I burgosuri në Tepelenë tentoi të arratisej/ Reagon Drejtoria e Burgjeve: I iku policisë me vrap kur po…

321
Sigal

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar pas tentativës për t’u arratisur nga burgu i Bënçës ne Tepelenë të dënuarit Eduard Çakaj.

Me një komunikatë zyrtare, Drejtoria e Burgjeve njofton se i dënuari, po shoqërohej nga policët për në qeli pas përfundimit të seancës gjyqësore dhe se gjatë kontrollit trupor, u ka ikur punonjësve nga duart dhe ka vrapuar rreth 200 metra, duke kaluar edhe rrethimin perimetrik.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve tha se janë duke vazhduar hetimet për rrethanat e ngjarjes, shkaqet dhe përgjegjësitë konkrete të punonjësve.

Reagimi i plotë:

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informon se sot më datë 14.04.2020, rreth orës 12:40, në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Tepelenë, i burgosuri E.S, i datëlindjes 19.07.1987, ka tentuar të arratiset nga vendi i vuajtjes së dënimit.

Shtetasi E.S, është shoqëruar për në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor nga forcat e policisë të IEVP Tepelenë, për të marrë pjesë në seancën e planifikuar datë 14.04.2020 ora 11:30.

Pas përfundimit të seancës gjyqësore, i paraburgosuri është shoqëruar nga forcat e policisë së burgut, për t’u kthyer sërish në institucion.

Gjatë kryerjes së kontrollit trupor, ai i’u ka ikur punonjësve nga duart dhe ka vrapuar rreth 200 metra, duke kaluar edhe rrethimin perimetrik me qëllim arratisjen.

Falë reagimit të menjëhershëm të punonjësve të grupit të sigurisë së IEVP-së Tepelenë, të cilët u vunë në ndjekje direkte, i burgosuri u kap brenda pak minutave duke e kthyer sërish në qeli.

Lidhur me ngjarjen janë njoftuar Policia e Shtetit, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe janë duke vazhduar hetimet për rrethanat e ngjarjes, shkaqet, përgjegjësitë konkrete të punonjësve.

Shtetasi E.S, ka pasur masën e sigurisë “arrest me burg” që nga data 25.09.2019, i dyshuar për veprën penale vrasje të mbetur në tentativë dhe trafikim të lëndëve narkotike.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka nisur hetimet e menjëhershme për të vlerësuar, analizuar dhe hetuar ngjarjen.

Ju faleminderit!