INTERVISTA/ Jamarbër Malltezi: Djegia e plehrave, një aferë shumë e rëndë korruptive e Ramës dhe kushton mbi 178 milionë euro

532
Jakup B. GJOÇA
Jamarbër Malltezi, Shef i Departamentit të Mjedisit në PD, në intervistën për gazetën “Telegraf” shpjegon se lejet e ndërtimit të HEC-ve jepen nga kryeministri Rama, vetëm nëse bizneset i paguajnë ryshfet, pa marrë parasysh pasojat ekologjike. Zoti Malltezi argumenton se pyjet e Librazhdit shfarosen nga 3-4 spekulantë që janë të lidhur me deputetin socialist të Zonës. Ndërsa djegia e mbetjeve, thotë zoti Malltezi në intervistën për gazetën “Telegraf” është një aferë korruptive e kryeministrit Rama, që u kushton taksapaguesve 178 milionë euro, ndërkohë, që dëmton rëndë edhe bizneset e riciklimit. 
Zoti Rama donte importin e mbetjeve, pasi ka kaluar fshehurazi 3 kontrata për ngritjen e 3 inceneratorëve, që do djegin plehra dhe sasia e plehrave të brendshme është e pamjaftueshme për të furnizuar të 3 këto inceneratorë
-Zoti Malltezi, ju përmend një fakt që dëgjohet në Korçë: “Sa të jetë Librazhdi, nuk mbetemi kurrë pa dru për zjarr”. Kaq pasuri për lëndë drusore për ngrohje ka Librazhdi, në krahasim me qarqet e tjera?
– Ka pasur shumë, por tani për fat të keq po dëmtohen në mënyrë korruptive dhe të pakthyeshme. Janë gjithsej 3-4 batakçinj të lidhur me deputetin e zonës (Taulant Balla, shënimi i autorit), që kanë monopolin e prerjes së pyjeve dhe shkelin edhe moratoriumin e prerjeve në pyje. Mjafton të shihni batërdinë e pyjeve të Librazhdit, si p.sh Malin e Lunikut dhe e kuptoni që këtë masakër mjedisore nuk mund ta bëjë askush, përveçse zuzarëve të lidhur me pushtetin.

– A kanë filluar studimet për ngrohjen me gaz në Shqipëri, derisa tani do të kalojë në Shqipëri TAP-i?
– Kalimi i TAP është një mrekulli e madhe për Shqipërinë dhe mundëson gazifikimin e vendit. Për fat të keq do duhej që autoritetet të mos kishin humbur kohë, por të kishin përgatitur planet e shpërndarjes së gazit në qytetet kryesore të vendit. Ende institucionet nuk kanë bërë asgjë për të përgatitur projektet e qarta në këtë drejtim dhe kjo është humbje kohe, por edhe humbje shansesh shumë të mëdha.

– Ministri i Energjetikës premtoi që do të anulojë ndërtimin e disa HEC mbi Vjosë, edhe pse lejet për ndërtimin e tyre i ka dhënë kryeministri Rama. Ju, shikoni përplasje qëndrimesh politike dhe interesash midis kryeministrit dhe ministrit të vet?
– Ka një kakofoni dhe retorikë boshe në këtë drejtim, dhe për më tepër nuk respektojnë çfarë kanë deklaruar. Nga njëra anë deklaruan se nuk do ketë HEC-e në Vjosë, nga ana tjetër kanë lëshuar leje për HEC në Poçem, në dhunim të ligjeve në fuqi, derisa edhe Gjykata ia bllokoi. Nuk ka as kriter dhe as standard të qartë, gjithçka duket selektive dhe bazuar mbi ryshfetet që marrin qeveritarët.

– Disa herë kryeministri Rama ka akuzuar qeverinë e Djathtë të kryeministrit Berisha, për lejet e ndërtimit të HEC-ve. Cila është e vërteta?
– Janë në kuadër të retorikës shterpë. Politika për ndërtimin e hidrocentraleve në Shqipëri ishte një vendim shumë i drejtë dhe që i dha vendit një zhvillim shumë të madh. Për herë të parë pas 40 vitesh filloi ndërtimi i HEC-eve në vend dhe sot janë në funksionim mbi 117 HEC-e që prodhojnë rreth 27% të energjisë së vendit. Janë edhe gati 40 të tjerë në ndërtim e sipër përfshi kaskadën e Devollit, dhe këta HEC-e të ndërtuara veç këto 10 vitet e fundit pritet ta çojnë në 37% të nevojës së vendit për energji. A e dini që çdo vit ne importojmë gati 200 milionë euro energji nga jashtë? Pse të dalin gjithë këto para jashtë vendit? Më tepër deklarimet e Edi Ramës janë veç për të thirrur bizneset që t’i paguajnë atij ryshfete të majme, përndryshe nuk iu lëshon lejet.

– Shqipëria ka pak alternativa të tjera për prodhimin e energjisë elektrike, ndërkohë ka shumë potencial për të shfrytëzuar lumenjtë. Ku qëndron e keqja e ndërtimit të HEC-ve?
– Ndërtimi i HEC-eve është një formë e shkëlqyer e prodhimit të energjisë së pastër, por gjithsesi ka ndikim në mjedis. Pra, ka disa probleme, të cilat një qeveri e përgjegjshme mund t’i zgjidhë. P.sh. duhet shmangur dëmtimi i zonave të mbrojtura natyrore, duhen respektuar nevojat e popullsisë për ujë për vaditje, duhen respektuar ligjet, përfshi ligjin për përfshirjen e komunitetit në vendimmarrjen, që cenon mjedisin natyror dhe mënyrën e jetesës. Asgjë nuk e pengon qeverinë që të bëjë publike hartën e zonave të mbrojtura dhe t’ua bëjë të qartë zhvilluesve, se cilat zona janë të ndjeshme dhe duhen shmangur, të lehtësojë proceset e dëgjesave publike, të respektojë standardet më të mira evropiane mjedisore etj.

– Zoti Malltezi, realisht, a importohen mbetje të plehrave në Shqipëri, edhe pse qeveria nuk mundi të miratohet në parlament projektligji i saj për importimin e plehrave?
– Z. Rama ka krijuar një pështjellim të madh lidhur me çështjen e mbetjeve në Shqipëri. Është interesante se nuk ka pasur ligj të mirëfilltë për importin e mbetjeve deri në 2011 dhe e vërteta ish se kishte importe të mbetjeve. Në 2011 përmes një projekti të madh të financuar nga BE u hartua ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve, i cili për herë të parë u shpreh për moslejimin e mbetjeve të rrezikshme dhe për lejimin e tregtisë me mbetjet e listës së gjelbër të BE në përputhje me Direktivën e Bashkimit Evropian për mbetjet. Për fat të keq, në vend që kjo çështje të ishte rutinë dhe të kërkohej respektim i standardeve, z. Rama e ktheu në një makinacion për vota dhe arriti të mbledhë mbi 60,000 vota dhe KQZ në 2012 i miratoi të drejtën për Referendum. Qysh javën e parë në pushtet firmosi një vendim qeverie (ndonëse të kundërligjshëm, se nuk mundet që vendimi i qeverisë të dalë mbi ligjin, por këto nuk janë asgjë për hajdutët, që nuk respektojnë shtetin ligjor), për ndalimin e importit të çdo lloj mbetjeje. Por, në 2016-2017 papritmas bëri prapakthehu dhe donte të rikthente ligjin për importin e mbetjeve. Z. Rama derdhi lot krokodili për industrinë e riciklimit që po vdes dhe prandaj duhet të importojmë mbetje, por, në fakt, nëse do ishte kaq i ndjeshëm për këtë gjë, mjafton që t’u jepte ricikluesve shqiptare dhe jo mafiozëve nga Verona menaxhimin e mbetjeve në Landfillin e Sharrës. Por lepuri fshihet gjetkë: Z. Rama donte importin e mbetjeve, pasi ka kaluar fshehurazi 3 kontrata për ngritjen e 3 inceneratoreve, që do djegin plehra dhe sasia e plehrave të brendshme nuk është e mjaftueshme për të furnizuar të 3 këto inceneratorë.

– Cilat interesa klienteliste përfaqëson djegia e plehrave dhe cili është dëmi ekologjik?
– Është një aferë shumë e rëndë korruptive, që taksapaguesve i kushton mbi 178 milionë euro për një propozim të pa kërkuar, dhe djegës të pa certifikuar, të cilët janë kaluar përmes shkeljeve të gjithë procedurave ligjore dhe në dhunim të shtetit ligjor. Por këtu i korruptuari kryesor ka kapur gjithë institucionet, përfshi atë gjyqësor dhe prokurorinë dhe po vjedh ditë e natë. Kjo aferë e pistë vjedhjeje, prej 178 milionë eurosh bie në kundërshtim me strategjinë kombëtare dhe direktivën e BE për mbetjet, si edhe falimenton përfundimisht ricikluesit. Për më tepër, nuk ka asnjë garanci se çfarë djegësish do futen, pasi nuk tregohet asnjë detaj, asnjë markë djegësi, asnjë markë filtrash, asgjë. Nuk tregohet në kontratë deri as vendi se ku do ndërtohet, p.sh në Fier, a thua se do jetë në ajër. Këto të gjitha janë pasoja të një vendimmarrjeje të fshehtë mbi baza korruptive.

– Studimet e shumta të kohëve të fundit kanë dëshmuar, që Tirana është kryeqyteti më i ndotur ekologjikisht në Rajon. A merren nga qeveria aktuale masa të atilla që të pakësohen faktorët e ndotjes së Mjedisit?
Ne kemi dy qëndrime lidhur me cilësinë e ajrit në Tiranë: nga njëra anë kryetari i Bashkisë u vetëmburr, duke e quajtur Tiranën qytetin më të pastër në Ballkan, nga ana tjetër, ne kemi një raport të World Health Organization (Organizata Botërore e Shëndetësisë), e cila deklaron se rreth 500 persona llogaritet që vdesin në vit në Tiranë nga sëmundje të lidhura me ndotjen e ajrit. Cilën nga këto dy pretendime të besojmë ? A e dini që ka mbi 4 vjet që nuk funksionojnë stacionet e përhershme të monitorimit të cilësisë së ajrit në Tiranë? Pse? Kjo qeveri që ka 178 milionë euro për t’ia dhënë sekserit të Rama-Ahmetajt dhe 120 milionë euro për t’ia dhënë Vilmës dhe Ramës, nuk paska 20 mijë euro për të blerë filtrat dhe të kryejë monitorim të cilësisë së ajrit? Thjesht, nuk iu intereson se e dinë fare mirë cilësinë e ajrit në Tiranë. Mjafton të shkoni çdo pasdite në zonën e Kombinatit, ku kutërbon erë e rëndë nga plehrat e Sharrës. Mushkëritë tona janë bërë filtrat më të fuqishëm të ajrit të ndotur të Tiranës.
Sigal