Ja 10 oligarkët që kanë vjedhur 5.3 milion euro energji

210
Sigal

Në 3 vitet e fundit me dieni të plotë të OSHEE dhe Entit Rrugor, kompanitë që kanë marrë tenderat e rrugëve, urave, rikonstruksionet në ndërtime, ujsjells-kanalizime, stadiume, qëndrat e qyteteve, kanë përfituar 6 miliard lekë vetëm nga përdorimi i energjisë elektrike. Qeveria edhe pse ua ka ka paguar njëherë në sitauacionet e tenderave, hesht dhe e justifikon si “Humbje në rrjet” apo “ndriçim publik”, ndërkohë që qytetarët burgosen për 1 llamp ndriçimi

 

 Kanë hedhur “telin” në rrjetin shpërndarës dhe kanë marrë e vazhdojnë të marrin energji elektrike pa sahat matës; të lejuar nga vetë drejtuesit e OSHEE, të cilët nuk kanë guxim t’i faturojnë, gjobisin e kallëzojnë penalisht, siç veprojnë me fukarenjtë, që vjedhin 1000 lekë energji për ndriçim në shtëpi

Ministrja Belinda Balluku, deklaroi se në bashkëveprim me drejtuesit e OSHEE dhe policinë, do fillojë një aksion për të zbuluar familje, biznese e “shtëpi bari”, që vjedhin energji elektrike me ndërhyrje në rrjetin e furnizimit.

Sot po i kujtojmë ministres Balluku, se vetë ajo dhe OSHEE, me dijeni të plotë të kryeministrit Rama, i cili është i informuar; kanë lejuar vjedhje energjie elektrike në vlera të mëdha, nga 10 firma ndërtimi me pronarë oligarkë të pushtetit.

Gjatë punimeve për zbatimin e investimeve, që kanë marrë me tendera për rrugë, ujësjellësa, kanalizime, ndërtime objektesh shëndetësore, arsimore, stadiume etj, këto firma kanë përdorur energji, duke e vjedhur me ndërhyrje të paligjshme në rrjetet e zonave ku kanë bërë punimet.

Firmat që kanë vjedhur energji elektrike nga rrjetet zonale, janë: “AgiKons” e Gentian Sulajt; “Fusha” e Shkëlqim Fushës; “Salillari” e Pëllumb Salillarit; “Gjoka Konstruksion” e Rrok Gjokës, “Gjikuria” e Milo Gjikurisë; “Gener 2” e Bashkim Ulajt, “A.N.K” e Ndue Kolës; “ALB-STAR” e Sadik Ismailajt; “Alko Impex” e Sadri Abazit.

Bëhet fjalë për 5.3 milionë Euro energji elektrike të konsumuar ilegalisht në vitet 2018-2021; vlerë të cilën OSHEE nuk ia ka faturuar këtyre kompanive, por i ka pasqyruar sikur është sasi energjie në zërin: “Humbje në rrjet për shkaqe teknike”.

Psh. në Lungomaren e Vlorës e të Sarandës dhe në punët publike të Bashkisë Tiranë e qendrave spitalore, ka kryer punime firma “Fusha shpk”, e cila ka konsumuar 352 mijë Euro energji elektrike, të marrë nga pikat e rrjetit shpërndarës.

Po kështu, energji elektrike nga rrjeti shpërndarës kanë vjedhur:

Firmat “Gener 2” e “4 AM” në vlerën 208 mijë Euro për punë publike në Vlorë, Durrës, Tiranë, Krujë, Shijak.

Firma “AgiKons” ka vjedhur 310 mijë Euro energji për punime publike në Tiranë, Durrës, Vlorë.

Firma “Gjikuria” ka vjedhur 358 mijë Euro energji për punë publike në Himarë e Durrës. Firma “Gjoka Konstruksion” ka vjedhur 457 mijë Euro energji në rrugën Karthiq-Delvinë: punime në Sarandë e Durrës dhe “Rruga e Arbrit”: si dhe firmat “A.N.K” e Ndue Kolës në Ersekë, firma “Alko Impex” e Sadri Abazit në Tiranë, Durrës, Shkodër, Dibër etj.

Dikush mund të mos i quajë vjedhje, por në fakt janë të tilla, sepse ato kanë hedhur “telin” në rrjet dhe kanë marrë energji pa sahat matës, të lejuar nga drejtuesit e OSHEE, që nuk kanë guxim t’i faturojnë e ndëshkojnë, siç veprojnë me fukarenjtë që vjedhin 1000 lekë energji për ndriçim.

Së dyti, në preventivët e tenderëve, institucionet kontraktore u kanë përfshirë dhe kostot e energjisë, ndërsa këta përfitojnë dy herë: vlerën në tendera dhe vlerën e energjisë së vjedhur.

Kështu po veprohet, me energjinë që firmat e ndërtimit po harxhojnë pa pagesë në ndërtimin e banesave të tërmetit; të cilën bashkitë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Autoriteti Rrugor ua paguajnë në koston e tenderave, ndërsa OSHEE-në e përfshinë si “Konsum në ndriçimin publik”.

Nëse shikon bilancet e zbatimit të projekteve, këto firma e kanë pasqyruar zërin “Shpenzime energjie elektrike”, mirëpo nuk kanë fatura energjie nga OSHEE, sipas zonave ku kanë kryer punimet e investimeve, sepse janë regjistruar si “humbje në rrjet”./Pamfleti