Ja cila është arkeologjia e Kosovës Veriore, rajoni i Mitrovicës!

933
Sigal

Gëzim Llojdia

  1. Kufijtë e Kosovës duken se po lëkunden edhe këtë herë 100 vjet më pas, kur rrethanat po kushtëzojnë një marrëveshje, që po shfaqet në horizont. Pavarësisht se çfarë ka pas, ajo çka do preket nga kufijtë ekzistues  është zona e Kosovës veriore, pra rajoni i Mitrovicës. Kosova Veriore  në tërësi (rajonit të Mitrovicës) mbulon territorin e tri komunave në jug të lumit Ibër. Mitrovicës, Skënderajt dhe Vushtrrisë, të cilat janë të banuara  me shqiptarë, dhe territori i tri komunave tjera në veri të lumit Ibër. Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, si dhe një pjesë të qytetit të Mitrovicës, e cila banohet kryesisht nga serbët. Ato, që do preken, janë kryesisht këto tre komunat e fundit.
  2. Mitrovica është një qark malor, i cili përbëhet malet e Kopaonikut, Rogoznës dhe Mokra Gorës në veri dhe verilindje, malet e Drenicës dhe Qyqavicës, të cilat shtrihen në zonën jugperëndimore të rajonit, ndërsa në juglindje kufijtë e këtij territori shtrihen deri në Rrafshin e Kosovës, thuhet në Planin Rajonal  të Trashëgimisë 2015 – 2018. Rajoni është më i pasuri në Kosovë, për sa i përket ujit, ku pjesa më e madhe vjen nga dy lumenj, Ibri dhe Sitnica. Përmes ngritjes së pendës në lumin Ibër, afër qytezës së Zubin Potokut, në vitin 1970 u formua liqeni artificial i Gazivodës, i cili është rezervuari më i madh në Kosovë për ujitjen e tokës bujqësore në Rrafshin e Kosovës. Rezervuari, po ashtu përdoret edhe për ujë të pijshëm dhe elektricitet për aktivitetet industriale të rajoneve të Mitrovicës dhe Prishtinës.
  3. Gazivoda ka potencial të madh për zhvillimin e turizmit rekreativ dhe peshkimit. Zona përreth liqenit karakterizohet nga peizazhi i bukur i maleve të Mokra Gorës dhe Rogoznës. Zona e Vushtrrisë ka bio-diversitet të pasur dhe trashëgimi natyrore. Malet e Qyqavicës dhe Shalës janë të njohura për peizazhet e tyre të bukura, dhe kanë potencial të madh për zhvillimin e turizmit dimëror. Burimi me potencial të madh për turizmin e banjave gjendet në shpatet e fshatit Banjë në komunën e Skënderajit. Me një rrjedhje mesatare prej 15 litrash në sekondë dhe temperaturë konstante gjatë tërë vitit (24,8°C), në vitin 2007 burimi u shpall monument natyror me një zonë të mbrojtur prej 1000 m². Rajoni që në kohërat antike ka qenë shumë i njohur për burimet e tij minerare. Minierat e Trepçës në Stan Tërg afër qytezës së Mitrovicës ishin kompleksi më i madh i minierave në këtë pjesë të Ballkanit për eksploatimin e arit, argjendit, plumbit dhe zinkut. Dëshmitë e para për nxjerrjen e xehes rreth Stan Tërgut datojnë që nga fundi i shekullit XIII dhe fillimi i shekullit XIV, kur sunduesit lokalë serbë i ftuan saksonët që të nxirrnin xehen. Plumbi dhe zinku i nxjerrë përdoreshin për ndërtimin e strukturave mbrojtëse përgjatë luginës së lumit Ibër për të mbrojtur zonën nga pushtimi i ushtrive osmane. Në shekullin XVI osmanët e kufizuan eksportin e metaleve dhe deri në fillim të shekullit XX nxjerrja e xehes ishte e kufizuar. Zhvillimi i këtij burimi rifilloi, në vitin 1930, kur një program i madh hulumtues u ndërmor nga një kompani britanike.
  4. Gjetjet më të vjetra nga lokacionet arkeologjike të këtij rajoni datojnë që nga periudha e neolitit. Një nga vendbanimet më të zhvilluara të periudhës së gurit, të cilat janë zbuluar ndonjëherë në Kosovë gjendet afër fshatit Runik, ku janë zbuluar artefaktet  të (mileniumi VI p.e.s.). Në mesin e shumë pjesëve të poçarisë monokrome dhe me ngjyra, u nxor edhe një instrument muzikor unik, i njohur si Okarina – një instrument frymor me përmasa të vogla nga argjila e pjekur. Në mesin e gjetjeve të dy vendbanimeve tjera të neolitit – Fafos I dhe II – të cilat janë gërmuar rreth 200 metra larg njëra-tjetrës shumë afër qytezës së Mitrovicës, më karakteristiket janë objektet e kultit të kulturës Vinça. Hulumtimet e kryera në lokacionin arkeologjik në fshatin Soçanicë në komunën e Leposaviqit, tregojnë se gjatë dekadave të fundit të shekullit të parë të e.s. vendbanimi parahistorik u zhvillua në një lokacion urban romak. I njohur me emrin Municipium D.D. (Dardanorum), falë pozitës gjeografike në rrafshnaltën në mes dy lumenjve të Ibrit dhe Soçanicës dhe rrethuar nga mali i Kopaonikut, i cili është i pasur me metale të çmuara, mundësoi zhvillimin e qytetit. Mbetjet e një forumi romak, banjës, bazilikës, varrezave dhe strukturave të tjera të ndërtimeve urbane janë dëshmi e rëndësisë së tij gjatë periudhës romake kur qyteza shtrihej në rreth 30 ha. Supozohet se villa rustica, themelet e së cilës janë gërmuar në fshatin Pestovë, 4 km larg Vushtrrisë, në mes të Ulpianës dhe Dardanorumit, ishin pronë e një familjeje të pasur me origjinë nga Ulpiana. Afër minierës së Trepçës, janë zbuluar mbetjet e dy kalave – Zveçan dhe Rashan – të cilat kanë luajtur rol të rëndësishëm në mbrojtjen e zonës së pasur minerare. Kalaja, e cila gjendet në qendër të bërthamës së qytezës së vjetër të Vushtrrisë; u ndërtua nga perandori bizantin, Justiniani I në shekullin VI. Për shkak të pozitës së saj strategjike, asokohe dhe gjatë sundimit osman, kalaja është shfrytëzuar për nevojat e ushtrisë. Po ashtu shërbente edhe si strehim për karvanët e tregtarëve të huaj.