Kompania që ka nën administrim inceneratorin e Elbasanit, ECO Elb ka parashtruar nevojën e saj për mjete të rënda në funksion të shërbimit të menaxhimit të mbetjeve urbane.
Një procedurë e fundit prokurimi e çelur nga kjo kompani ka në objekt të kontratës pikërisht këtë “Shërbim-Menaxhim mbetjesh urbane nw landfill (Makineri tw renda)” me një fond limit prej rreth 55 milionë lekësh apo 525 mijë euro.
Në dokumentet që janë vënë në dispozicion nga kompania nënvizohet se mjetet mund të jenë për shitje apo dhënie me qira teksa kontrata do të jetë me një afat 12 mujor nga data e lidhjes.
Në seksionin formulari i termave të referencës kompania parashtron cilat janë nevojat e saj konkrete dhe arsyeja pse këto mjete nuk disponohen duke argumentuar se ECO Elb është një shoqëri e re.
Me anë të mjetit buldozer me zinxhir do të bëhet shpërndarja e mbetjeve që do të depozitohen në landfill.
Shoqëria ECO-ELB sh.a. e cila kryen menaxhimin e Inceneratorit dhe Landfillit duke qenë një shoqëri e re nuk i zotëron këto mjete të nevojshme për operimin e inceneratorit dhe landfillit, prandaj është e nevojshme që ky shërbim të mbulohet me anë të një kontrate shërbimi nga të tretë”, -thuhet në dokument.




















