Ishte dënuar me 13 vite burg në Norvegji, sekuestrohet pasuria e 34 vjeçarit në Elbasan

89
Sigal

Sekuestrohen pasuri me vlerë 400 000 euro në Elbasan, të cilat ishin në pronësi të një 34-vjeçari të dënuar me 13 vjet burgim në Norvegji, i dyshuar si pjesëtar i një grupi kriminal për trafikim të narkotikëve.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, si rezultat i punës gjurmuese dhe hetimore të kryer për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme që kanë si burim veprimtari të ndryshme kriminale, finalizuan operacionin policor të koduar “Fasada 2”.

Ky shtetas është dënuar me 13 vjet burgim, në Norvegji, si autor i dyshuar i trafikimit të lëndëve narkotike, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, me aktivitet në këtë shtet”, bën me dije policia.

Në zbatim të vendimit të gjykatës u bë i mundur sekuestrimi i pasurive të ndryshme të 34-vjeçarit, me vlerë rreth 400 000 euro, konkretisht janë sekuestruar: një apartament, një biznes (lokal) dhe garazhi i tij, në lagjen “Visarjon Xhuvani”, Elbasan dhe një ndërtesë dykatëshe, në Peqin.

Prokuroria po heton për të zbuluar asete të tjera të përfituara nga veprimtari kriminale, që ky shtetas dhe familjarët e tij mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.