Izolimi total, pensionistët: Duan të na vdesin. Nuk na vjen njeri në shtëpi

482
Sigal

Nga dita e hënë pensionistët nuk do të mund të dalin nga shtëpia. Me rregullat e reja kufizuese për parandalimin e COVID-19, vetëm një familjar mund të dalë për pazare, ilaçe e shërbime, dhe kjo përmes një autorizimi të marrë online tek e-Albania ku raportohet dita dhe ora. Ndërkohë, pensionistët nuk janë pjesë e këtij autorizimi, pasi nuk lejohet të dalin fare. Edhe ata që janë të vetëm, kryeministri Edi Rama tha se do të marrin shërbimin në shtëpi nga autoritetet përkatëse.

Por çfarë thonë vetë të moshuarit për këtë masë të reja që i mbyll ata në shtëpi?!

Shumë prej tyre, për mikrofonin e Report Tv e kundërshtojnë këtë rregull. Thonë se janë të vetëm dhe se nuk kanë besim se do të marrin shërbimin në shtëpi. Disa të moshuar thonë se janë përpjekur edhe këto ditë të komunikojnë në numrin e gjelbër për situatën ndaj COVID-19 për të marrë ndihmë por askush nuk i është përgjigjur dhe askush nuk i ka trokitur në derë. Pensionistët shprehen skeptikë se shteti do të arrijë t’i mbështesë duke qëndruar në shtëpi, ndaj ata e shohin të domosdoshme të dalin në një orar të caktuar për t’i bërë vetë ato pak pazare që kanë të nevojshme.

“Shumë e mirë por t’i shërbejnë ashtu siç duhen, se ne marrim njerëzit tek 0800… nuk del njeri, plehrat janë sheshit. S’kam asnjëri jam vetëm, i kam të gjithë jashtë, ja kam dalë tani, një herë një gjë një herë një gjë. Duhet patjetër të zgjidhet ky problem”, shprehet një zonjë.

“Jam 75 vjeçe, burrin e kam të sëmurë, jo që nuk vinë por nuk na japin as numër telefoni as një lloj ndihme. Del kryeministri atje llap-llap , ato duhen me na vdek ne se s’ka mundësi, na thotë online, ku marrim vesh ne. Le që s’kam internet në shtëpi. nëse ju gazetarët do vini dorë për ne. unë pothuajse çdo ditë dal, zoti ju shpëtoftë. Nuk vjen njeri tek dera, Gjermania sa bukur e ka bërë, kush ka nevojë çfarë do, çfarë nuk do. Hajdeni online thotë ai, shko shkruaj atje çfarë dua unë. Ju gazetarët duhet t’i bëni, ju gazetarët mos shikoni të majtë e të djathtë se jeta nj është. ka njerëz që nuk kanë bukë të hanë”, shprehet një pensioniste për Report Tv.