I vihet flaka lokalit te ”Rana e Hedhun, pronari një emër i njohur

583
Sigal

Një lokal është djegur mëngjesin e së dieles tek “Rana e Hedhun” në Shëngjin. Sipas raportimeve të para lokali që u dogj është në pronësi të Pjetër Prelës.

Prela është personi që denoncoi skandalin me tokat tek Rana e Hedhun. Lokali në fjalë digjet për herë të dytë brenda pak muajsh.

Dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme, policia ka nisur hetimet.

(Lexo këtu lajmin për rastin e parë të djegies së lokalit)

Si nisi denoncimi i skandalit me pronat në Lezhë:

Referuar denoncimit, Pjetër Prela, i cili me vendim gjykate rezulton pronar i sipërfaqes së tokës, kishte vërejtur në zyrën e regjistrimit të pronave, se ai nuk ishte më pronar i saj në një kohë kur nuk kishte bërë shitjen e saj.

Në kallëzimin e Prelës, thuhet se ai është një nga trashëgimtarët e ligjshëm të të ndjerit Gjergj Mark Prela, për të cilin Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Qarku Lezhë, me anë të vendimit nr. 28, datë 19.09.2011, ka vendosur: t’u njohë trashëgimtarëve ligjorë të të ndjerit Gerjgj Mark Prela.

Pjetër Prela në kallëzimin e tij në Prokurorinë e Përgjithshme, shprehet se pasuria e cila u është kthyer nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, është ndarë nga trashëgimtarë ligjore të të ndjerit Gerjgj Mark Prela dhe pjesa takuese e tij me sipërfaqe prej 14 504 m2 është regjistruar në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pronave të Paluajtshme Lezhë.

Kallëzuesi shprehet se ngjitur me pasurinë e tij, persona të ndryshëm me dokumente të falsifikuara kanë bërë regjistrimin e një sipërfaqeje toke, e cila është shkëmb dhe rërë duke e paraqitur si tokë “arë” dhe e kanë regjistruar në Hipotekën e Lezhës në një kohë që toka është rërë dhe shkëmb.

Ndërkohë, një tjetër kallzim nga shtetasi Gjek Çelaj, ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Lezhës. Më datë 15.09.2017, kjo prokurori ka regjistruar procedimin penal nr. 671, viti 2017, për veprat penale të “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Shpërdorim detyre”.

Në bazë të kallëzimit të Gjek Çelaj, ndër të tjera ka denoncuar se familja e tij ka banuar prej kohësh në vendin e quajtur “Mali i Rencit”, Shëngjin.

Gjyshi i tij, i ndjeri Gjon Preka ka pasur në pronësi të tij para vitit 1945, në Malin e Rencit, një sipërfaqe prej 12 dynymë tokë buke si dhe një sipërfaqe prej 150 dynymë livadhe dhe kullota, fakte këto të pasqyruara në dokumentin nr. 2293/1, datë 04.06.2014, të lëshuar nga Arkivi Qendror Shtetëror. Pas njohjes së pronës, trashëgimtarët e të ndjerit Gjon Prek Çelaj kanë ndjekur rrugën ligjore për kthimin fizik të saj, proces i cili nuk ka përfunduar akoma.

Por, kallëzuesi ka mësuar se prona, e cila është e familjes së tij dhe për të cilën është në proces gjyqësor për kthimin fizik të saj, me anë të dokumenteve të falsifikuara ishte regjistruar në pronësi të disa personave, të cilët pretendojnë se kanë përfituar në bazë të ligjit 7501.

Nisur nga ky fakt, Prokuroria e Lezhës ka bashkëpunuar të dy procedimet penale në një të vetëm.