Ismail H. Xhaferri: Ty flamur të duam shumë!

1327
Ty flamur të duam shumë.
Ty, flamurin shqiptar!
Shpesh të mbajmë përmbi supe,
Të dukemi atdhetar.
Viteve nëpër rrebeshe,
Ti je mbrojtur nga dyfeku,
Dje të kishim; nënë e babë,
Sot të kemi si plaçkë tregu!
Sa herë të kemi valëvitur,
Mbi ballkone e mbi brigje,
Po më shumë të kemi tundur,
Në fushata e në mitingje!
Majë më majë të kemi ngritur,
Mbi Gramoz e mbi Tomorr,
S’të janë ndarë politikanët,
Që të duken popullor’.
Shumica e shqiptarëve,
Thonë: “Flamuri të na rrojë!”
Ndërsa gjithë politikanët,
Të përdorin si mburojë.
Nëpër vitet e vështira,
Anembanë në Shqipëri,
Që të gjithë politikanët,
Bëjnë sikur digjen për ty.
Ty flamuri ynë i dashur,
Ne të kemi mbi gjithçka,
Të tundi Smail Qemali,
Të tundin edhe këta!
Të tundin politikanët,
Që s’lanë pasuri pa ndukur,
Të valëvitin anembanë,
Të valëvitin për t’u dukur!
Tani të tundin partitë,
Nuk ndalojnë as ditë, as natë.
Partitë që atdheut tonë,
Shtizën i kanë bërë dhuratë!
Ty flamur të kemi prijës
Syri veç tek ty na ngeli
Prandaj dikur të dorëzuan 
Te Viktor Emanueli
Te Viktor Emanueli,
(Historia nuk gënjen)
Të dorëzuan udhëheqësit,
“Patriotët” e mëdhenj.
Patriotët – tradhtarë,
Me flori e mbushën thesin,
Ata që për një kolltuk,
Ty me gjithë atdhe të shesin!
S’ka si ty, flamuri ynë!
Ti je pararojë lirie!
Ndaj i ngritëm Ahmet Zogut,
Monument pavdekësie!
Ty flamur të duam shumë!
Ti je shpresa, zemra jonë!
Ndaj ata që të kanë shitur,
I kemi shpallur heronj!
Ty flamur të duam shumë!
Ashtu siç do nëna djalin.
Tani në demokraci,
Nuk dimë te kush të të falim!
O flamur, ti je gjithçka,
Ndaj të mbajmë gjithmonë në duar.
Pavarësisht se këto vite,
Je bërë sfond për të pozuar!
Por, miliona shqiptarëve,
Syri përmbi ty u mbiu,
Të kanë dashur e të duam, 
Si Avdyli e Samiu…!
Sigal