Hakerat nxjerrin e-mailet e SHISH/ Si u zhdukën letrat e ‘papërshtatshmërisë’?

123

Si u zhdukën letrat e ‘papërshtatshmërisë’ nga organet e vettingut, të dhënat kompromentuese dhe gradimi në nivelet më të larta falë lidhjeve si militant i partisë.

Sigal

 

Komisioni kërkon të krijojë bindjen e brendshme nëse subjekti i rivlerësimit, ka lidhje me kontakte të papërshtatshme. Faktet tregojnë se 3 personazhe që ju nënshtruan vetingut për lidhjet me persona të papërshtatshëm, 2 u shkarkuan edhe pse ishin në raste të diskutueshme dhe i treti që kishte një malë me të dhëna kompromentuese, lidhje të huaja, gjeneralë dhe persona të papërshtatshëm u gradua në nivelet më të larta si militant i partisë…

Organet e Vettingut shprehin shqetësimin se po marrin vendime për gjyqtarë e prokurorë pa u njohur me informacionet e plota që kanë shërbyer për hartimin e raporteve që sjell DSIK-ja. Pas hakerimit të e-maileve të ish-shefit të SHISH, Helidon Bendo është publikuar edhe një letër që KPK-ja i ka dërguar atij dhe kryeministrit Edi Rama, ku kërkon zgjidhjen e këtij ngërçi. “Meqenëse Kushtetuta shprehet për kalimin e barrës së provës tek subjekti i rivlerësimit, është e domosdoshme që Komisioni të disponojë/ administrojë dokumentet që provojnë apo bindin atë për lidhje të mundshme të subjektit të rivlerësimit me kontakte të papërshtatshme. Komisioni duhet të krijojë bindjen e brendshme nëse është apo jo, subjekti i rivlerësimit, i përfshirë në veprime korruptive apo ka lidhje me kontakte të papërshtatshme”, -thuhet në letrën e firmosur nga kryetarja e KPK-së, Genta Tafa. Në letër përmendet edhe rasti i shkarkimit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, i cili nga sa kuptohet edhe nga konteksti i letrës, është shkarkuar pa prova se ka kontakte të papërshtatshme. “…nëse u referohemi tre rasteve të ndryshme, çështja Selimi, Toska dhe Broci, raportet nga DSIK kanë ardhur të ndryshme, bindja e komisionit është disi e ndryshme nga konkluzionet e nxjerra nga raportet. A mundet Komisioni të veprojë në padijeni totale të informacionit, që ka shërbyer për përgatitjen e këtij raporti? A mundet komisioni t’i kalojë barrën e provës subjektit të rivlerësimit për një konkluzion, të cilin as ai vetë nuk ka mundur ta vlerësojë dhe të krijojë bindjen e brendshme mbi këtë çështje? Një vendim i tillë do të ishte lehtësisht i kontestueshëm nga çdo gjykatë më e lartë dhe do të binte ndesh me parimin e një procesi të rregullt ligjor”. Genta Tafa i kërkon Ramës dhe Bendos të ndërhyjnë për zgjidhjen e këtij ngërçi duke premtuar se informacionet sekrete do të ruhen si të tilla gjatë seancave e subjektet e Vettingut. “Lutemi të merrni në konsideratë kërkesën tonë të vazhdueshme, që shërbimet inteligjente të mundësojnë dhënien e informacioneve sekretë që ata disponojnë, me garancinë e plotë të ruajtjes së sekretit nga ana jonë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mendon se suksesi i këtij procesi duhet të jetë i lidhur me bashkëpunimin nga të gjitha organet shtetërore, të cilat duhet të na vënë në dispozicion informacionet që ato disponojnë, pa dyzime apo kufizime”.

Por si u zhdukën letrat e ‘papërshtatshmërisë’?

Ajo çfarë vlen të theksohet është se një person që është subjekt i rivlerësimit ka të drejtë të marrë informacionet nga strukturat vlerësuese përsa i përket një materiali, i cili e klasifikon atë si të papërshtatshëm. Në këtë rast subjekti duhet të njihet me informacionet që posedohen kundër tij dhe të ballafaqohet me to. Por në këtë rast duke qenë se kemi të bëjmë me një rast të stisur, këto dokumente nuk ekzistojnë. Kjo ngre dyshime të forta për sistemin e ri të drejtësisë, që po ngrihet në vend dhe të gjithë vendimet që janë marrë nga trupat gjykuese. Rasti i shkarkimit të gjyqtarëve është flagrant se si Reforma në Drejtësi është bërë për t’i shërbyer vetëm disa personave dhe po përdoret edhe nga partia në Pushtet.