Ja si dhe pse brenda 4 muajsh, Rilindja e ndryshoi 2 herë vendimin për favoret në resortin e Olta Xhaçkës

41

SPAK të mos hetojë vetëm burrin e ish-ministres për tokën e grabitur me letra false ku ka nisur të ndërtojë resortin, por edhe përfitimin e statusit “Investitor strategjik” në konflikt interesi dhe 13 mijë m2 tokë e plazh pronë shtetërore falas e pa taksa për 30 vite, ndërsa ligji thotë: nëse del një falsifikim, mashtrim apo vepra penale, leja e resortit hiqet menjëherë…

Sigal

Nëse SPAK e ka seriozisht, hetimin e aferës shtetërore të Olta Xhaçkës me resortin 11 mijë m2 e 8000 m2 plazh në Gjilekë të Himarës, duhet të bëjë pjesë të hetimit dy Vendimet Nr. 3/9, datë 17 korrik 2021 e Nr. 3/5, datë 29 mars 2021, të Komitetit të Investimeve Strategjike, të firmosura nga Edi Rama. Sepse në vendimin Nr. 3/9, datë 15 korrik 2021, ka prova të shumta favorizimi me abuzime ligjore, që kryeministri Edi Rama i ka bërë ish-ministres Olta Xhaçka, të cilat nuk ishin në vendimin e parë Nr. 3/5, datë 29 mars 2021.

Ky vendim ka ndryshuar pas 4 muajsh dhe 3 ditë pasi burri aktual i Olta Xhaçkës, ka paraqitur kërkesë te Komiteti i investimeve Strategjike; madje mbledhja e datës 15 korrik 2021, është bërë enkas për të ndryshuar kriteret e resortit të Olta Xhaçkës e janë firmosur 2 leje të tjera.

Në vendimin e parë, investitor i afro 5.6 milionë Euro për një hotel me 3 kate e pa hapësira të jashtme mbështetëse, ishte vetëm Artan Gaçi me firmën e tij “AG.TÇ Sh.p.k”.

Ndërsa në vendimin e dytë të ndryshuar pas 4 muajsh më 15 korrik 2021, kryeministri ka vendosur si investitore strategjike dhe pronare të resortit, kunatën amerikane të Olta Xhaçkës, me firmën e saj “AGTÇ HOTEL MANAGEMENT Sh.p.k”, ndërsa Artan Gaçin vetëm si ndërtues.

Ky ndryshim, u bë me qëllim që ish- ministrja Olta Xhaçka, të mos akuzohej për përfitime lejesh e asetesh shtetërore, por më kryesorja, për të fshehur pronësinë e resortit dhe mos hetimin e burimit të 5.6 milionë euro, mbasi në deklaratat e 10 viteve pushtet, ajo dhe burri i saj ish-deputet, kanë deklaruar si pasuri vetëm pagat.

Në vendimin e parë, është përcaktuar që hoteli i burrit të Olta Xhaçkës, me vendim qeverie do shfrytëzonte vetëm pjesën e plazhit para gjerësisë së ndërtesës, me qira ditore 2000 lekë m2 e afat 4 vite, ndërsa me vendimin ndryshuar, hoteli është cilësuar kompleks rezidencial turistik dhe i janë dhënë falas 5000 m2 tokë shteti e 8000 m2 plazh falas për 30 vite.

Në Pikën Nr. 10 të vendimit për resortin, thuhet: – “Në rast se gjatë zbatimit të projektit “Dreamades Luxury Suites”, do konstatohen të dhëna të pavërteta, të rreme apo ndryshime të dhënash, mbi bazën e të cilave nuk do të ishte vendosur miratimi i statusit strategjik, Komiteti i Investimeve Strategjike revokon vendimin për dhënien e statusit “Investitor Strategjik”.

Tashmë, kanë dalë dokumente zyrtare, që vërtetojnë, se 5512 m2 tokë ku Olta Xhaçka po ndërton resortin, është pronë e dikujt tjetër, grabitur me mashtrime e falsifikime nga burri i saj Artan Gaçi, të cilin SPAK e ka marrë të pandehur.

Por SPAK, nuk duhet të hetojë vetëm burrin e ish-ministres për tokën e grabitur, por dhe përfitimin e statusit “Investitor strategjik” në konflikt interesi dhe 13 mijë m2 tokë e plazh pronë shteti falas e pa taksa për 30 vite. Pamfleti