Ishulli mbi Osum ngelet vetëm në 3D, Rama dështon me projektin në Berat

Rilindja urbane e qeverisë ‘Rama’ ka dështuar në Berat pasi premtimi për Ishullin mbi Osum, i dhënë 7 vite më parë nga kryeministri Rama ende mbetet në letër. Këtë fakt e denoncon edhe kryetari i PD Berat, Shyqo Dura, i cili pohon se kjo ishte një “tallje” për qytetarët beratas pasi projekti jo vetëm që s’u realizua kurrë, por as nuk filloi.

Kjo është ajo çka ka premtuar Rilindja në qytetin historik në jug të vendit, por edhe pse jemi në nisjen e mandatit të tretë, çfarë ka ndodhur 7 vjet më vonë me projektin ambicioz?

Sigal

Grupi i xhirimit shkoi në zonën e planifikuar të kthehej në ‘‘Ishullin e Osumit’’, por aty shihet qartë se nuk ka asnjë shenjë që të tregojë minimalisht nisjen e punimeve.

Nga zotimi i kryeministrit Edi Rama për ndërtimin e ishullit kanë kaluar gjashtë vite, ndërsa qytetarët kujtojnë mirë edhe dy ditët e aktivitetit të madh për përzgjedhjen e projektit, të cilat i ndoqën me mjaft kërshëri.

Kryetari i degës së Partisë Demokratike Berat, Shyqo Dura, në një dalje për mediat ditën e sotme ka akuzuar qeverinë Rama se është tallur prej vitesh me beratasit, duke i trajtuar ata si të paditur dhe naiv.

Ishulli parashikohej që të ndërtohej mes Urës së Varur dhe qendrës së qytetit, mes dy lagjeve muze. Për ndërtimin e tij do të shfrytëzohej një sipërfaqe prej 4 hektarë tokë, e cila do ta shndërronte zonën nga një hapësirë boshe mbushur me aluvione, në një ishull multifunksional në shërbim të turizmit. Por si edhe shumë projekte të tjera edhe ky mbeti në letër në një sirtar që ndoshta nuk do të hapet kurrë nga qeveria Rama.