Inati dhëmbë s’ka, por të kafshon…

1883
Sigal

Nga Sevo Tarifa

Duke shkruar për inatin, nuk e kam fjalën për ndonjë njeri të veçantë inatçi, se të tillë nuk ka pak, por për Inatin si ndjenjë e brendshme shqetësuese e njeriut, që e ha atë si krimbi drurin, si ndryshku hekurin. Se inati është një sëmundje, një sjellje a qëndrim që ka të bëjë me gjendjen e acaruar nervore, me moralin e tij. Inati është tërësia e energjive që vë në veprim njeriu për të arritur një qëllim të caktuar.

Inati, ves i zi që prodhon fryte të hidhura

Inati vret moralisht njerëz. Mjerë ai që është inatçi! Ky ves i zi i bën keq, në radhë të parë atij që e ka. Pa dashur inatçiu dëmton kokën e vet. Trazon shpirtin. Çorienton mendjen. Helmon zemrën. Mjegullon sytë. I ikën buzëqeshja. Merr  pamje të vrazhdët. Inati e plak para kohe. E  bën nervoz. I acaron psikikën. E dëshpëron. E  trishton. E  pezmaton. E mërzit. E zemëron. “I zemëruari, i turbulluari”. A nuk i shohim qartë këto shfaqje inatçore në deputetë të Kuvendit? Është ky një shembull i keq. Jo pak njerëz shprehen: “të enjten  ”do kënaqemi” duke parë estradë”! Dhe shohin si shkelet etika dhe rregullorja. Njëri flet gjatë, tjetri ngrihet disa herë, ndonjë inatçi shkon te faltorja pa iu dhënë leje, flet, mbaron, bie zilja e s’largohet nga foltorja! Inatin e ka në kokë dhe në gjuhë. Flet me arrogancë. Kryqëzohen shpifje, zëra e fjalë kundërshtare. Ndizen gjakra. Tendosen nerva. Ngrihet zëri edhe kur nuk e kërkon problemi në diskutim, por nga inati për dikë a diçka.

Më mirë hesht kur s’është nevoja të flasësh!

Fol, kur s’duhet heshtur!

Dhe s’është nevoja me zë të lartë. Zërin tënd e ngreh mikrofoni e altoparlanti. Flet me zë të lartë ai që s’dëgjon mirë, ai që zbraz inatin! Por kjo s’ka pse të ndodhë me inatçorin që veshët i ka në rregull.  Ky e ngre zërin nga inati, sa dora që mban letrën i dridhet, pulsi i rreh shumë. Koka i dhemb, zemra i ther, sytë i errësohen. Mezi gjen vendin për t’u ulur. Nuk ka inatçi që të mos jetë gjaknxehtë. Jo pak replika zhvillohen me zjarr, me gjaknxehtësi. Nxehtësia çan dhe gurin, mendo se ç’i bën njeriut gjaknxehtë! Inati e nxit atë që të shajë, të shpifë, të ofendojë, të akuzojë, edhe pse s’ka argument, vetëm të “nxjerrë inatin”. Harron se shan i shari. Ngrihet i shari, shan dhe ky! Sha të shajmë! Gjallërohet arroganca. Shtohet inati, shumëzohen inatçorët. Vërehen fytyra. Rreth tyre shohin sy të tjerë. Matet ndonjëri të ndërhyjë, të shuajë sherrin, po s’e ka lehtë, se mund ta pësojë nga njëri ose tjetri. Ata që grinden, vazhdojnë. Fjalori i tyre ashpërsohet.   Inati është si benzina që i hidhet zjarrit. I fryn prushit dhe bëhet flakë. Flaka shkon përpjetë. Flakëron dhe gjaku i inatçorëve. Durimi dobësohet. Mëritë shtohen. E sheh kundërshtarin dhe bën sikur s’e sheh.  Nuk i flet me gojë. Inati bën punën e vet. Bie më tej logjika. Ushqehet kokëfortësia. Zgjohet pakënaqësia. Zverdhen fytyra inatçorësh. Shtohen  urrejtjet. I inatosuri shkon në familje i mërzitur dhe kuptohet se ka diçka. E pyet gruaja: “Ç’ke kështu, të ka ndodhur gjë?” Burri, keq t’i tregojë, keq të mos i tregojë. Të dyja ndodhin. Gjendja shpirtërore e inatçiut përhapet dhe në të tjerë, në familje e në miq, në të vegjël “mbillet” inat!. E keqja e njërit infekton dhe të tjerë. Kush ka inat, nxjerr inat, nxit inat, mbjell inat, korr urrejtje. E pëson sistemi nervor i inatçinjve.

“Ecë me kujdes, se të keqe s’do të kesh!”

Njeriu nuk lind inatçi, bëhet i tillë në jetë, në kushte të caktuara. Fillesa të inatit mund të shfaqen që në foshnjëri. Në përgjithësi nëna “mbjell” te fëmija ëmbëlsi, urtësi, buzëqeshje. Por vitet e vegjëlisë janë vite të kërshërisë. Fëmija sheh edhe të tjerë në familje e jashtë saj që janë inatçi. Dhe infektohet, bën siç sheh e dëgjon. Vëllai i madh imiton babain, vëllai i vogël ndikohet nga më i madhi, vajza është nën ndikimin e nënës, motra e vogël nga më e madhja etj. Ku mbahen parasysh këto veçori, në familje fryn erë e freskët, ka klimë të ngrohtë. Harmoni. Kultivohen virtyte, luftohen vese.  Në këtë mënyrë inati zhvillohet, ku më shumë e ku më pak. Më tepër bie në sy në adoleshencë e në rininë e parë, moshë delikate. Inati evoluon. Cilësia e tij, për mirë ose për keq, ndikohet edhe nga mjedisi që rrethon, jo vetëm në familje, por edhe në rrethin shoqëror. Kështu, kur fëmija grindet me një shok të tij, kjo e çon dhe atë në hakmarrje, gjurmët e së cilës duke u rritur duken në rrugët e jetës së tij. Por, “hakmarrje. i mban plagët të hapura”. Vjen një ditë që shfaqet në dhunë, në gjakosje dhe njëri nxjerr thikën e ia fut tjetrit! E lë në vend ose e plagos rëndë dhe mbyllet jeta e tij. Këtu çon inati! Ka inatçinj që synojnë për hakmarrje edhe brenda familjes, për shkaqe ordinere e interesa materiale. Vret djali babain, vëllai vëllain. Arrin që nipi vret gjyshen se “nuk i dha para”! Ngjarje të tilla shkojnë deri në vetëgjykim, vrasje ose vetëvrasje…  Eh, sa të këqija ka inati! Sa dëme i sjell njeriut, familjes, shoqërisë, imazhit të vendit! Merr ngjyrë politike.  Sa vese të tjera mpleksen me të! Sa pasoja negative ka! Ndodh që dy inatçorë ndeshen me njëri-tjetrin, në fillim me fjalë. Japin e marrin e s’merren vesh. Njërit ose të dyve njëherësh u zbërthehen nervat, u hipën gjaku në kokë! Bëhen nervozë më shumë se ç’janë. Njëri përgatitet, një dorë e mbledh grusht dhe grushtin e ka gati për të goditur! Ndeshen. Gjakosen. Shtohen të këqijat. Nëse njëri nga të dy dhunon se ndoshta është i dehur, nga goditjet që pëson, bëhet esëll, i del pija! Në raste të tilla arrin ta kuptojë se s’bën mirë që rreh ose rrihet, por tani është vonë. Grushtet i ka ngrenë, sidomos në kokë e në bark!  Po të hyjë inatçori në kuptimin e thelbit moral të inatit, të dijë rreziqet dhe dëmet e tij, do ta ketë mendjen në vend, do rezervohet dhe nuk do të arrijë që të jetë inatçi i sëmurë. Kjo kërkon që në mendjen e tij të shkruaj me germa të mëdha fjalën e urtë: “Ec me kujdes, se të keqe s’do kesh”.Të mendojë, pa të  veprojë. Në këto ujëra të inatit notojnë jo pak inatçorë. Do t’i bënte mirë vetes që inatçiu të shihet si në pasqyrë dhe ta vërë gishtin ku dhe pse ka inat. Të reflektojë. Të tolerojë. Dhe ashtu si ai që ka një plagë, dregëzën e së cilës e heq me dorën e vet, se kështu  i dhemb më pak, ndërsa  kur ia heq një tjetër i dhemb më shumë, kështu e njëjta gjë mund të thuhet edhe për inatçiun: të vetëkorrigjohet ose të paktën të zbutet si inatçi. Ta mbajë gjuhën brenda dhëmbëve, të flasë me kursim, me mend në kokë. Të eci në rrugët e jetës me kujdes, se të mira do të ketë. Në skenën politike kanë dalë të rinj në moshë, që janë në detyra të rëndësishme. Shohim deri deputet e drejtues të rinj, që flasin aq mirë pa shkrim dhe me shkrim. Por duke  u infektuar nga ndonjë i rritur inatçi shkruajnë pa saktësi, flasin rrëmbyer, të nxituar. Edhe pse diskutimin e kanë të shkruar, nxehen, inatosen, duke tundur dorën ose gishtin mbi kokë, me fjalë të ashpra e të mëdha, e teprojnë me “figura” e “metafora”; me zë të lartë, me “kompetencë”, vende-vende me fjalor të pakulturuar e të padëshiruar, edhe me nga një fjalë banale ose fyese, pa pikë etike, korrektësie e modestie. Ka prej tyre që janë juristë dhe bëjnë çmos të gjejnë ndonjë nen të ligjit për kallëzim ndaj kundërshtarit politik. Është mirë të mbahet parasysh këshilla e Sami Frashërit: “Mos shkruaj gjë kur je me nerva. Përderisa plaga e gjuhës është më e keqe se ajo e shpatës, mendo se çfarë mund të jetë ajo e penës”.

Inati, njollë e zezë në figurën  morale të inatçiut

Inatçiu, me keqsjelljen e tij njollos moralisht veten. Por këto “njolla” te tij nuk janë si ato që bien në sy në kostumin e tij, se këto pastrohen me solucion kimik. Njollat e inatit janë të brendshme, në shpirtin dhe në zemrën e inatçiut. Nuk duken gjithnjë me sytë e ballit, mund të “shikohen” me sytë e mendjes. Konstatohen në marrëdhënie me të tjerë, në qëndrimet e tij jetësore e shoqërore, se siç thuhet “ku ka zë, s’është pa gjë”. Inati të prish me shokë e miq. Në fushata të zgjedhjeve inatçorët dallohen më kollaj, duken më lehtë. Një veteran më tregonte një ditë se “sa keq fliste kandidati i zonës së tij, gjithë inat, me arrogancë; e ngrinte zërin dhe aty që s’ishte nevoja, përdorte edhe ndonjë fjalë fyese, banale, gjithë nerva. Kështu i dukej se nxirrte dufin nga inati, rrit dhe “autoritetin”, harron se ndodh e kundërta, inatçiut inati ia ul autoritetin, ndërsa urtësia i ushqen respektin. Mendonte se duke folur me ton të lartë e nuanca urrejtjeje për kundërshtarët politikë, kështu “çlirohej”, rehatohej! Përkundrazi, acarohej. inati shtohej, inati “hidhte valle” në trupin e tij. Ka edhe raste që inati e bën njeriun, të mos e peshojë fjalën, por ta lëshojë pa arsyetuar, pa gjykuar. Flet “veresie, gjë që s’i ka hije”. Flet për ndonjë ves që ka tjetri, por atë ves e ka dhe vetë. Kjo i ngjan hajdutit që thërret “kapeni hajdutin”. Flet gënjeshtari për një njeri që gënjen, kur dihet që është vetë gënjeshtar.  Kritikon me nervozizëm për gafa në politikë, kur ai ka bërë vetë gafa më të mëdha. Ka të tjerë që e heqin veten “vigjilentë”, por këta, para se të vëzhgojnë të tjerë e t’i shohin të metat, në radhë të parë t’i kthejë sytë dhe mendjen nga vetja e tyre. Këtë disa edhe e bëjnë, por theksin e vënë te sukseset, mburren “për punën e bërë”. E kanë të vështirë të flasin për punët e pa kryera, të filluara e të pambaruara për shkak të komprometimit, të konfliktit të interesit. Të flasësh për arritje në fushën e ekonomisë i ke gati statistikat, paçka se disa i deformon dhe i falsifikon, i zvogëlon apo i zmadhon, por s’të vjen zëri të flasësh, për shembull për familjet e dëshmorit që iu hoq shpërblimi, për invalidët që ndodh të mos marrin pensionin në kohën e duhur..Ka dhe  inatçorë, të cilët i shohin këto shenja tek vetja e tyre, por nuk reagojnë, nuk gjejnë forca të brendshme ta shohin veten me sy kritik, nuk i vlerësojnë si duhet që kur shenjat e inatit janë ende të vogla. I nënvlerësojnë, i kalojnë lehtë, me indiferentizëm, nuk i shohin në dinamikë, në zhvillim dialektik e të arrijnë në përfundim se nervat mund t’i keqësohen edhe më shumë. Ka të tjerë që ndalojnë në vendnumëro, nuk shkojnë më tej, qëndrojnë aty ku janë. Ka dhe nga ata që këto nuk i bëjnë për sedrën e sëmurë, ose e thonë fjalën nën zë, nën dhembë. Nuk duhet harruar se inati dhembë s’ka, por të kafshon pak e nga pak. 

Hiq inatin, të gjesh rehatin

Inati ka të bëjë me shpirtra njerëzish. Po ta shohë me sy kritik te vetja të keqen e inatit, çdo inatçi të ketë besim se diçka mund të bëjë. Nuk ka gjë që s’arrin njeriu, sidomos për të mirën e shëndetit mendor të tij, për pastrimin e ndërgjegjes së tij. Kur grinden dy inatçorë, bën mirë që njëri prej tyre, ai që e heq veten më të kulturuar, të zbutë inatin e vet  dhe, të marrë nismën, të arrijë deri në kërkesë për falje, për pendim e në pajtim shoqëror, duke e mbyllur çështjen, me zemërgjerësi, sikur s’ka ndodhur gjë..Te inatçorët ka dy forca të kundërta, që “luftojnë” me njëra-tjetrën: njëra pozitive, që e tërheq inaçorin drejt zbutjes së inatit, tjetra negative, që tërheq drejt acarimit të mëtejshëm. Dhe herë fiton njëra nga të dy forcat “në luftim”, herë tjetra. Është mirë të fitojë zbutja, vetedukimi. Ku ka më mirë se të mbajmë parasysh këshillën e urtë: ”Para se të flisni, dëgjoni; para se të shkruani, mendoni; para se të urreni, dashuroni, para se të hiqni dorë, provoni dhe para se të vdisni, jetoni”.(Shekspir)