U kap në gusht me 33 gram kanabis si shpërndarës, Gjykata e liron nga qelia: Është përdorues

126
Sigal

Gjykata e Sarandës ka lënë të lirë 28-vjeçarin Ergys Tarko që mbahej në qeli prej 17 gushtit të këtij viti. I riu me banim në fshatin Uruç të Peqinit, tashmë do të qëndrojë në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” sipas vendimit te gjyqtarit Alban Vecani.

Në datën 17.08.202l policia mori informacion se shtetasi Ergys Tarko merret me shpërndarjen e lëndëve narkotike të llojit “cannabis sativa” të cilën e ambalazhonte në banesën me qira në lagjen Nr.4, Rruga “Ismail Qemali” Sarandë. Nga kontrollit i ushtruar në banesën në përdorim të këtij shtetasi, sipas Procesverbalit të këqyrjes së vendit të ngjarjes datën 17.08.2021 rezulton se është gjetur një kuti me ngjyrë të kuqe brenda së cilës gjenden 16 doza të mbështjella me letër alumini dhe në brendësi të tyre ka lëndë bimore në formë bohçesh nga ngjyra aroma e dyshuar lëndë narkotike cannabis sativa dhe një paketë në brendësi të së cilës është ka lëndë bimore në formë bohçesh për nga ngjyra aroma e dyshuar lëndë narkotike cannabis sativa.

Në ambientet e komisariatit lënda është peshuar dhe bazuar në Procesverbalin e peshimit të provës materiale datë 17.08.2021 ka rezultuar se kishte një sasi prej 33.0 gram së bashku me ambalazh.

Fillimisht Tarko u la në “Arrest në burg” por Gjykata vendosi ta lerë atë tashmë në “Arrest shtëpie” me argumentin se referuar aktit të ekspertimit toksikologjiko-ligjor datë 09.09.2021 rezulton se kërkuesi është përdorues i lëndës narkotike të llojit “Cannabis Sativa L”.

Kështu nga ky akt i hartuar nga ekspertja Mirnela Çinije ka rezultuar se në urinën e personit nën hetim Ergys Tarko është zbuluar prania e produkteve kanabiniodike të metabolizmit të bimës “Cannabis Sativa L” në organizmin e njeriut. Së dyti nuk rezulton ndonjë rrethanë e dukshme që personi nën hetim të mund të largohet apo t’i fshihet ose shmanget përgjegjësisë penale. Megjithatë gjykata vlerëson se dhe nëpërmjet masës me karakter shtrëngues siç është ajo e “arrestit në shtëpi” përsëri sigurohen nevojat e sigurimit.

Së treti, Gjykata u shpreh se në vështrim të provave të mbledhura nga organi i akuzës, Gjykata pa dashur të hyjë në analizën e tyre ka parasysh që për ndryshimin e masës së sigurimit personal të caktuar ndaj personit nën hetim është shumë i rëndësishëm fakti se tashmë caktimi i masës së sigurimit “arrest në shtëpi” ndaj tij nuk përbën rrezik për marrjen e ndonjë prove lidhur me provueshmërinë e elementëve të veprës penale. Në këtë drejtim Gjykata theksoi se personi nën hetim ka mbajtur qëndrim pohues në lidhje me rrethanat e faktit duke treguar rrethanat se si e ka siguruar lëndën narkotike, shumën e paguar si dhe faktin që është përdorues i lëndës narkotike, rrethana këto që përkojnë dhe me rezultatet e arritura nga hetimi deri në këto momente.