HEC-i i Bunecit u dëmton tokat, banorët denoncojnë në Prokurori

631
Sigal

Banorët e Lukovës:Na ka përmbytur qindra hektarë tokë, kërkojmë dëmshpërblim financiar

Kryepleqësia e fshatrave të Lukovës kanë dorëzuar padinë në Prokurori kundër pronarëve të HEC-it të Bunecit, me pretendimin se u janë përmbytur qindra hektar tokë me një faturë të konsiderueshme financiare nga dëmi i shkaktuar. Këtë e bëjnë të ditur për gazetën “Telegraf” kryepleqtë e fshatrave Piqeras dhe Sasaj, fshatra të bregdetit në komunën e Lukovës. Sipas tyre, “dëmi nga HEC-i konsiston në zhdukjen e qindra hektarëve tokë bujqësore si dhe ndotje të mjedisit ujor. HEC-i i Bunecit, ndërtuar para tre vjetësh në gjirin e Bunecit në vendin e quajtur plazhi i Lapardhasë, ku dikur në socializëm  qe blloku i agrumeve i destinuar vetëm për udhëheqjen e lartë, ka ngjallë problematika serioze mes banorët e fshatrave Piqeras dhe Sasaj. Shkak i drejtimit të ankesës në prokurorinë e Sarandës janë dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e digës së HEC-it e ndodhur në vendin e quajtur Hunda e Gjeraqinës në një lartësi rreth 500 metra mbi nivelin e detit, në një pjerrësi prej 30 gradë. Në momentin që energjia elektrike ndërpritet për një arsye apo një tjetër, automatikisht ndërpritet edhe puna e turbinave të HEC-it. Kjo ndërprerje shkakton tejmbushjen e digës dhe uji vërshon si ujëvarë sipërfaqes së bregut deri në buzën e detit, përkatësisht në gjirin e Bunecit. Mësohet se prurjet e shumta shpërthejnë si shkak i mungesës së shkarkuesit të digës nga ndërtuesit. Ato vërshojnë duke shkaktuar erozion në sipërfaqen e shkurreve, përmbytje të rrugës automobilistike dhe tokave bujqësore të gjirit të Bunecit. “Jemi si në ishull, kur ujërat e digës vërshojnë fuqishëm. Është një tmerr i vërtetë. Izolohemi komplet nga ujërat e shumta që përmbytin gjithccka dhe mbushin me drurë e inerte edhe shtratin e lumit të Bunecit. Duhen ditë që të rikthehet situata në gjendjen e mëparshme, në qoftë se nuk do të përsëritet shkarkimi. Kudo kemi shkuar, kudo jemi ankuar, por askush nuk na ka dëgjuar”- pohon Petraq Xhani, banorë i zonës.

Më herët, ndërtimi i këtij HEC- nisi me peripeci dhe protesta të banorëve. I planifikuar për tu ndërtuar në territorin e fshatit Lukovë, nuk u lejua nga banorët e këtij fshati. Pas negociatave të shumta, pasi nuk mundën të bindin banorët lukoviotë, HEC-i u shpërngul 500 metra në perëndim në territoret e Piqerasit. Banorët thonë se nuk ka pasur transparencë se kush ka firmosur për ndërtimin e tij në territoret e fshatit, pasi shkeljet e rregullave të sigurimit teknik, kanë sjellë këtë situate alarmante për banorët dhe fermerët e Bunecit. Tani fjalën e ka drejtësia.