Hyqmet Zane: Open Ballkan si fshirje e kujtesës kombëtare

391
Sigal

Ernest Koliqi, misionari i hapjes së shkollave shqipe në trojet shqiptare

 (20 maj 1903 – 15 janar 1975)

Si mësues, fillimi i çdo viti të ri shkollor më sjell në mendje një realitet të ndodhur në atë shtator 1941, kur Ernest Koliqi ishte Ministër Sekretar Shteti i Arsimit (12 prill 1939–3 dhjetor 1941). Nuk është një kujtesë rutinë, por një nga ngjarjet e mëdha monumentale pas shpalles së Pavarësisë, që vazhdon të na sjellë mesazh jo vetëm shqiptarëve, por në veçanti atyre që merren me problemet e arsimit në Shqipëri. Kujtojmë atë burrë shteti që mundësoi hapjen e shkollave shqipe në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare, të mbetura jashtë Shqipërisë së vitit 1912.

Ernest Koliqi ndërmori misionin e madh për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare në Maqedoni, Luginë të Preshevës, Mal të Zi dhe Çamëri. Ai ishtë pa asnjë dyshim intelektuali, studiuesi, publicisti dhe shkrimtari i njohur, që padrejtësisht u anatemua aq keq nga diktatura staliniste e Enver Hoxhës. Në atë vit shkollor 1941–1942, u hapën 173 shkolla fillore, 3 shkolla të mesme dhe disa gjimnaze të ulëta. Ndërsa në nëntor të vitit 1941, u hap Shkolla Normale në Prishtinë, si një vazhdimësi e Normales së Elbasanit me ndërmjetësinë e mësuesve elbasanas si Mehmet Gjevori e të tjerë, që deri në vdekje mbeti qytetar i Kosovës me familjen e tij dhe kryetar i Shoqatës “Normalisti” për Kosovën. Në fillim, në këtë mision u angazhuan 80 mësues. Në mesin e këtyre mësuesve kishte edhe mjaft të rinj nga Kosova që ishin shkolluar në Shqipëri, por që nuk kishin mundur të ktheheshin më parë në Kosovë. Ky numër më vonë arriti në 264, ndërsa në vitin shkollor 1943–1944, ky numër u rrit në 400. Po në këtë vit shkollor mësimet i vazhdonin mbi 25 mijë nxënës. Këto shkolla u bënë vatra të diturisë dhe atdhedashurisë. Me këtë mision të jashtëzakonshëm, Koliqi kishte ngarkuar intelektualin dhe pedagogun gjirokastrit, Ali Hashorva. Ishte ky mision arsimor, atdhetar e vizionar, që mishëronte programin e madh të Rilindjes Kombëtare, përhapjen e diturisë e përparimit, zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, edhe pse Shqipëria ishte nën pushtimin e italo-gjermanëve.

 

Për atë kohë të artë, që do të cilësohej si Pavarësia e Dytë e Kombit Shqiptar, kur ky misionar i shkollës dhe gjuhës shqipe ndërmori atë hap gjigand, vetë Ernest Koliqi është shprehur se “Çdo qytet i Kosovës, Maqedonisë, Luginës së Preshevës dhe Malit të Zi, kudo ku ka dhe jetojnë shqiptarë është meritore të ketë shkolla, rrugë, sheshe dhe shtatore të themeluesit të arsimimit kombëtar në këto anë”. Nuk ka vend për të komentuar se vetë ai i ka shprehur qartësisht qëllimet e misionit të tij. Sot në Shqipëri, drejtues të arsimit dhe vetë kryeministri as që e përmendin veprën e Ernest Koliqit, si një mosmirënjohje e madhe ndaj një atdhetari të spikatur për ardhmërinë e kombit shqiptar. Përkundër këtij realiteti sjelljet dhe veprat e kryeministrit të Shqipërisë janë në sinkron me qëllimet e misionit të Serbisë së madhe dhe, ashtu si marrëveshja Tito – Enver, edhe dyshja Vuçiç – Rama përmes Ballkanit të Hapur kërkojnë të mbyllin në kalendat greke veprat e atdhetarëve të vërtetë, që bënë atë që ishte kryevepër edhe pse nën pushtimin e dy fuqive madhore të kohës. Të shkosh në Gjakovë siç bëri ministrja Evis Kushi dhe të mos kujtosh emrin e Ernest Koliqit që hapi shkollat e para dhe futi mësimin e gjuhës shqipe në shkollat e Kosovës, po aq sa edhe të mos kujtosh ata burra e gra elbasanas që përqafuan misionin e ministrit Koliqi, kjo është mosmirënjohje e cilësuar. Ata nuk kanë nevojë që t’ia përmendin emrin pushtetarët e sunduar nga Open Ballkan, se u ndyhet, por ne kemi nevojë për veprat e tyre se na nderojnë dhe të jemi me kokën lart. Po aq sa edhe nuk përmendet edhe emri i krijuesit të abetares së parë Kolë Xhumari që i rezistoi kohërave dhe ishte më e mira e mundshme dhe me të cilën u mësuan breza e breza nxënësish në dekada të tëra. Dihet se në vitin 2012 kur në pushtet ishte Sali Berisha, u përgatit një abetare e përbashkët me të cilën edhe sot mësohet në Kosovë, por që vetëm pas 10 vjetësh iu bënë disa ndërhyrje që nuk dua t’i paragjykoj. Por kujtesa historike ka nevojë për dishepujt e këtyre punëve madhore, sepse ajo që po bën sot kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është në kundërshtim me frymën e atdhetarizmit dhe një tradhëti e hapur ndaj interesave madhore të kombit. Ashtu si Enveri që e dënoi Ernest Koliqin, sepse bëri një vepër madhore të rëndësishme për kohën dhe brezat e mëpasëm, sot edhe Edi Rama me heshtjen dhe mos përmendjen e emrit të Ernest Koliqit, u thotë serbëve se ne bëjmë si të doni ju.

Duke shfletuar Revistën kulturore, shoqërore, artistike “Shejzat” (mars 1971), botuar në Itali e drejtuar nga Ernest Koliqi, më tërhoqi rubrika “Bisedime të lira”. Në të, Koliqi jep përcaktimin e fjalës “patriotizëm”, dhe ndër të tjera shkruan: “Nderi i atdheut ruhet me sjellje t’urta dhe të përditëshme. Çdo marrëdhënje me të huaj shërben me ia forcue e shtue namin e mirë Shqipnis, ose, anasjelltas, m’e koritë emnin shqiptar. I hueji mbi Shqipni din pak ose aspak. Po dijti pak, zakonisht i shikon shqiptarët si njerëz primitivë, d.m.th. barbarë. Kanë ba propagandë të madhe anmiqtë e kombit mbi të pandehunat, veti prapanike të kombit tonë. Njani si lajmoi botën se shqiptarët kanë bisht në fund të shpinës. Lypet urti e madhe nga ana e jonë, përjashta, për të përgënjeshtrue pohimet antishqiptare t’atyne qi dojshin me shtri sundimin mbi tokë t’ona, tue na përshkrue si njerëz të paaftë me u vetqeverisë”. Janë fjalë si me i thënë sot në sy kryeministrit Edi Rama që ka humbur çdo atdhetarizëm para Serbisë përkundër kërkesave të At Gjegj Fishtës dhe vetë Ernest Koliqit si pjestarë të Kongresit të Manastirit më 1908 që hodhi bazat për problemet e gjuhës shqipe dhe shkollave, që u hapën më vonë pas Kongresit të Elbasanit më 2 – 9 shtator 1909, që çoi në hapjen e shkollës Normale si kryevepra e Rilindjes Kombëtare. Të mos flasësh dhe të heshtësh për një kongres arsimor si ai që u bë në Elbasan, dhe për misionin e madh të Ernest Koliqit për shtrirjen e gjuhës shqipe në trojet etnike shqiptare dhe për hapjen e shkollave të para në këto troje, është si t’i thuash Aleksandër Vuçiç se “historinë do e bëjmë si ta doni ju”. Ky është një realitet që duhet t’i vijë turp çdo pushtetari për ngarkesën antishqiptare që ka në emër të ‘Open ballkan’.