Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani mblodhi në një takim pune Trupën e inspektorëve dhe Njësinë e ndihmës-inspektorëve për të diskutuar mbi rishikimin e proceseve të brendshme të punës dhe rritjen e eficencës për shqyrtimin e ankesave në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Nga Drejtoria e Hartimit të Akteve dhe Shërbimeve Juridike u bë një paraqitje e të dhënave statistikore për ankesat e ardhura dhe të shqyrtuara ndër vite, shpërndarja aktuale e ankesave dhe procesi i trajtimit të tyre, me theksin tek rritja e ndjeshme e numrit të ankesave, e konstatuar në 4 mujorin e parë të vitit 2025.
Diskutimet u fokusuan tek analiza e të dhënave konkrete dhe e proceseve të brendshme të punës, si dhe mënyrat efektive për të evaduar një numër të lartë ankesash brenda këtij viti, kjo për t’i paraprirë situatave të ngarkesave dhe krijimit të stokut të ankesave. Në kushtet kur ILD ka një numër të ulët inspektorësh, më pak se gjysma e numrit të miratuar sipas organikës, në këtë takim pune u vlerësua si e nevojshme marrja e masave të tjera për të maksimizuar përpjekjet për trajtimin e një numri më të lartë ankesash, në mënyrë që të mos krijohet stok.
“Trajtimi i ankesave të trashëguara, ka qenë një proces që ka tejkaluar ngarkesën normale të punës së ILD-së, për burimet njerëzore në dispozicion, por në sajë të masave rregullatore, administrative dhe strukturore të ndërmarra, rezultatet kanë qenë të dukshme dhe të matshme. Tani duhet parandaluar krijimi i stokut institucional, në kushtet e rritjes së numrit të ankesave dhe të mosndryshimit të burimeve njerëzore, që mbeten të ulëta” u shpreh z. Metani.
Diskutimet mbi metodologjinë e punës sollën evidentimin e problematikave që hasen në proceset e trajtimit të ankesave dhe u trajtuan opsione të mundshme, për rritjen e efiçencës së shqyrtimit të ankesave, si dhe nevoja për të rishikuar akte/rregullore të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

