Librazhd, 50 për qind e mësuesve, pa arsimin përkatës

1565
Sigal

Në arsim emërohen ish-policë komunash, persona me shkollë të mesme dhe të afërm të politikanëve të rrethit (PD)

Skandalet e Zyrës Arsimore me emërimet e mësuesve të rinj nuk kanë të sosur. Vetëm në një sondazh të kryer në disa prej shkollave 9-vjeçare të disa prej komunave rezulton se shkollat janë ngopur me mësues të paaftë dhe pa shkollë.

Emërimet

Vetëm në Përrenjas, Qukës, Skroskë, Pishkash, Rrajcë, Stravaj dhe disa shkolla të tjerë kanë filluar punë mësues që janë me arsim të mesëm bujqësore ose gjimnaz, ku një pjesë prej tyre kanë filluar vitin e parë me Part-Time. Në Rrajcë është emëruar një mësues më bujqësore (natën) dhe ish-polic në Komunën e Rrajcës (M.Z.), në Stravaj një mësues ka mbaruar për italisht, jep anglisht në fshatin Pojanik, po në këtë fshat një tjetër mësues i është djegur diploma prej tre vjetësh dhe jep mësim përsëri. Po kështu në Përrenjas, një mësuese ka marrë lejen e lindjes dhe në vendin e saj është një tjetër pa arsim dhe pagesën e merr vetë mësuesja me leje lindjeje, në Pishkash ka filluar mësim nusja e një prej nipërve të një politikani. Një mësuese e martuar në Pogradec jep mësim në Stravaj edukatore dhe jashtë profilit, në Spatharë ka mësues pa diploma etj., etj..

Lidhjet me drejtuesit

Njerëz të lidhur me inspektorët e Zyrës Arsimore ose ndoshta dhe mbas ndonjë ryshfeti, ku shifrat mundet të jenë tronditëse. Aty ka mësues që nuk dinë të shkruajnë. Por kush ka bërë ndonjë sondazh në këto shkolla? Asnjë. Në Librazhd janë hequr nga puna mësues me diploma dhe me një eksperiencë pune prej 30 vjetësh. Arsimi në Librazhd po hyn në vitin e katërt të tij që po bëhet gangrenë e komunitetit, nxënësve dhe e paaftësisë dhe pjesë e kalkulimeve personale të drejtuesve të Zyrës Arsimore. Pa aftësia e mësuesve në shkolla, emërimeve klienteliste dhe pa zbatuar kriteret e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Nëse bëhet ndonjë inspektim nga specialistët e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës do të ndeshen me mësues të ndryshëm që po t’i futesh në testim mbesin në klasë dhe nxënësit do të vlerësohen pozitivisht. Çdo ditë hapen vende pune  që askush nuk i merr vesh se si hapen dhe si gjenden fondet. Mësues pa asnjë lloj përvoje japin mësim në shkollat 9-vjeçare në qytet dhe në fshatra, ku tek këta të fundit është dramatike, ku një pjesë japin lëndë plotësuese, por edhe definitive.

Vendimet e MASH

Vendimet dhe udhëzimet e MASH janë tepër të qarta, ku për shkollat 9-vjeçare mësuesit duhet të jenë me Master Profesional dhe me Master Shkencor në shkollat e mesme. Ka me qindra student që kanë mbaruar masterat prej vitesh, por nuk kanë mundur ta prekin shkumësin me dorë për shkak të politikave emëruese nga Zyra Arsimore e Librazhdit. MASH e ka përcaktuar qartë se çfarë kushtesh duhet të plotësosh për të filluar punë. Madje ka edhe të reja dhe metoda shumë të sofistikuara siç ka bërë inspektori Bedri Kaza, dikur përgjegjës i ZA, Librazhd, ku mundet të jesh me kontratë të rregullt dhe pas një viti të del emir si provizore e më pas pa punë, siç ka bërë më një prej mësueseve të shkollës 9-vjeçare “Genc Leka”.

Pedagogët: Studentët e Librazhdit me nivel të dobët

Prindërit dhe nxënësit i luten Zotit që në përzgjedhjet që do të mbahen për vendosjen e drejtuesit të ri të Zyrës Arsimore në Librazhd të vendosen pikën mbi “i” dhe për arsimin të zbatohen kriteret e qarta të vendosura nga MASH. Pedagogët e Universitetit të Elbasanit shprehen gjithmonë për rezultate të dobëta të studentëve nga Librazhdi, pasi sipas tyre nuk arsimohen në cilësinë e duhur për shkak të  mësimdhënies së dobët të mësuesve që nuk fituar vendin e punë me anë të lidhjeve klienteliste.