha e Përgjithshme, zj. Sonila Qato.
Të shpresojmë që Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, do ta shqyrtojë çështjen me rigorozitet, duke zbatuar ligjin. Nga ana e “Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare” çështjes do i shkohet deri në fund, duke bërë të mundur dënimin ligjor të fajtorëve dhe kthimin e së drejtës legjitime për pronën, qytetarit të dëmtuar padrejtësisht.

















