Detaje të reja dalin nga ngjarja e rëndë që ka ndodhur në Kukës, ku një person është sulmuar nga ariu. Mësohet se emri i personit të plagosur është Akrem Onuzi.
Një banor i zonës, në një lidhje telefonike për “Report Tv”, tha se prej tre orësh kanë kërkuar një helikopter pasi është e pamundur që të ndërhyhet me këmbë për shkak të terrenit të vështirë.
“I plagosuri është Akrem Onuzi. Ka qënë me dhentë, i sulmuan qentë arushën dhe më pas ajo i është sulur atij. Gjendja është katastrofë. I kanë shkuar persona të fshatit atje për ta ndihmuar. Kemi tre orë që kemi njoftuar. Është e pamundur që të transportohet në rrugë tokësore. Duhet katër orë që të shkojnë atje,”-tha banori.
Policia Kukës/ Informacion paraprak:
Jemi njoftuar në sallën operative se në vendin e quajtur Sasat, mali i Gjallices, shtetasi E.O., rreth 45 vjeç, banues në fshatin Nangë, duke kullotur bagëtitë është sulmuar nga një Ari, duke i shkaktuar plagë në kokë, shpatull dhe në këmbë.
Policia është nisur drejt vendit të ngjarjes.
Nga Tirana është nisur dhe helikopteri në ndihmë, për shkak të terrenit të vështirë malor.