“Gjoba” e Strasburgut, Shqipëria u paguan ‘faturën e kripur” ish-pronarëve

2032
Një vendim tjetër është dhënë ditën e enjte nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, me bazë në Strasburg kundër shtetit shqiptar. Në total, në tri çështje gjyqësore, Shqipëria është detyruar të paguajë 7 milionë e 474 mijë e 600 euro për të dëmshpërblyer ish-pronarë dhe trashëgimtarë të tyre, prona e të cilëve është njohur nga gjykatat, por të cilët nuk kanë marrë kompensim, ose kanë marrë kompensim jo të drejtë për shpronësimin e tyre nga regjimi i mëparshëm. Trashëgimtarët e pronarëve, të grupuar në dosjen Halimi do të marrin 754.300 euro dëmshpërblim, plus 850 euro për shpenzime gjyqësore që kanë qenë të detyruar të bëjnë. Personat kërkues, të grupuar në disa dosje të tjera, do të paguhen me shuma të ndryshme, si p.sh Aliçka e Vasha 3.200 euro, Tahiri 34.300 euro, Theodhosi 11.800 euro, Nisha e të tjerë 31.300 euro, Benussi 719.000 euro. Ndërkohë, “pjesën e luanit” në vendimet e fundit e kanë marrë trashëgimtarët e dosjes Karagjozi, për të cilët shteti shqiptar do të jetë i detyruar të paguajë 5 milionë e 919 mijë euro dëmshpërblim, si dhe 850 euro të tjera për shpenzime gjyqësore. Shqipëria ka tre muaj afat të kundërshtojë vendimet, por zakonisht ato nuk kanë ndryshuar. Pas kësaj, për çdo ditë vonesë në pagesat, shteti do të ngarkohet edhe me pagesën e një interesi 3% + normën e interesit bazë të Bankës Qendrore Evropiane. Në përgjithësi, Gjykata e Strasburgut ka përdorur si pikë reference gjykimin e mëparshëm të saj, të përzgjedhur si “proces-pilot” në vlerësimin e dosjeve të ish-pronarëve që mbërrijnë aty nga Shqipëria. Fjala është për dosjen “Manushaqe Puto e të tjerë kundër Shqipërisë”. Sipas kësaj praktike, Gjykata, duke konstatuar mosdhënien e një dëmshpërblimi për pronat e njohura zyrtarisht, vendos automatikisht një shumë financiare që duhet paguar. Zyrtarët e saj merren vetëm me vlerësimin e pronës dhe me verifikimin e pretendimeve të pronarëve, të mbështetura apo jo në dokumente, si dhe të oponencës së bërë nga Avokatura e Shtetit shqiptar. Një nga argumentet e kësaj të fundit, që ka të bëjë me vlerësimin e tokave, është hedhur vazhdimisht poshtë. Avokatura e Shtetit pretendon se vlerësimi i një toke, që ka qenë bujqësore kur është shtetëzuar, por tani është brenda vijës së verdhë të qyteteve, duhet të bëhet me çmimin e ulët të së parës. Në të gjitha proceset e deritanishme, ky argument nuk është pranuar nga Gjykata e Strasburgut. Ndërkohë, ky është një nga pikat kyçe të ligjit të ri për kthimin dhe kompensimin e pronave, që ka kaluar në Kuvend, por që më datë 21 prill do t’i nënshtrohet gjykimit të Kushtetueses.
Vendimet
“Pjesën e luanit” në vendimet e fundit e kanë marrë trashëgimtarët e dosjes Karagjozi, për të cilët shteti do të paguajë 5.919.000 euro dëmshpërblim, si dhe 850 euro të tjera për shpenzime gjyqësore
Proceset
Në përgjithësi, Gjykata e Strasburgut ka përdorur si pikë reference gjykimin e mëparshëm të saj, të përzgjedhur si “proces-pilot” në vlerësimin e dosjeve të ish-pronarëve, që mbërrijnë aty nga Shqipëria
Përfituesit e dëmshpërblimit në dosjen “Karagjozi”
Eni Kokona, Lindita Kokona, Xhejni Kokona, Nirvana Rradheshi, Shpresa Halimi, Dhurata Bungo (Karagjozi), Dëshira Efovia (Karagjozi), Suzana Gjebrea (Çami), Hiqmet Çami, Hasibe Kulla (Çami), Besnik Çami, Agim Karagjozi, Albert Karagjozi, Vesim Karagjozi, Bukuroshe Dobi (Karagjozi). Armand Viçani, Miranda Viçani (Telegrafi), Diana Kaltani (Halimi), Ermal Halimi, Karolina Halimi dhe Ariel Halimi
Përfituesit e dëmshpërblimit në dosjen “Halimi”
Eni Kokona, Lindita Kokona, Xhejni Kokona, Nirvana Rradheshi, Shpresa Halimi, Diana Kaltani (Halimi), Ermal Halimi, Karolina Halimi dhe Ariel Halimi.
Përfituesit e dëmshpërblimit, sipas dosjes së tretë
Aliçka dhe Vasha, Velisha Aliçka, Adriatik Aliçka, Nafije Vasha (Aliçka) me 3.200 euro. Selami Kreka, Zero Tahiri dhe Dilaver Tahiri me 34.300 euro. Afërdita Theodhosi me 11.800 euro. Petraq Nishe, Irini Shkurti (Nishe), Josif Nishe, Ilia Çili, Margarita Tola (Çili) dhe Sotir Çili me 31.300 euro. Anton Benussi me 719.000 euro.
Sigal