Austrian Airlines shtyn afatin për nisjen e fluturimeve në 3 maj

312
Sigal

Austrian Airlines njoftoi pasagjerët se ka shtyrë planet për të rifilluar fluturimet, që fillimisht ishin planifikuar në datën 19 prill. Por gjithsesi, edhe ky afat i ri mbetet në varësi të zhvillimeve.

“Javët e fundit kanë qenë jashtëzakonisht të vështira për të gjithë ne, natyrisht. Dhe pavarësisht faktit se një përfundim i krizës mbetet i pasigurt si në Austri, ashtu edhe në mbarë botën, tani ne po përqendrojmë energjinë tonë në ‘rindizjen e motorëve tanë’.

Fatkeqësisht, afati i saktë se kur do të jemi në gjendje të rifillojmë operacionet e rregullta të fluturimit varet më shumë nga kushtet e jashtme sesa nga të brendshmet. Kufizimet globale të udhëtimit duket se mbeten të tilla për të ardhmen e parashikueshme, ose ndoshta edhe do të zgjaten. Për këtë arsye, ne kemi rivendosur të shtyjmë ‘fillimin e ri’, i planifikuar fillimisht për 19 prill, në 3 maj 2020”, thuhet në letrën e drejtuar pasagjerëve.

Austrian u ofron pasagjerëve mundësinë e pezullimit ose riprenotimit të biletës, për ato që ishin prerë me datë udhëtimi deri më 30 prill.

Austrian Airlines ndërpreu fluturimet nga Tirana në Vjenë më 19 mars. Më herët ishin ndërprerë dhe fluturimet drejt Italisë. Deri në fund të marsit të gjithë operatorët pezulluan fluturimet për transportin e pasagjerëve, ku linja e fundit që u mbyll ishte Stambolli, me Air Albania. Aktualisht nga Aeroporti i Rinasit bëhen vetëm fluturime për qëllime humanitare, tregtare, apo riatdhesimi dhe nuk dihet se kur do të rifillojnë fluturimet për pasagjerët. Autoriteti i Aviacionit Civil i ka këshilluar pasagjerët që të mos prenotojnë bileta, pasi nuk ka një datë të saktë se kur do të rifillojnë fluturimet.