Inceneratorët, Kryemadhi zbërthen skemën: Kompania e lidhur me Bllakon mori para edhe nga AZHBR

172
Sigal

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, denoncoi dje në emisionin “Frontline” një tjetër skemë sesi kompani të lidhura me inceneratorët dhe deputetin socialist kanë bërë lëvizje të dyshimta parash.

Sipas Kryemadhit, bëhet fjalë për kompaninë “Lala” sh.p.k., e cila gjatë viteve 2019-2020, ka marrë 11 milionë euro tenderë nga Agjencia që në atë kohë drejtohej nga Alqi Bllako, aktualisht deputet KUM, agjent i PS-së.

Gjatë analizës së historikut të punës se kompanisë “Lala” sh.p.k., që sipas Kryemadhit lidhet me deputetin socialist Bllako, Kryemadhi ka zbuluar se ajo kompania që ka marrë 11 milionë euro tenderë ka shpërndarë para në formën e nënkontraktimit me 5 kompani të tjera.

Tre prej të cilave kanë përfituar para edhe nga nënkontraktimi i inceneratorit të Elbasanit dhe Fierit. Por jo vetëm kaq, Kompania “Lala” sh.p.k., ka paguar 1.4 milionë dollarë në formë nënkontraktimi edhe ndaj kompanisë “Basilika e Shën Mëhillit”. Ndërkohë, nuk dihet se për çfarë pune konkrete kompania “Lala” sh.p.k. ka nënkontraktuar kompaninë “Basilika e Shën Mëhillit”. Hetimi i kompanisë “Basilika e Shën Mëhillit”

Në vijim, Kryemadhi tregoi se ekspertët e LSI-së kanë investiguar aktivitetin e kompanisë “Basilika e Shën Mëhillit” që kishte marrë 1.4 milionë dollarë nga kompania “Lala” sh.p.k., e lidhur sipas saj me Allqi Bllakon. Nga verifikimet, sipas Kryemadhit, kompania e nënkontraktuar rezultonte se kishte vetëm 2 punëtorë.

Pra, ishte nënkontraktuar për një punë me vlerë 1.4 milionë dollarë por kishte vetëm dy punëtorë. Por, skema e pastrimit të parave sipas kryetares së LSI-së, e kompanive që lidhen me deputetin socialist nuk përfundon këtu. Në vijim, nga investigimi i LSI-së përfshihet edhe AZHBRja që në atë kohë drejtohej nga ministrja aktuale e Bujqësisë.

Nga investigimi i LSI-së, rezulton se kompania “Basilika e Shën Mëhillit” ka marrë një grant prej 1.1 milionë dollarësh nga fondet e AZHBR-së për të blerë një kantinë vere. Sipas të dhënave të siguruara nga LSI-ja, që u denoncuan dje nga Monika Kryemadhi, kompania “Basilika e Shën Mëhillit” ka blerë një kantinë vere te kompania “Silla” me vlerën 2.3 milionë dollarë. Ndërkohë, rezulton se vet silla e kishte blerë kantinën e verës 700 mijë dollarë. Sipas kryetares së LSI-së, kjo është skemë e pastër e pastrimit të parave të inceneratorëve që lidhen me inceneratorët

“Duke parë skemën e pastrimit të parave ose të grabitjes së parave nëpërmjet skemave të inceneratorëve të disa kompanive ‘PIVOT 4’, ‘AS Group’, ‘JPV’. Ne na kanë rezultuar disa fatura fiktive, që kanë kaluar para në bankë nga një kompani që ka fituar tenderin e ujësjellësin të Fierit.

Këto janë 3 kompani që kanë përfituar para fiktive nga inceneratori i Elbasanit dhe i Tiranës. Duke kontrolluar bilancet e këtyre kompanive. Na del që këto kompani në një periudhë kohë 2019-2020-2021 kanë marrë nga kompania ‘Lala’ sh.p.k., një shumë prej 11 milionë dollarësh.

Pas kërkimeve më del që në vitin 2020 kompania ‘Lala’ sh.p.k., ka fituar tenderin për të ndërtuar ujësjellësin e Fierit. Dhe ka fituar vlerën e rreth 3 milionë e sa euro. Kompania ‘Lala’ sh.p.k., në 31 gusht 2020, 28 shtator 2020, 1 nëntor dhe 14 dhjetor, i ka dhënë kompanisë ‘Basilika e Shën Mëhillit ’ 1.4 milionë dollarë të zonjës Adelina Demiri. Kontrolloj unë, kjo zonja kishte vetëm dy punëtorë.

Duke verifikuar na del që zonja Adelina Demiri na del që ka fituar një projekt në AZHBR për ndërtim për kantinë vere dhe makineri vere. Dhe projektet në AZHBR që t’i marrësh ose duhet të jesh nën moshën 35 vjeç dhe të kesh gjysmën e investimi ose të jesh një kompani afatgjatë. Kjo zonja ka blerë kantinë vere dhe AZHBR-ja nuk të jep para nëse nuk i thua për çfarë i do. Dhe ajo ka përfituar 1.1 milionë dollarë. 1.4 milionë i ka bërë nga ujësjellësi Fierit dhe 1.1 nga AZHBR-ja. Shikojmë që ka blerë një kantinë vere dhe nga kush e ka blerë kantinën e verës, e ka blerë nga ‘Sili’ sh.p.k.

Ju do thoni çfarë faji ka Frida Krifca? Duke qenë para të BEsë dhe të taksapaguesve shqiptarë, detyra e parë që ka AZHBR-ja është të kontrollojë që projekte të tilla të mos fryhen investimet. Zonja që ka blerë kantinën e verës te ‘Sili’ sh.p.k., çfarë kompanie është? Se ‘Sili’ sh.p.k. mund të jetë trafikant drogë, mund të jetë pastrues parash, mund të jetë kompani fiktive. Dhe është kompani fiktive. Kjo kompani që është blerë 700 mijë dollarë i është shitur 2.3 milionë dollarë zonjës në fjalë”, tha kryetarja e LSI-së.

Ndërkohë denoncoi se gjatë kohës së pandemisë, kompania e inceneratorëve pagoi 1.8 milionë euro fatura për udhëtime. Pretendimet e saja për skemën e pastrimit të parave, Kryemadhi tha se i ka depozituar edhe në SPAK, duke i bashkangjitur me denoncimet e mëparshme.