Hava Arapi, delegatja e parë e Bashkimit të Gruas Antifashiste Shqiptare në Skrapar

2361
Sigal

BERAT/ Hava Arapi tregon për “Telegraf” një nga ngjarjet politike me rendësi në prag të çlirimit të plot të vendit 

Një nga ngjarjet politike me rendësi në prag të çlirimit të plot të vendit ishte thirrja e Kongresit të Parë të Bashkimit të Gruas Antifashiste Nacionale Çlirimtare të Shqipërisë që u mblodh në qytetin muze të Beratit, më datën 4 Nëntor 1944, ku morën pjesë 311 delegate. Një ndër këto delegate ishte dhe Hava Arapi nga Skrapari. Këto delegate përfaqësonin grat antifashiste të të gjithë krahinave të vendit si të ushtrisë Nacional- Çlirimtare si dhe nga zonat e çliruara dhe të pa çliruara të Shqipërisë së mesme dhe asaj të veriut. Sipas tregimit të Havas mësohet se gratë dhe vajzat delegate në kongres kaluan plot rreziqe dhe vështirësi për të mbërritur deri aty. Ato udhëtuan me ditë të tëra në këmbë, në terren tepër të vështirë atmosferik për të mbërritur me çdo kusht në kongresin historik të tyre. Qyteti i Beratit ishte zbukuruar si në festë dhe salla, ku do të zhvillonte punimet kongresi i gruas ishte kinemaja e vjetër, e cila kishte marrë një pamje të vërtet për të pritur delegatët.

Rrëfimi

Hava Arapi  tregon: “Isha vetëm 18 vjeçe dhe duke mos përfillur mentalitetin e kohës vazhdova aktivitetin tim gjatë luftës e sa bashku me shoqet u nisëm për të ardhur në Berat, ku më 4 Nëntor 1944 do të mbahej kongresi i parë BGASH. U nisa nga fshati Therepel, rrethit Skrapar së bashku me një shoqen time Refije Çuedari. Ne të dyja na kanë shoqëruar pjesëtarët e familjes me mushkë. Nga Therepeli shkuam në Qafë – Shkozës. Më pas pushuam në fshatin Ujë i zi dhe më pas u nisëm në drejtim të fshatit Paraspuar, në Tërpan, në Drobonik në fshatin Bilç, ku kemi fjetur një natë. Më datë 30 tetor 1944 hymë në Berat dhe unë shkova në familjen e Ali Mehqemes, një familje e lidhur me luftën Nacional- Çlirimtare. Në këtë familje më pritën shumë mirë dhe vajzat e shtëpisë Erveheja (rrobaqepëse) më qepi një kostum, pasi unë kisha ardhur e veshur si vajzë fshati. Ajo më hoqi rrobat e leshta dhe me veshi me një kostum shumë të bukur. Më pas më rregulluan dhe flokët. Pasi mi prenë më thanë si dukesh tani që të veshëm dhe të premë dhe flokët. Unë ju përgjigja”shumë e bukur dhe elegante”, tha Havaja. Është për tu theksuar se të gjitha familjet beratase hapën dyert për delegatët dhe i ndihmuan ato si me veshmbathje, ushqime dhe i strehuan, pasi Berati në ato vite nuk kishte shumë hotele.

Puna si korriere

Në kujtimet e saj Havaja 87-vjeçe tregon me dhimbje të madhe: “Unë isha korriere e zonës së Skraparit dhe gjermanët në bashkëpunim me ballistët e zonës më gjurmonin. Në momentin që unë u nisa me një mision na diktuan gjermanet dhe ballistët. Ata na rrethuan. Me vete kishim një letër që do ta çonim në Brigadën e 7 sulmuese. Ajo letër ishte me shumë rëndësi. Në momentin që ne gjermanët na rrethuan në një përrua të madh unë së bashku me shoqen time Meto Zylyftari e ndamë letrën në disa pjesë dhe më pas e hëngrëm për të mos rënë në dorë të gjermanëve dhe ballistëve në rast se ata do të na kapini. Ne më shpejtësi e çamë rrethimin duke u futur në një pjesë të përroit, atje ku nuk u vinte mëndja dhe me shpejtësi u larguam. Gjermanet mbanin rrethimin e përroit, por pas një orë ata arritën të kuptonin se ne kishim çarë rrethimin dhe ishim larguar. Në momentin që unë së bashku me shoqet e mijë do të shkonim në kongresin e gruas 60 ballistë më morën në shtëpi dhe më rrahën barbarisht për të mos ardhur si delegate në kongres të gruas. Plagët e rënda që mora në trup mi mjekoi nëna me ilaçe popullore dhe unë ashtu e plagosur u nisa për në kongres. Më 2 nëntor jemi takuar të gjitha delegatet e ardhura nga e gjithë Shqipëria dhe u shpërndamë në familjet beratase që kishin hapur dyert për të mirëpritur me shumë dashuri grat delegate të kongresit. Berati ishte çliruar dhe ishte formuar më 22 tetor Qeveria Demokratike. Kongresi vazhdoi 3 ditë. Atë e hapi Gjena Toromani përfaqësuese e Beratit dhe gjatë ditëve të punimeve përshëndetën shumë gra intelektuale si: Nexhmije Xhuglini, Ollga Plumbi, gra që vinin nga radhët e ushtrisë nga zjarri luftës partizane, gra nga krahinat e ndryshme. Në kongres u miratuan vendime shumë të rëndësishme për emancipimin e gruas shqiptare për vendin dhe rolin e saj në familje e shoqëri. Pas kongresit ne u kthyem në krahinat tona e vazhduam punën për më shumë angazhime të grave e vajzave e për të drejtat tona në luftë me mentalitetin e kohës”, tha nënë Havaja për “Telegraf”.

KUSH ISHTE HAVA ARAPI

Hava Arapi u lind në 20 korrik 1926 në fshatin Maricaj- Therepel në një familje me tradita patriotike dhe u martua me Xhavahir Spatharën. Kjo familje ishte e lidhur shumë ngushtë me luftën. I shoqi Xhevahir Spathara një patriot i shquar, bashkë luftëtarë i heronjve të popullit Riza Cerova, Zylyftar Veleshja, Karaman Ylli. Ai ishte pjesëtar në revolucionin e 1924, pjesëmarrës i lëvizjes së Fierit dhe atentatori i gjeneral Gjilardit (gusht 1935) e për këtë akt u dënua me pushkatim nga qeveria e Zogut në mungesë pasi ishte në arrati jashtë vendit. Me rënien e Zogut ai u kthye në atdhe dhe më pas u bë komandanti batalionit në brigadën X sulmuese. Pra nuk ishte rastësi që Havaja u bë një veprimtare e kontribuuese në LANÇL dhe partizane në brigadën e X sulmuese. Ajo është kryetare e gruas në zonën e Skraparit.