Homazh nga Dalan Buxheli: 5 maji dita e njerëzve të pavdekshëm

667
Të gjitha kombet e qytetëruara, që i kanë dhënë njerëzimit kulturë e progres, krenohen me bijtë e tyre të rënë në luftë. Nuk jemi vetëm ne, shqiptarët, që u bëjmë homazh dëshmorëve. Ne kemi një ditë në vit, 5 Majin, ditën kur ra Qemal Stafa, si përkujtimore për dëshmoret. Ajo është dita e madhe e njerëzve të pavdekshëm. Ata që ranë në Luftë kanë qenë njerëz me ideale. Këto ideale janë gdhendur në pllakat e varreve të tyre, në pllakat përkujtimore, në lapidare e monumente të ndryshme. Kombi shqiptar, si një ndër kombet më të vjetër në Evropë, ka mbijetuar ndër shekuj vetëm sepse ka luftuar e ka derdhur gjak për liri e për tokën e vet amtare. E në këto luftëra gjithmonë, të pabarabarta kanë dhënë jetën bijtë më të mirë, më trimat, më të ndershmit, pjesa më vitale e më e aftë, ajka e kombit. Në Luftën II Botërore, tërë kombi, si viktima e parë e agresionit fashist, u përfshi në LANÇ, përkrah vendeve të koalicionit antifashist botëror. Shqipëria u radhit ndër vendet e para, me 28 mijë dëshmorë. Dëshmorët flijuan jetën me vetëdije të plotë, ai qe çmimi që detyrohet të paguajë një komb për t’u bërë i lirë e i pavarur. Dëshmorët janë lavdia e Kombit, palca dhe shpirti i ndërgjegjes kombëtare. Me gjakun e tyre ushqehet e mbijeton kombi ynë. Prandaj nderimi e respekti për ta është detyrim moral mbarëkombëtar. Duke nderuar ata ne afirmojmë atdhedashurinë. Duke kujtuar 5 Majin, mendja na shkon tek parulla “Të bashkohemi të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine e ideje në Frontin NAÇ në luftën kundër fashizmit”. Promotori i kësaj alternative u bë brezi i ri i asaj kohe, përfaqësues i se cilës ishte i riu mendjendritur e guximtar, Qemal Stafa. Ai çmohet si përfaqësuesi i inteligjencës së re të asaj kohe, që nuk pajtohej me gjendjen e mjeruar të vendit. Qemal Stafa me aktin e tij heroik do të shndërrohej në një simbol të Rinisë Shqiptare në Luftën kundër Fashizmit. Nën shembullin e tij dhanë jetën 28 mijë dëshmorë, shumica djem e vajza të reja. Organizata Kombëtare për dëshmorët e LANÇ-it dhe dëshmorët e tjerë të Atdheut, duke përkujtuar 5 Majin, nderojmë jetën e veprën e dëshmorëve të LANÇ-it, si epopeja më e lavdishme e popullit shqiptar gjatë gjithë historisë së tij. Forcat e djathta që erdhën në pushtet ndërmorën veprime kriminale ndaj vlerave më të shenjta. Ata si përfaqësues të ballistëve e zogistëve, bashkëpunëtorë të fashizmit gjatë LANÇ-it, u hodhën me të gjitha forcat dhe mjetet për shkurorëzimin e kësaj Lufte. Urrejtja e tyre e papërmbajtur u shndërrua në veprime vandale duke rrënuar monumentet, pllaka përkujtimore e deri tek varrezat e dëshmoreve, duke kryer kështu një ndër aktivitetet më të shëmtuara e makabre. Për fat të keq, kjo strategji vazhdon edhe sot, për të harruar emrat e dëshmorëve u heqin emrat e tyre shkollave, institucioneve, rrugëve e shesheve. Kundër këtyre akteve barbare organizata jonë, veteranët, invalidët e Luftës dhe gjithë forcat progresiste kërkojnë nga organet qeveritare përkatëse, ndalimin e kësaj fushate naziskine dhe nxjerrjen e keqbërësve para drejtësisë. Më 5 Maj, dëshmoret na presin te varret, t’u bëjmë homazhe e të vendosim nga një tufë lule. Presin jo vetëm bashkëluftëtarët e tyre, por në radhë të parë brezin e ri, sepse vepra e tyre është shembulli më i lartë i frymëzimit dhe atdhedashurisë. Kështu do ta ngremë në një stad të ri traditën e përkujtimit të 5 Majit, do të jetë pamja më e bukur e më madhështore e kësaj feste.
Sigal