Hetohen dy administratorët e kompanisë, kontrabandë 1 mln euro nga një pikë lojërash fati

521
Prokuroria e Tiranës dhe sektori i Hetimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave kanë zbuluar një rast kontrabande, me dëm ndaj shtetit në vlerë mbi 1 milion euro, për të cilën janë marrë të pandehur shtetasit Gjovalin Ndoj dhe Paulin Preçi, administratorë të kompanisë së lojërave të fatit “Saturn Games”, të hetuar me masën e sigurimit “arrest në burg” në mungesë.
Prokuroria e Tiranës, Njësia Task-Force, ka nisur hetimin në bazë të disa materialeve referuese të D.P.Doganave, pas dyshimeve të krijuara se administratorët e kompanisë blinin pajisje “lojëra elektronike” në Gjermani dhe Slloveni, dhe i deklaronin pranë autoriteteve doganore me shifra shumë herë më të ulta blerjeje, me qëllim shmangien e taksave doganore.
Në bazë të veprimeve hetimore të Prokurorisë Tiranë rezulton se dy administratorët e kompanisë, në funksion të aktivitetit të tyre, gjatë vitit 2011 dhe 2012 kanë blerë një sasi të konsiderueshme makinerish për lojëra fati në kompani të ndryshme në Gjermani dhe Slloveni.
Në thuajse të gjitha rastet, këto blerje janë deklaruar dukshëm shumë herë më të vogla pranë autoriteteve shqiptare, krahasuar me faturat origjinale të blerjes, të cilat janë përftuar në bazë të letër-porosive të Prokurorisë Shqiptare, si edhe kërkesave për ndihmë zyrtate të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, drejtuar autoriteteve gjyqësore dhe doganore gjermane dhe sllovene.
Rezulton se shtetasi Paulin Preçi, në cilësinë e përfaqësuesit të “Saturn Games”, në vitin 2011 ka realizuar 7 hyrje malli në degën doganore Tiranë, të cilat, nga hetimi, rezulton se janë të gjitha të shoqëruara me dokumente blerjeje të fallsifikuara.
Po ashtu, rezulton se shtetasi Gjovalin Ndoj, në cilësinë e përfaqësuesit të “Saturn Games”, në vitin 2012, ka realizuar 10 hyrje malli në degën doganore Tiranë, të cilat, nga hetimi, rezulton se janë të gjitha të shoqëruara me dokumente blerjeje të fallsifikuara.
Në bazë të veprimeve hetimore, Prokuroria e Tiranës vlerëson se dëmi i shkaktuar shtetit shqiptar, nëpërmjet shmangies së detyrimeve doganore, nga ana e dy shtetasve të mësipër është rreth 15 milionë lekë të reja (rreth 1 milion euro).
Sigal