Heshtja shërbimi më i mirë ndaj krimit dhe burokratëve

158
Sigal

Flet Prof. Dr. Lush Susaj/ Vrasjet janë shtuar për shkak të mosndëshkimit dhe të favorizimit të krimit dhe të kriminelëve politikë, që lëvizin lirshëm pa u ndëshkuar. Egoja për pushtet e sundimtarët orientalë të Shqipërisë, dhe mos reagimi qytetarë po rrënon kombin, pasi demokracia është nën zhinxhirët e monizmit modern. Fenomeni Ahmetaj tregon se ku ka ngecur ora e zhvillimit dhe kulturimit të politikës shqiptare. Loja tipike sulltanore me koka turku, të cilat pritën dhe hidhen , po ja zgjat jetën këtij sundimi

  • -Vrasjet janë shtuar për shkak të mosndëshkimit dhe të favorizimit të krimit dhe të kriminelëve politikë e ordinerë, që lëvizin lirshëm e kurrë nuk u ndëshkuan sikurse e meritojnë.
  • – Ndodh për shkak të shkulturimit arsimor e qytetar të shoqërisë, e të rinisë në veçanti.
  • – Duket sikur po jetojmë në periudhën më të zezë të korrjes së frutave të asaj që është kultivuar në këto vite të zhbërjes.
  • – Janë shtuar vrasjet e grave dhe vajzave, sepse kemi ulur kokën dhe kemi heshtur përballë shkatërrimit të statusit real të gruas.
  • -Kostoja e heshtjes dhe mosreagimit është e do të jetë tepër e rëndë për shtetin dhe shoqërinë shqiptare.
  • -Heshtja është shërbimi më i mirë ndaj krimit dhe kriminelëve, ndaj burokratëve dhe kakistokratëve
  • – Nga heshtja idjote ndaj krimit dhe kriminalitetit, duket që do të vijë dita që e keqja dhe plumbat do të trokasin në derën dhe dritarën e lokalit dhe banesës së secilit.
  • – Egoizmi dhe ligësia e sundimtarëve orientalë të Shqipërisë, është mëse i mjaftueshëm për të rrënuar edhe shtete e kombe shumë më të mëdha.
  • – Fenomeni Ahmetaj, sikurse edhe më parë fenomenet Koka, Bllako, Tahiri, etj, tregojnë se sa ngadalë, e se ku ka ngecur ora e zhvillimit dhe kulturimit të politikës shqiptare.
  • – Është një lojë tipike sulltanore me koka turku, të cilat pritën dhe hidhen vetëm për të ja zgjatur jetën një sundimi kakistokratikë.
  • – Shërimi i Shqipërisë është demokracia, e jo forcimi dhe trashja e zinxhirëve të monizmit.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Sikurse dihet, vrasjet janë shtuar, madje janë bërë edhe më barbare për shkak të kriminalizimit dhe të debilizimit ekstrem të strukturave dhe të institucioneve të sigurisë. Nga heshtja idiote ndaj krimit dhe kriminalitetit, duket që do të vijë dita që e keqja dhe plumbat do të trokasin në derën dhe dritarën e lokalit dhe banesës së secilit, reagoni, sepse atëherë do të jetë shumë vonë. Ndaj politika ka arritur që të prodhojë vetëm pasiguri, konfliktualitet dhe qeverisje të dhunshme, të korruptuara e deri dhe kriminale. Disa prej këtyre problemeve dhe ato të zgjedhjeve lokale do të  përcjellim tek lexuesi nga biseda me Prof. Lush Susaj

  1. Problemet sociale në Shqipëri po shtohen. Madje kohët e fundit janë shtuar vrasjet! Pse janë shtuar fenomenet negative në Shqipëri?

Sikurse dihet, vrasjet janë shtuar, madje janë bërë edhe më barbare për shkak të kriminalizimit. dhe të debilizimit ekstrem të strukturave dhe të institucioneve të sigurisë. Kjo ka ndodhur për shkak të mosndëshkimit dhe të favorizimit të krimit dhe të kriminelëve politikë e ordinerë, që lëvizin lirshëm e kurrë nuk u ndëshkuan sikurse e meritojnë. Ndodh për shkak të shkulturimit arsimor e qytetar të shoqërisë, e të rinisë në veçanti. Duket sikur po jetojmë në periudhën më të zezë të korrjes së frutave të asaj që është kultivuar në këto vite të zhbërjes shtetërore e kulturore, e që shkrimtari ynë Ismail Kadare (Paris 1999), e quan “shkulturim” dhe “kapardisje”. Janë shtuar vrasjet dhe aktet e dhunës, sepse kemi ulur kokën dhe kemi heshtur kur u politizua dhe u kriminalizua policia dhe strukturat e tjera ligjëzbatuese. Janë shtuar vrasjet e grave dhe vajzave, sepse kemi ulur kokën dhe kemi heshtur përballë shkatërrimit të statusit real të gruas, duke e varfëruar deri në ekstrem gruan dhe familjen, që ajo drejton, e në pjesën dërrmuese të rasteve edhe duke e lënë pa siguri ekonomike, fizike e juridike përballë mashtruesve, dhunuesve e vrasësve serialë. Janë shtuar vrasjet sepse jemi popull i frikësuar e fatkeqësisht i nënshtruar. Mendoj që si popull, trimërisë dhe reagimit për zhvillim shoqëror e politik, akoma nuk ja njohim anën, produktin e as shijen. Prandajë kemi arritur që të prodhojmë vetëm pasiguri, konfliktualitet dhe qeverisje të dhunshme, të korruptuara e deri dhe kriminale. Gjithnjë me kujtohet thënia e Mahatma Gandit, e cila ka shkruar: “Vetëm atëherë kur populli nuk do të ketë më frikë nga dhuna, qeveria do ta braktisë dhunën si një send të pavlerë”. Kjo është ajo lidhja e njohur shkak pasojë, pasi ku mbillet frikë e pasiguri, prodhohet vetëm qeverisje e dhunshme e thellësishtë e korruptuar.

Martin Luther King ka shkruar, “Brezi ynë nuk do të ketë qarë aq shumë për krimet e të pabesëve, sa për heshtjen tronditëse të këtij lloji”. Kostoja e heshtjes dhe mosreagimit është e do të jetë tepër e rëndë për shtetin dhe shoqërinë shqiptare. Ndërsa është shërbimi më i mirë ndaj krimit dhe kriminelëve, ndaj burokratëve dhe kakistokratëve. Sikurse dihet, mbrëmë me datë 12 mars 2023, na është vrarë një tjetër simbol i jetës dhe mbijetesës tonë kombëtare, është vrarë një nënë që punonte me duar në ujë të ftohtë për të mbajtur familjen, madje është vrarë në sy të mbesës dhe të njerëzve, që ju shërbente kafenë dhe gotën e ujit. Mbrëmë është vrarë simboli real i qëndresës, gjuhës dhe vazhdimësisë shqiptare në këtë rajon të trazuar e të korruptuar. Për mua, mbi faqen e dheut të këtij kombi, ka vetëm një bust nderi e lavdie të merituar, e ai është busti i gruas së vrarë duke shërbyer e punuar, e ku çdo nënë e grua shqiptare e gjen veten. Ai është busti mbi të gjitha bustet, lavdia mbi të gjitha lavditë dhe sajesat e hipërbolizuara.

Kujtoj që në vargjet e njohura të poezisë së priftit luterian Martin Niemoller (1892-1984), fjalë për fjalë thuhet: “Në fillim ata erdhën për hebrenjtë, por unë zërin nuk e ngrita, sepse hebre nuk isha./ Më pas erdhën për komunistët, por prapë zërin nuk e ngrita, sepse komunist nuk isha./ Pastaj erdhën për sindikalistët, dhe prapë zërin s’e ngrita, sepse sindikalist nuk isha./ Në fund erdhën tek unë, por s’kish mbetur askush që të ngrinte zërin për mua.”. Nga heshtja idjote ndaj krimit dhe kriminalitetit, duket që do të vijë dita që e keqja dhe plumbat do të trokasin në derën dhe dritarën e lokalit dhe banesës së secilit, reagoni, sepse atëherë do të jetë shumë vonë. Unë mendoj se vrasjet mund të parandalohen dhe të shuhen me anë të kulturimit dhe reagimit trimëror për shkollën dhe dekriminalizimin e menjëhershëm të strukturave dhe institucioneve ligjzbatuese të republikës. Siguria është ai detyrim kushtetues që provon apo jo ekzistencën e republikës.

PD po futet e përçarë në zgjedhjet vendore pse? Çfarë do sjell në politikën shqiptare kjo përçarje? A e ndihmon direkt kjo përçarje PS?

PD po paguan shumë rëndë gafat dhe egoizmin e drejtuesve të saj në vite. Në filozofi thuhet që njeri i mirë është vetëm ai që arrin të mund egoizmin e tij. Filozofia është shkenca e shkencave, e si e tillë shpjegon më së miri edhe arsyet e përçarjes dhe kapardisjes së autorëve të kësaj situate, që sot në vend që të ulen, kapardisen e këndojnë si gjeli mbi grumbullin e plehut. Kujtoj faktin që në vitet 1990-1992, kohë kur hidheshin themelet e asaj që erdhi më pas, janë bërë shumë gafa, e ku më kryesorët mendoj se ishin dy. Së pari, shtresa kombëtare identitare dhe antikomuniste është përdorur vetëm si fasadë, duke mos patur kurrë asgjë në dorë, as në vendimarrje dhe as në përfaqësimin real të politikës dhe të institucioneve. Për pasojë, pavarësisht demagogjisë dhe kapardisjes së politikës orientale, Shqipëria nuk pati as demokraci, as gjithpërfshirje, as dekomunistizim dhe as dalje nga spiralja e njohur e dhunës dhe konfliktualitetit të llojit otomano-komunistë. Së dyti, që në ditët e para të pluralizmit, u duk shumë qartë vendosmëria e verbër e klaneve politike për të ecur të sigurtë në drejtim të një pluralizmi fiktiv, të kollandrisur dhe të urdhëruar nga lartë, e pa asnjë mundësi të konkurimit të vlerave, ideve e as projekteve shoqërore e politike. Që do të thotë se këneta e politikës orientale e Shqipërisë, nuk është qarkulluar asnjëherë, përkundrazi është trashur. Në këto kushte, pavarësisht nga sa propagandohet për konsum të brendshëm, asnjë politikan dhe intelektual me origjinë dhe formim të mirëfilltë euro atlantikë, nuk pati mundësi e as peshë në vendimarrjet politike e shtetërore të këtyre 32 vjetëve. Në këtë mënyrë, situata e këtyre 32 vjetëve në Shqipëri, nga njëra anë ka gëzuar pa masë armiqtë e Shqipërisë, e nga ana tjetër ka stresuar, mërzitur dhe dëbuar në emigracion patriotët, antikomunistët, socialistët, nacionalistët dhe intelektualët më të mirë të vendit.

Egoizmi dhe ligësia e sundimtarëve orientalë të Shqipërisë, është mëse i mjaftueshëm për të rrënuar edhe shtete e kombe shumë më të mëdha e më të vjetëra se sa Shqipëria. Në këto kushte, mendoj që situata është edhe më e frikshme nga sa duket. Kjo për shkak se, nga njëra anë egoizmit dhe kapardisjes së sektit të rilindjes nuk ja mbushin egon e as syrin që të gjitha pushtetet e kësaj bote, përkundrejtë faktit që pseudo politikanëve, të përkëdhelurve dhe përfaqësuesve të klaneve nepotike e abuziviste të asaj që duhet të ishte opozitë, nuk u bëhet vonë për dëbimin selektiv dhe vuajtjet e popullit opozitarë që i votoi, që i bëri ministra e deputet, që i ndoqi pas për vite me radhë, e që tani ua shpërblejnë duke u hakërruar e duke shqyer me njëri tjetrin për vulën, për siglën, e për çdo gjë tjetër, përveç idealit dhe misionit të opozitës. Përçarja e PD, për fatin e keq, vetëm do ta shtojë oreksin dhe mospërmbajtjen e rilindjes drejt pushtimit dhe dhunimit të çdo hapësire demokratike. Kjo do ta thellojë konfliktualitetin politik, por edhe përçarjen shtetërore e kombëtare. Ata që sot po i fryjnë dhe po i gëzohen diskreditimit dhe përçarjes së PD dhe opozitës në përgjithësi, verbërisht po i shërbejnë monizmit, e kjo llogari nuk besoj që mund të mbyllet me një falje publike, përkundrazi besoj që do të bëhët drejtësi e do të mbahet përgjegjësi kombëtare.

  • Fenomeni Ahmetaj në PS, çfarë po sjell? Arben Ahmetaj, u shkarkua nga posti i zv.kryeministrit pasi po përflitet për korrupsion . Si është e vërteta?

Së pari, dua të theksoj faktin që sipas mendimit tim, fenomeni Ahmetaj, sikurse edhe më parë fenomenet Koka, Bllako, Tahiri, etj, tregojnë se sa ngadalë, e se ku ka ngecur ora e zhvillimit dhe kulturimit të politikës shqiptare. Është një lojë tipike sulltanore me koka turku, të cilat pritën dhe hidhen vetëm për të ja zgjatur jetën një sundimi kakistokratikë, kriminalë e shkatërrimtarë për Shqipërinë. Unë e shof me shumë shqetësim kohën e ngecur apo të kthyer mbrapa në shekujt e vitet e mesjetës së ish perandorisë otomane. Ahmetaj dhe çdo ministër e zyrtarë që është bërë vegël, kollonë dhe pjesë e ngrehinës së një sistemi monistë, e sigurtë që ka grumbulluar pasuri haram dhe ka bërë dëm ndaj shtetit e shoqërisë. Në këtë mënyrë, e ka të sigurtë të ardhmen përpara drejtësisë, që sikurse dihet në Shqipëri vonon, por nuk harron. Fenomeni Ahmetaj është dëshmia më e mirë e mënyrës se si është qeverisja moniste e çdo krahu të politikës, kjo duhet të bëhet mësim, që shqiptarët të mos e ushqejnë kurrë monizmin.

Varfëria po rritet dhe emigrimi s’po ndalet? Pse?

Emigrimi mund të ndalet duke instaluar demokracinë në hapësirat tona politike, administrative, mediatike, arsimore e kulturore.

Shërimi i Shqipërisë është demokracia, e jo forcimi dhe trashja e zinxhirëve të monizmit. Demokratizimi sjell llogaridhënien dhe grisjen e fasadave të demagogjisë, e cila ushqen fiktivitetin dhe korrupsionin kapilarë. Demokratizimi sjell qarkullimin e mirëfilltë të elitave dhe projekteve, pikë së pari sjell tjetër mendësi në menaxhmentin politik e shtetëror. Demokratizimi sjell shërimin real të shkollës dhe të universiteteve në shërbim të rinisë shkollore e universitare. Në këtë mënyrë rinia motivohet që të mësojë, të punojë e të qëndrojë në Shqipërinë, që nga njëra anë Zoti i ka falë aq shumë pasuri, e nga ana tjetër i ka dhënë kaq shumë egoizëm dhe foshnjëri politike e shtetërore, sa nuk ka të krahasuar me asnjë vend e popull tjetër të Ballkanit dhe Europës.

Në sistemet moniste prodhohet vetëm varfëri, fyerje, pasiguri fizike, pasiguri ushqimore, pasiguri arsimore, kulturore dhe juridike. Në të tilla këto kushte, askush nuk ka dëshirë që të qëndrojë. Prandaj është koha që ti kontribuojmë demokracisë dhe sigurisë, e jo klaneve e strukturave konfliktuale e varfëruese të monizmit. Shqiptarët duhet të nxjerrin mësim nga historia e tyre jo e largët.