Izraeliti me “pajisje përgjuese” lihet i lirë. Pse s’mund të ikë nga Shqipëria dhe çfarë deklaroi në polici

257
Izraeliti Yoram Frig është lënë i lirë pas mesnate dhe do të ndiqet në gjendje të lirë. Të enjten e kaluar ai u ndalua në Aeroportin e Rinasit, pasi po tentonte të largohej nga Shqipëria me një valixhe-aparaturë të sofistikuar, e cila sipas të dhënave të deri tanishme shërben për zbulimin e përgjuesve ambientalë.
Raportohet se gjatë marrjes në pyetje në prokurori, 51-vjeçari Yoram Frig, ka pranuar se valixhja që ngjalli dyshime te policia e Rinasit ishte një pajisje kompjuterike, por sipas tij ajo është një kontrolluese dhe jo përgjuese, e cila zbulon çipat e përgjimit në ambiente të ndryshme.

Raportohet se izraeliti është shprehur i habitur nga masat që ka marrë policia dhe prokuroria ndaj tij. Në dëshminë e tij, ai ka treguar se prej disa javësh ndodhej në Shqipëri dhe se kishte ardhur vetëm për punë, pa ndonjë qëllim të keq.

Frig duket se ka bashkëpunuar me prokurorinë duke treguar se kush ishte porositësi “i punës” që ai ka kryer në Shqipëri; pra kontrollin e ambienteve të banimit, zyrave dhe makinave të një personazhi të rëndësishëm të biznesit dhe politikës, i cili dyshon se ka qenë nën përgjim.
Sakaq, pritet akt-ekspertimi nga Prokuroria, për të verifikuar dëshminë e dhënë nga izraeliti.

Ndonëse se Yoram Frig u la i lirë, ai nuk mund të largohet nga Shqipëria. 51-vjecari i është sekuestruar pasaporta dhe celulari, ndërsa akomoduar në një hotel, deri në përfundim të hetimeve.