Hapen portat e rezervuarit të Manskurisë, përmbyten disa zona në Kavajë e Durrës

543
Sigal

SITUATË E PARALAJMËRUAR/ Uji i detit është bërë njësh me ujin që mbuloi krejt Golemin dhe Malin e Robit

Reshjet e tejzgjatura të shiut në Durrës dhe zonat fqinje të Kavajës përreth kanë pasur një përmbytje masive të shumë lagjeve, por edhe të terreneve bujqësore duke shkaktuar pasoja si në jetën e njerëzve, të cilët janë përmbytur ritmikisht sa herë ka pasur reshje të shpeshta, por edhe në nivelin e jetesës pasi përmbytja e sipërfaqeve të mbjella sjell varfërimin e tyre ekonomik. Në kufirin ndarës të rrethit të Durrësit dhe atij të Kavajës, në një territor që shtrihet në Komunën e Golemit, banorët e fushës dhe të zonës së bregdetit të kësaj komune, kanë përjetuar një situatë dramatike përmbytjeje.

Rezervuari

Pas orëve të gjata me reshje, rezervuari i Manskurisë, i ndërtuar në vitin 1973, i cili është nga me të mëdhenjtë në zonë me një kapacitet prej 5 milionë m3 ujë, është tejmbushur dhe si rezultat janë hapur kanalet e shkarkimit të tija për të mbajtur situatën nën kontroll. Lëshimi i ujërave me vrull drejt zonave të pjerrëta është shoqëruar me përmbytje pasi edhe kanalet e zonës ka vite që nuk pastrohen dhe janë thuajse tërësisht të bllokuara. Ujërat në këtë situatë kanë dalë nga kontrolli dhe janë shpërndarë në mënyrë kaotike në zona të ndryshme duke përmbytur toka dhe banesa të tëra brenda zonës së sipërme të hekurudhës dhe duke qenë se traseja hekurudhore ka shërbyer për pak kohë si një digë e improvizuar atje është rritur ndjeshëm niveli i ujit, i cili më pas ka gjetur shteg dalje në nënkalesat dhe urat e hekurudhës. Duke qenë ujëra të shumta ata janë derdhur në të gjithë territorin e plazhit duke filluar që nga Mali i Robit deri në afërsi të Shkëmbit të Kavajës. Përmbytja në banesa ka filluar sipas telefonatave të banorëve, që prej orës 19:00 të natës së shkuar dhe sipas tyre lartësia e ujërave në brendësi të dhomave të tyre ka arritur deri në 1 metër lartësi. Ata janë tepër të shqetësuar dhe e cilësojnë situatën shumë kritike për faktin se deri tani nuk është marrë asnjë masë. Banorët kanë deklaruar se një natë më parë janë hapur portat e rezervuarit të Manskurisë, e për pasojë uji ka përmbytur banesat e tyre.  Ndërkaq ata thonë se kanalet kulluese janë tërësisht të papastruar e të bllokuar.

Banorët kërkojnë ndihmë

Banorët kanë thënë se të përballur me këtë gjendje alarmante ata u kanë kërkuar ndihmë Komunës së Golemit, zjarrfikëseve, policisë, por drejt tyre nuk ka shkuar asnjë ndihmë. “Për vetë përmasat e përmbytjes është e natyrshme që një komunë nuk ka kapacitete e duhura për tu dhëne ndihmë të gjithëve dhe kjo kërkon që të ndërhyhet nga shteti”, kanë thënë disa të banorë, sepse situata është e njëjtë si në Shkodër, ku fajtor për përmbytjet ishte vetë shteti. Ata thanë se duke qenë se situata është analoge shteti jo vetëm që duhet t’i ndihmojë, por edhe t’i dëmshpërblejë, pasi duke qenë se rezervuari shfrytëzohet edhe si Ujësjellës, ai nuk është boshatisur me parë dhe nga shirat e rëna uji ka kapërcyer nivelet e lejuara të tija. Disa banorë të tjerë kanë thënë se brenda banesave të tyre ka hyrë tashmë jo vetëm uji i shiut, por edhe ujërat e zeza, duke sjellë një situatë të rëndë.

Biznesi nën ujë

Dëmet e mëdha janë konstatuar edhe në zonën e rërës, ku janë me qindra biznese. Si banesat e ulëta të plazhit të Golemit ashtu edhe katete e para të lokaleve janë përmbytur thuajse në të gjithë zonën. Përveçse ata deri në orët e vona të pasdites ndodheshin nën pushtetin e ujërave të ndotura, dëmet sipas tyre janë të mëdha madje mund të jenë shumë milionëshe, pasi të llogariten kur të dilet nga situata e emergjencës. Sipas banorëve, të cilët ritheksojnë se një natë më parë janë hapur portat e rezervuarit të Manskurisë, pa i paralajmëruar, gjë që duhej ta kishin bërë për vetë faktin se ata e dinë mirë se si është gjendja e kanaleve në këtë zonë, e për pasojë uji u ka përmbytur banesat. Ata thonë se kanalet kulluese janë tërësisht të papastruar e të bllokuar, e për pasojë në banesat e tyre ka hyrë jo vetëm uji i shiut, por edhe ujërat e zeza. Një menaxhere biznesi në zonën e Malit të Robit, thotë se në orët e mbrëmjes pa frikë ka qenë deri në 60 cm lartësia e ujit, sepse i ka kaluar dy shkallë shtëpie dhe ka vërshuar brenda nëpër katet e para. Këto komplekset e vilave njëkatëshe janë të gjitha nën ujë dhe ura e Golemit mbrëmë ka qenë e bllokuar totalisht nga ora 22:30 e mbrëmjes. Ajo shpjegon se uji ka ardhur krejt nga kodrat e Golemit dhe është mbledhur në zonën bregdetare, ku edhe lartësia mbidetare është zero. Kështu në këtë zonë uji i detit është bërë njësh me ujin që mbuloi krejt Golemin dhe Malin e Robit.

Lagjet e bllokuara

Edhe në qytetin e Durrësit nga reshjet e shirave, të cilat kanë rënë gjatë gjithë ditë-natës të së hënës dhe kanë vazhduar edhe ditën e martë, problematike vazhdon të jetë situata edhe në disa lagje të qytetit të Durrësit, ku në lagjen Numër 9, Nr.17 e Nr.18 në periferi të Durrësit rrugët janë të bllokuara prej ujit, për shkak të mosfunksionimit të kanaleve kulluese. Dhe ka shumë banesa që janë nën ujë për shkak të shirave dhe bllokimit të kanaleve.

Rrëshqitjet e dheut

Situata me shira në Durrës është reflektuar edhe në zona të tjera të Qarkut. Nuk kanë qenë të rrezikuara vetëm zonat fushore nga përmbytjet, por edhe zonat kodrinore nga rrëshqitjet e dherave. Një fenomen i tille është konstatuar edhe në fshatin Gjepalaj, ku ka pasur një sektor, ku ka rrëshqitur dheu. Nga rrëshqitja rrezikoheshin 3 banesa dhe për këtë është ndërhyrë me urgjencë për të transferuar dhe sistemuar banorët që banonin në to.