Inceneratorët, një megaskandal me leje qeveritare, as bllokohet dhe as dërgohet në prokurori. Shteti vazhdon të paguajë kompanitë

122
Sigal

Përmes ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, qeveria pranoi më në fund se ka evazion fiskal me inceneratorët.

Kjo e thellon akoma edhe më shumë megaskandalin që dominon prej kohësh debatin publik, duke i dhënë atij për herë të parë, edhe një bashkautorësi. Me gojën e njërës prej ministreve të qeverisë, u pranua publikisht se ajo ka dijeni për konsumin e një krimi ekonomik, por ende vazhdon të mos veprojë për të bërë minimalisht dy gjëra që janë detyrim i saj politik, moral dhe ligjor: E para, të bllokojë llogaritë bankare të 34 kompanive të përfshira në këtë megaaferë.

E dyta, të referojë për to të gjitha materialet që disponon përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në SPAK për të plotësuar superdosjen hetimore të kësaj çështje. Fakti që nuk bëhet as njëra dhe as tjetra, dëshmon se me veprime dhe mosveprime, qeveria është bërë tashmë palë me pronarët e inceneratorëve. Përgjatë debatit publik, ky ishte deri dje thjesht një opinion, ndërsa sot u vërtetua së është edhe fakt.

“Janë subjekte hetime dhe s’ka vendim gjykate për ta, institucionet shtetërore s’mund të marrin masa. Kemi vijuar të respektojmë kontratën dhe do e bëjmë për sa kohë jemi në zbatim të kontratës, s’kemi njoftim nga institucionet ligj zbatuese ose të drejtësisë për të marrë masa për këto kontrata jemi në pritje të proceseve të drejtësisë, do marrim masa të nevojshme për respektimin e ligjit”, tha ministrja Ibrahimaj.

Megjithëse një figurë teknike, ministrja e Financave tentoi përmes armës së saj më të dobët, ta politizonte dhe ta relativizonte këtë gjë. Duke i dhënë akoma edhe më shumë valencë faktit se qeveria ka dijeni të plotë rreth gjithçkaje që ka ndodhur me inceneratorët, përfshi edhe shkeljet ligjore të denoncuara edhe ditët e fundit nga LSI. Në këto kushte, ajo që bën më së shumti habi për mediat dhe opinionin publik, është fakti se përse SPAK nuk po vepron me të njëjtën ndjeshmëri dhe shpejtësi të organeve të tjera të shtetit dhe sistemit të drejtësisë kur shkeljet i bëjnë qytetarët e thjeshtë, bizneset e vogla e familjare dhe të gjitha bizneset e tjera që nuk kanë mbrojtje politike dhe qeveritare.

Si është e mundur që për dikë që shet te një tezgë, kioskë apo te dyqani i tij i vogël, nuk ka asnjë tolerim, ndërsa për një aferë që akuzohet se ka kryer 189 milionë dollarë evazion fiskal asgjë nuk lëviz, edhe pasi ministrja e Financave e pranon se është kryer një krim ekonomik i përmasave të tilla?!Ka vetëm një shpjegim në gjithë këtë histori: Ose qeveria është e zhytur e gjitha në këtë megaaferë dhe SPAK do edhe pak kohë që të godasë sërish pas arrestimit të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, dhe ish-deputetit të PS-së Alqi Bllako, ose ajo është e tredhur apo aq më keq e kapur nga maxhoranca.

Rrugë të mesme nuk duket të ketë, ndërkohë që i gjithë mjedisi mediatik, politik dhe publik e pranon njëzëri se kemi të bëjmë me skandalin më të madh të 30 viteve të fundit në Shqipëri. Por goditja deri tani nga drejtësia e re, është shumë larg proporcionalitetit me përmasat e krimit dhe dëmit që ai ka shkaktuar përmes skemës së inceneratorëve në këto pesë-gjashtë vitet e fundit në Shqipëri.