“Histori e Kremenarit” shtrembërim i historisë dhe “kuti” ideologjik i Islamaj

    951
    Sigal

    Kritikë për librin e Ismail Islamaj tek “Historia e Kremenarit”

     Nga Vladimir PASHAJ

     Ilir PASHAJ

    Në kohën e lirisë mendimit dhe të shkrimit secili ndjehet shumë mirë kur njerëz të ndryshëm kontribuojnë në kujtimet, të cilat zënë vend në historinë jo vetëm të jetës së tyre, por edhe të shoqërisë ku ata jetojnë. Shkrimet janë të mirëpritura kur ato nuk janë pasione personale dhe nuk sillen të mbushura, brenda tyre, me subjektivizma. Megjithatë, mbetet diçka. Kjo ndodh edhe me historikët e fshatrave, por edhe të familjeve, të cilat janë kontribute dhe ato duhet të ruhen e të bëhen njohëse edhe për brezin e ri. Mendojmë se është përgjegjësi e madhe që të marrësh penën e të shkruash “histori” mbasi ajo nuk mund të jetë përrallë dhe as tagji për kafshët. Vet kryetitulli “histori” duhet të të bëjë të mendosh mirë, kur të hedhësh ngjarje e fakte që të duhet t’i analizosh ato,  kur janë edhe shumë komplekse.  Historisë së Shqipërisë, sot e kësaj dite i janë qepur kaq shumë të meta, mbasi është e vështirë të shkruhet me përgjegjësi, dhe se duhet të jesh kërkues dhe analizues real, kur shkruan një libër me pretendimin historik.  Ismail Islamaj tek “Historia e Kremenarit” qëndron shumë larg historianit, dhe po kështu, po kaq larg nivelit intelektual. Për fshatin tonë  është shkruar libri  “Kremenari” dhe i dyti ky për të cilin po shkruajmë.  I pari, me sa kuptohet e ka pasur të vështirë që ta quaj histori, sepse i duhet më shumë përgjegjësi dokumentare, prandaj autori e ka sjellë në formë gojëdhënash, kujtimesh, rrëfenjash, dhe përshkrimesh gjeografike. Edhe ky libër i Islamajt do të ish më mirë që të sillej si kujtime të tija personale, se sa  të matej me “historinë” sepse do të përfundonte ashtu siç ka përfunduar  në “fletë rrufe dhe letra anonime” Duket se është një libër i shkruar me inate dhe mllefe, prandaj s’mund të jetë histori. Është e vërtetë se historinë e shkruajnë vet njerëzit,  për veprat që janë kryer, ata mund të jenë bashkëkohës por edhe larg në kohë,  veçse  duhet të kenë në dorë dokumente dhe analiza.  Nuk mund të shkruash histori me naivitet të skajshëm, as të tjerësh “qyfyre” duke mos ditur të shkruash as për veten tënde. Që në parathënie, të kësaj “historie”  Islamaj vihet në kërkim të një fletoreje të shkruar 50 vjet më parë, të cilin ai e quan me gjuhën e kohës “historik i fshatit”, që siç e dëshmon ky që e ka parë me sy dhe e ka lexuar, ka qenë e shkruar me shkrim dore. Përmendet edhe emri i shkronjësit.  Si është e mundur që në parathënien e një historie të merresh me një fletore shënimesh sikur kjo të ishte një zbulim !! Fletorja u kërkua, por ajo ka humbur. Është shumë qesharake për këtë “histori” t’i referohesh kësaj  fletoreje, të cilën ne nuk duhet ta përgojojmë.  Ajo ka qenë një fletore, me kujtime dhe gojëdhëna nga të moshuarit e fshatit për jetën dhe njerëzit në kohë. Kuptohet se duhet të jetë shkruar strikt me kutin e Partisë, të luftës së klasave se  nuk mund të shkruhej ndryshe në atë kohë. A mund ta quash këtë si një fatkeqësi se ajo mund të vihej në themel të “historisë”  që kërkon të shkruash? Ja ky është naiviteti fillestar që e përcjell këtë “histori” E kuptojmë dashurinë që e ka secili për vendlindjen e tij, por në kalim të një kohe të gjatë secili duhet të bëjë një lloj reflektimi në ato që shkruan. Islamaj,  dashje pa dashje përcjell, një model të vjetër, që s’mund ta quash model. Shoqëria e sotme po mundohet që të shërojë plagët që solli sistemi që shkoi. Ndërkaq Islamaj shkruan  ende me kutin ideologjik, të Partisë  së tij,  ai përjashton ngjarje të mëdha historike siç është ”Gjyqi i Ballshit” shmang  personazhe realë të persekutuar dhe dënuar që janë figura të njohura jo vetëm në Mallakastër, por në gjithë Shqipërinë si Sami Pashaj, partizan, themeluesi i rinisë komuniste në krahinë, drejtues i parë (partiak)  i rrethit të Ballshit në vitet e para të pasçlirimit, diplomat i shquar në botë dhe administrator në shkallë vendi; e po kështu dhe Selfo Pashaj që ishte plaçka e parë e pazarit Enverist në persekutimin që iu bë krahinës së Mallakastrës, kur u vetëvra Mehmet Shehu. Ky ka qenë moment kulmor i asaj gremine të madhe. Sami Pashaj,  ishte përndjekur dhe persekutuar dhe burgosur para se të vriste veten Mehmet Shehu. Ai u bë piketa nisëse dhe vëllai i tij Selfo Pashaj, një strumbullar reprezaljesh në Ballsh që ishte i arrestuari i parë. Rreth tij do të përndiqeshin në mënyrë mizore figura të shquara  që kundërshtuan Enver Hoxhën e Kadri Hazbiun. Pikërisht “Gjyqin e Ballshit”  këtë ngjarje të madhe, Islamaj e përjashton sepse  e quan “retorikë!”   Ç’lidhje mund të ketë kjo me intervistën që dha para se të largohej nga jeta i ndjeri, Selfo Pashaj për atë që ndodhi në Ballsh, ku ai ishte preja që u vu nën sëpatën e Partisë dhe e gjithë familja dhe farë e fisi i goditur dhe persekutuar tmerrësisht. Nuk është fjala fare, për retorikë Ç’gjuhë e ç’kujtime po shpifte, që të ndikonte  në opinion  Selfo Pashaj ?  Kurrë, asgjë e tillë, s’dilte nga dëshmitë e tij, të cilat s’mund të krahasohen dot më këtë  farë “historie”. Por Islamaj nuk e di fare se ç’do të thotë retorikë dhe pretendon të shkruaj “histori”  Si mund të përjashtohet kjo ngjarje, në historinë e Kremenarit kur Regjimi po hante ata që kishin bërë Luftën dhe ndërtuan vendin edhe ata kishin kontribuar në shkallë kombëtare ? “Gjyqi i Ballshit nuk ka lidhje me Kremenarin”,- thotë Islamaj duke e damkosur  në radhë të parë vetveten.  Ajo ishte dramë për Mallakastrën dhe gjithë Shqipërinë. Vetëvrasja e Mehmet Shehut qe vetëvrasje e një sistemi të tërë në të cilin ishte përfshirë edhe familja Pashaj. Ç’histori mund të jetë ajo që nuk përmend ngjarje të tilla tronditëse?  Apo mund të jetë ajo fletorja që iu ka humbur dhe autori nuk po e gjeni dot? Të vërtetat duhet thënë siç janë, por ai s’dëshiron t’i thotë se ato i  thyejnë “ kutin e tij ideologjik”  “Llullaja e kazanit”  që  përmendet me ironi në “pseudohistorinë e Kremenarit” është hollësi komediane e sfidës që i bëri Muhamet Hysenji Organizatës së Partisë. Ai nuk donte që të dorëzonte mullirin dhe arën sepse ishte kundër sistemit të dështuar socialist, edhe pse bijtë e tij u përfshinë me kontribute të shquara  për sistemin e kohës.  Muhameti e simuloj mullirin e tij, sikur të ish një kala e vogël, duke nxjerrë pajisje shtëpiake në penxhere, midis të tjerave edhe “llullanë e kazanit të rakisë”  e cila dukej si grykë topi për të trembur të ardhurit për të pushtuar me forcë atë pronë të tij. Kjo është një dëshmi që ironizohet  dhe po kështu nuk ndërmerr asnjë hap për të nxjerrë konkluzione që t’i ngelen historisë së vërtetë.  Sami Pashaj më 29 nëntor të këtij viti u bë nderi i Qytetit të Ballshit, kjo është pjesë e dëshmive historike të Kremenarit, që u bë me shumë vonesë, megjithatë edhe kjo tregon se kur është e arsyeshme bëhen dhe riparime të nevojshme, kur ato duhej të bëheshin kur ai ishte gjallë. Në “historinë” që ka latërzyer Islamaj  në mënyrë të turpshme ka vënë aq rreshta sa edhe vetes së tij. Njeriun e vuajtjeve të mëdha Selfo Pashaj, po kështu është krasitur sepse e “ka censuruar Partia”. Për t’u bërë  modern : “studiues me demek”, autori merret edhe me “Tipare të racës” dhe ashtu shtrovingthi, na paska nxjerrë se “Pashajt” kanë tipare ezmere dhe kjo lidhet me racën egjiptiane, që e kanë sjellë që nga Bashajt e Smokthinës!! Kjo është e pahijshme, jo se ne na ngacmon, për ndonjë farë racizmi, por trungu i madh i Hadajt është racë e bardhë tiparet e së cilës ruhen pastërtisht, deri në ditët tona.  Këto janë në radhë të parë janë padituri dhe po kështu sjell ndjenja raciste e përçmuese.   Në Kremenarin tonë thuhet shpesh: “Turp të turpërohi!”, por ju  “turpin, jeni mësuar ta hani me bukë…”. Siç po iu shohim, Islamaj ka  dalë me trastë në dorë për të shpërndarë libra. Ne marrim  guximin t’i themi,  që edhe pse tani, jemi të lirë të shkruajmë ç’të duam, malli që ai ka nxjerrë në shitje është më shumë përçarës, që na ndan,  se sa na bashkon. Farën e urrejtjes ai e hedh ashtu pak e nga pak, kokërr e nga një kokërr, në të gjithë atë “lëpushkë pa misër…”.  që ka kopjuar dhe e ka gatuar në çerepin e prishur të tij. Ne themi se flatorja që ai e kërkon do të ketë qenë më e mirë se sa ajo që sjell ky palo libër. Ngjan sikur të jetë mbledhur si të ishin letra anonime që në atë kohë shkruheshin, vinin deri në Tiranë,  në “Komitetin Qendror”. Këtë avaz po bëni sot e kësaj dite me pseudo-librin tuaj. Perëndia iu ruajt!