Ismail H. Xhaferri: Një kambanë në zemrën time

406
Sigal

Një kambanë në zemrën time,

Bie fort e kurrë nuk hesht,

Bie kur shkrin borë e fundit,

Kur thahen gjethet në vjeshtë.

 

Një kambanë në zemrën time,

Bie e më trazon jetën,

Kur dy zemra që janë dashur,

S’rrahin më për njëra-tjetrën.

 

Një kambanë në zemrën time,

Bie dhe më le pa frymë,

Kur manushaqet e marsit

Treten dalëngadalë nën brymë.

 

Një kambanë në zemrën time,

Bie shpesh e pa pushim,

Për një zog që është plagosur,

Edhe vdes në fluturim.

 

Një kambanë në zemrën time,

Asnjëherë nuk ka pushuar

Për një nënë që kanë braktisur,

Për një plakë që vdes, vetmuar.

 

Një kambanë në zemrën time,

Bie të dëgjohet larg,

Bie për ata jetimët,

Që pa ngrënë shkojnë në shtrat.

Një kambanë në zemrën time,

Asnjëherë nuk do të ndalë,

Bie tek një portë azili,

Bie tek një portë spitali.

 

Një kambanë në zemrën time,

Bie sa gjëmon dhe mali,

Bie për të gjithë ata

Që kanë vdekur për së gjalli.

Një kambanë në zemrën time,

Bie deri në agim,

Si mallkim për politikën,

Si bekim për Shqipërinë.

 

Një kambanë në zemrën time,

Është me frymë e është me zë,

Ra prej vitesh pranë një porte,

Tani heshti përgjithnjë.

Një kambanë në zemrën time,

Bie dhe në errësirë,

Bie si rrahjet e zemrës,

Bie për njerëzit e mirë.

 

Një kambanë në zemrën time,

Kur nuk bie kot së koti

Bie për ju, more njerëz,

Bie që ta dëgjoj Zoti…!