Italia jep alarmin, 900 doktorë diplomohen për 10 ditë në Shqipëri

567
Sigal

Zbardhen skandale të tjera në sistemin arsimorë, shtetet fqinje kërkojnë llogari për dhënien e diplomave

Përsëri shteti ynë fqinj Italia, shpreh shqetësimin dhe skandalizimin e saj në lidhje me diplomimin e studentëve të saj në Shqipëri, pasi nga përllogaritja e Ministrisë së Arsimit në Tiranë në vitet e fundit të paktën 900 studentë të huaj kanë marrë diplomë në universitetet ku flitet shqip, por që nuk dinë asnjë fjalë të vetme në shqip. Këto janë dhe disa nga rastet konkrete që media italiane bën të ditur rreth gjendjes në të cilën ndodhen universitetet në vendin tonë, që dhe kur bëhet fjalë për një profesion të shenjtë si mjekësia, ku ke në dorë jetën e dikujt, ne tallemi dhe gjithmonë ana monetare është ajo që fiton. Mediat italiane duke mos kuptuar se si ka mundësi të ndodhë një gjë e tillë kaq skandaloze dhe e papranueshme, sjellin disa raste, ku më kryesori është ai i Renzo Bosit, i cili në 29 shtator të vitit 2010 u diplomua në Universitetin Kristal në Menaxhim Biznesi pa marrë pjesë në asnjë kurs të organizuar nga ky universitet. Ky është vetëm një rast. E njëjta gjë do të kishte ndodhur edhe me një 42 -vjeçar nga Pescara, me inicialet V.N, nëse ambasada italiane në Tiranë nuk do të kishte bërë kontrollin e nevojshëm. Pra, sot në Pescara do të kishte një dentist me diplomë të dyshimtë nga Universitetet Shqiptare. 42-vjeçari kishte kërkuar njohjen e diplomës në mënyrë që ajo të kishte vlerë edhe në Itali. Kjo mendohej të ishte vetëm një formalitet. Por, ambasada ka kërkuar datat se kur ai ka dhënë provimet, pas dyshimeve të ngritura. V.N., ka pretenduar se ka jetuar 5 vjet në Tiranë, por nuk ishte regjistruar në Gjendjen Civile italiane si banues jashtë vendit. Kjo është e detyrueshme për ata që jetojnë të paktën 12 muaj jashtë Italisë. Ambasada gjithashtu ka kërkuar nga Policia Kufitare shqiptare prezencën efektive të italianit në Shqipëri. Ndryshe nga rasti i Renzo Bossi-t, V.N., kishte ardhur në Tiranë, por ka qëndruar vetëm për 10 ditë. Në fillim kur është regjistruar në vitin 2006 dhe kur është diplomuar në vitin 2012. Por, universitetit për stomatologji kërkon 5 vjet studime me të paktën 3 ditë në javë prezencë. Pritet që dhe dhjetëra italiane të tjerë të shpjegojnë se si kanë mundur të diplomohen në një kohë të shkurtër. Dhe pa pasur njohuri në gjuhën shqipe. Ndërkohë qeveria shqiptare ka nisur një reformë në arsim duke mbyllur disa universitete private që nuk plotësojnë kriteret akademike. Kjo pritet të mbyllë dhe skandalin e blerjes së diplomave.

Liberoquotidiano.it shkruan: “Mirupafshim Shqipëri, na duhet të gjejmë një tjetër parajsë të studentëve. Në ta kaluarën, por edhe tani rrjedha vazhdon me ritme të mira, por më lirë është në Rumani. Qindra të rinj italianë që kanë dështuar për të kaluar testin e pranimit në shkollat mjekësore, kanë marrë valixhet dhe i janë drejtuar në Universitetin e Timishoarës (shtetëror) dhe Arad (privat). Dallimi me universitetet e pandershme në Shqipëri është se këtu studiohet vërtet, dhe sipas mendimit të kolegëve të tyre shkalla e vështirësisë është më e ulët dhe kjo jep një avantazh të konsiderueshëm.”