Hysni Mullalli: Ja përgjigja ime për drejtuesit e Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë

704
“Qirje Thoma Konduri dhe Zydi “Heroi” sulmojnë sërish Bashkimin e Ushtarakëve, nga bunkeri i vetmisë të tyre”
Në datën 30 tetor 2017, Kuvendi Kombëtar i Bashkimit të Ushtarakëve, me përfaqësues nga shoqatat: Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë; Shoqata e Tiranës; Shoqata e Xhenios; Shoqata e Aviatorëve; Shoqata e Forcave Detare; Shoqata e Flamurit Kombëtar; Shoqata Vullnetarët e Lirisë; Organizata e Veteranëve Luftëtarë të UÇK-së; Shoqata e Historianëve Ushtarakë; Instituti i Historisë Ushtarake; Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të Aviacionit; Lidhja e Ushtarakëve për Drejtësi; Shoqata e Ushtarakëve me Pagë Kalimtare dhe Pension të Parakohshëm; Shoqatat e Ushtarakëve të Gjirokastrës, Shkodrës, Vlorës, Fierit, Sarandës, Kukësit, Tepelenës, Pogradecit; Shoqata e Ushtarakëve të Sazanit; Shoqata e Tankeve; Shoqata e Kundërajrorëve; Shoqata e Transportit, Degët e Qendrave Administrative të Bashkisë të Tiranës etj, vendosi unanimisht për Bashkimin e Ushtarakëve të Shqipërisë dhe themeloi Shoqatën: “Bashkimi Kombëtar i Ushtarakëve të Shqipërisë”. Ky bashkim është produkt i punës të përbashkët të të gjithë kryetarëve të shoqatave themeluese dhe nuk ka merita të veçanta asnjë shoqatë apo individ që e “mburr” SHKURSH-i apo vetëmburret.

Kuvendi i Bashkimit Kombëtar të Ushtarakëve e ka dhënë përgjigjen shteruese, duke e bërë bashkimin e ushtarakëve një realitet të prekshëm dhe tepër funksional. Por dy të “mëdhenjtë”e SHKURSH-it, qirje Thomai dhe Zydi “heroi” rrinë akoma pa gjumë dhe shikojnë ëndrra sikur ne ushtarakët e “vegjël” që u bashkuam, jemi armiqtë e tyre. Ndaj na sulmojnë nga bunkeri i tyre i vetmuar, duke qenë dhe në pozicion jashtë loje. I cilësoj “qirje“ dhe “hero”, jo për t’i fyer, por për t’i respektuar, sepse herën e parë u fyen që këtyre “kokave të mëdha” të ushtarakëve, iu drejtova me emër. Për të mos “gabuar” më, në këtë shkrim do të përdor inicialet q. Th. për qirje Thomain dhe Z. h. për Zydi “heroin”. Kam lexuar replikat e tyre inatçore dhe të mbushura me fyerje. Ato ngjajnë, si dy pika uji të turbullta, që kanë dalë nga i njëjti burim i trazuar. Në to nuk ka asnjë argument që tu mbushë mendjen ushtarakëve që bashkimi nuk duhej, që ai është përçarje apo që alternativa e tyre antibashkim është më e mira. Ata mburren dhe janë të vendosur në qëndrimin e tyre ndarës. E them këtë se Z. h. guxon t’i ndajë ushtarakët në dy soje. Në “sojin tim” që e sulmon dhe në “sojin e tij” që e mburr. Kurse q. Th. shkon më tej, i ndan ushtarakët në grupe, grupi i stoikëve që është me të dhe ne dy grupet e tjera” armiqësore” që u bashkuam. Përrallat e tyre me grupe “armiqësore”, ndarje, përçarje dhe “soje” janë vetëm në mendjet e çoroditura të tyre. Këto përralla kanë dhe një të mirë, sepse u japin ushtarakëve mundësinë të kuptojnë se kush janë dhe ku qëndrojnë sojsëzët. 

Unë herën e parë, nuk kam shkruar në emër të AKUSH-it, as në emër të grupit nismëtar të bashkimit dhe as në emër të atij “sojit tim” që deri dje ishin “soji i tyre”.Unë kam dhënë, ashtu si do të jap dhe sot opinionin tim për qëndrimin e tyre antibashkim. Këto ditë kam qenë në dilemë, të reagoj apo jo. Kam marrë shumë telefonata, kam pasur kontakte me shumë kolegë, kam marrë E-mail-e, madje edhe nga Athina për bëmat e qirje Thomait. Ata më kanë kërkuar t’u jap përgjigje Z .h. dhe q. Th. dhe më kanë servirur materiale për të reaguar. Kolegëve ua kam prerë shkurt, unë shkruaj dhe jap vetëm opinionin tim. Por kam merak se sulmet e pandalshme të Z. h. dhe q. Th., do t’i bëjnë dhe kolegët e “sojit” tim, pjesë të këtij debati mediatik pa bereqet. Jam i ndërgjegjshëm që po hyj në një debat jo të shëndetshëm. Por, më duhet të reagoj për këto arsye. 

Së pari, për të ritheksuar se bashkimi i ushtarakëve është bërë realitet. Nga bashkimi ynë është vetëpërjashtuar vetëm SHKURSH-i, i cili e ka derën gjithmonë të hapur, kur të ndërrojë mendje. 

Së dyti, të shpërndaj perden e tymit që kanë hedhur mbi bashkimin dhe të çmontoj të pavërtetat e q. Th. dhe Z. h. 

Së treti, ushtarakët dhe veçanërisht anëtarësia e SHKURSH-it , të njihen me qëndrimet antibashkim dhe trillimet e çiftit presidencial të tyre. 

Së katërti, nuk mund ta mbaj mbi shpinë baltën e tyre të vjetër. 

Fjalori banal që përdorin tregon që bashkimi i ushtarakëve i ka tronditur shumë, i ka nxjerrë nga shinat e arsyetimit dhe vetëpërmbajtjes dhe i ka hedhur në pellgun e fyerjeve dhe përbaltjes, nga ku shpërthejnë me fjalë banale dhe “presidenciale”, që nuk po i rendis, se nuk më del hapësira për të shkruar ato që mendoj për ta. Për fyerjet, do të përpiqem të mos iu përgjigjem me të njëjtën monedhë, por në kushtet kur më kanë vënë në kurriz një mal me shpifje, nuk mund të jem 100% steril në fjalor, ndaj u kërkoj ndjesë lexuesve, për fjalët që do iu duken të papërshtatshme në këtë shkrim.

Këta “sojllinj” dhe tani kur Kuvendi e ka realizuar bashkimin shkruajnë se: – Kuvendi dështoi; ai i përçau ushtarakët, ishte fals dhe farsë etj. Vetëm këta “medjendritur” mund të thonë që bashkimi është njëherazi dhe përçarje. Ata vijojnë të sulmojnë me revan pleqërie dhe si zakonisht më janë sulur mua për të më kryqëzuar dhe mbyllur gojën. Më sulmojnë dhe më veçojnë me dashakeqësi, por harrojnë që duke më sulmuar të parin, më kanë bërë pa dashje, nder e lobing. Kjo tregon që kam qëlluar në shenjë.

Bashkimin e ushtarakëve e refuzoi vetëm SHKURSH-i që mbahet peng nga q. Th. dhe Z. h. Grupi nismëtar iu bëri thirrje të dilnin mbi veten dhe interesat personale, të pranonin ftesën publike, të vinin në Kuvendin e datës 30 tetor, të parashtronin qëndrimet e tyre dhe të shpalosnin alternativën antibashkim. Ne ishim të gatshëm të hidhnim në votë të dy variantet. Platformën tonë të bashkimit dhe alternativën e tyre antibashkim. Por ata nuk erdhën në kuvend dhe as nuk heshtën, madje vijojnë të shkruajnë dhe tani që Kuvendi i Bashkimit u mbyll me sukses dhe i realizoi plotësisht objektivat e tij. 

Ata iu kundërvunë vullnetit të ushtarakëve për bashkim, por dhe vetes të tyre. Z. h. në vitin 2011 ka qenë nismëtar i një platforme bashkimi dhe SHKURSH-i i tij nuk ia pranoi. Me SHKURSH-in dhe këdo kam replikuar për bashkimin. Në vitin 2012, isha “i fortë” se kisha në krah Z .h. Duke replikuar me SHKURSH-in, vlerësoja këtë “hero”, për qëndrimin e tij pro bashkimit. Atëherë për Z. h. isha burrë i mirë, nuk kisha “soj” nga prapa, “më donte”, i pëlqenin fjalët e mira që shkruaja për të, më falënderonte dhe më dhuroi në shenjë mirënjohje një nga një, të gjitha librat e tij. Por sot, kur unë them përsëri një të vërtetë që Z. h. ka kundërshtuar veten, është kundër bashkimit dhe është rikthyer në bunkerin e tij të ndarjes, hidhet përpjetë dhe më sulmon për të vetmen arsye, se unë jam konstant në qëndrimin tim për bashkimin dhe nuk e dredh si ky “heroi”që është dakord vetëm kur firmos vetë. 

Po ashtu Presidenti “real” q. Th. në takimin e datës 23.9.2017, ka firmosur rezolutën e bashkimit me shënimin se: “ Në këtë vendim të dalë i qartë identiteti dhe pavarësia specifike e shoqatave ekzistuese. Pa këto ndryshime firma është e pa vlefshme”. Q. Th. me këtë shënim e la derën e hapur për të ikur. Ai ka përvojë dhe ka një “avantazh” në raport me ne, gjithmonë e ka një derë të hapur. Kur dera i mbyllet në Shqipëri e ka të hapur në Greqi, kur dera i mbyllet në Greqi e ka të hapur në Shqipëri. Në Statutin tonë, janë pasqyruar mendimet e q. Th. dhe janë tejkaluar, duke theksuar se, shoqatat ekzistuese të ushtarakëve nuk do të shkrihen, se do të respektohet integriteti, autonomia, statusi dhe institucioni juridik i tyre etj. Q. Th. nuk na thotë asgjë, pse firmosi në datën 23 shtator për të nisur me ne marshimin drejt bashkimit dhe devijoi që në pikën e nisjes, pa filluar marshimi?! Ç’farë i ndodhi q. Th. që na braktisi në mënyrë të beftë dhe iu kundërvu vetes duke u tërhequr nga bashkimi?! 

Ritheksoj, se një nga arsyet kryesore të mosbashkimit është frika se humbin privilegjet e tyre financiare dhe materiale si: lekët për kuota, për dieta udhëtimi, hotele, zyrat etj. Qirje Th., ditët që ne mblidheshim për t’u bashkuar, “arratisej” jashtë Shqipërisë. Në takimin e parë në datën 3 qershor 2017 ishte me “aktivitet” në Maqedoni dhe ditën kur u zhvillua Kuvendi qirje Thomai ishte në Athinë. Pra ne mblidheshim për t’u bashkuar, kurse q. Th. na braktiste dhe ikte të na i zgjidhte problemet tona në Greqi. 

Z. h. dhe q. Th. vijojnë të mashtrojnë e shpifin dhe në replikat e tyre, me një intensitet më të madh dhe me një besueshmëri zero. Më konkretisht:

– Q. Th. dhe Z. h. na mburren përsëri me misionin e “veçantë” të tyre, si e vetmja shoqatë e rezervistëve, që njihet nga shteti, CIORI dhe nga NATO-ja, por nuk na thonë pse Statusi i SHKURSH-it nuk përputhet fare me Kushtetutën e CIOR-it, e cila në pikën 1.6.10 thekson : “Shoqatë Rezervistësh është çdo shoqatë kombëtare rezervistësh, e cila pranon të gjithë oficerët në rezervë të të gjitha forcave të vendit të vet.” Pra SHKURSH-i duhet të përfshijë vetëm dhe gjithë oficerët në rezervë të vendit dhe jo ata në pension pleqërie si Z. h. dhe q. Th. Qirje Thomai na bën për budallenj kur na thotë se, nuk ka kufij moshe, sidomos për drejtuesit. Mesazhi i tij është i qartë, sa të jemi gjallë ne nuk e lëshojnë fronin e monarkut të SHKURSH-it. Këtu e ka burimin dhe fakti që, q. Th. në rrethe të ngushta shoqërore ka deklaruar, se sa të jemi ne, nuk ka bashkim, kur të ikim ne ndoshta do të ketë. Por a mund të vijojë të quhet «Shoqatë Rezervistësh» SHKURSH-i pa pjesën dërrmuese të ushtarakëve në rezervë që janë në radhët e shoqatave tona, e pamundur. Kur FA nuk kanë strukturë të forcave rezerviste, që nga vitet 90-të, SHKURSH-i , shoqatë e kujt është ?! SHKURSH-i u themelua dhe vijon të ekzistojë pa pasur rezervistë, pra pa pasur mundësi të realizojë misionin e përgatitjes të rezervistëve që na i thonë me mburrje. Neni 27 i SHKURSH-it, thekson:« Shoqata shpërndahet kur qëllimi i saj është përmbushur apo nuk ka mundësi të përmbushet ». Pas bashkimit SHKURSH-i, përfundimisht nuk e përmbush dot misionin për të cilin është krijuar, sepse ajo ka ngelur e vetme dhe mbi 90 % e rezervistëve dhe 100 % e oficerëve rezervistë të specialiteteve janë në shoqatat tona. 

– Pika 3.1.7 e Statusit të CIOR-it dhe rregulli 8 i rregullores të tij, e detyrojnë SHKURSH-in që sipas pikës 8.3.4, të ketë një komitet për oficerët e rinj rezervistë. Sipas pikës 8.4.1.6 – ky komitet merret me rekrutimin,stërvitjen, zhvillimin dhe menaxhimin e forcave rezerviste-, dhe sipas pikës 8.4.3.2 – merret dhe me zhvillimin e oficerëve-. Qirje Thomai, gënjen kur shkruan se unë shpif kur flas për përgatitjen e rezervistëve, sepse sipas tij, kjo nuk është detyrë e shoqatës të tij. Sigurisht nuk e përkthen dot vetë statutin e CIOR-it, sepse qirje Th. di vetëm greqisht. Në zbatim të detyrave që ngarkon Kushtetuta e CIOR-it, SHKURSH-i nuk ka program për të përgatitur dhe thithur në shoqatë oficerët e rinj rezervistë, nuk ka testime, nuk ka evidenca për ushtarakët e rinj rezervistë, nuk ka dërguar asnjë oficer rezervist me mision si anëtarët e tjerë të CIOR-it apo të NATO-s, pra nuk ka asnjë tregues në drejtim të zbatimit të misionit për rekrutimin, stërvitjen, zhvillimin dhe menaxhimin e rezervistëve. 
Sigal