Si drejtësia ‘lau duart’ me aferën e inceneratorëve, arratisja e administratorëve, emailet sekrete dhe fatura miliona euro në kurriz të shqiptarëve

127
Sigal

Sot, ka plehra, por nuk ka inceneratorë. Ja si janë  keqpërdorur me dashje fondet me qëllim vjedhjen dhe pasurimin e zyrtarëve nga veprimet korruptive.

“Në pranga kanë rënë deri më tani 5 persona, ndërsa 6 prej administratorëve të aferës janë arratisur jashtë vendit, thuhet: pasi i’u la mjaftueshëm kohë për t’u larguar nga vendi”

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të mërkurën se kishte avancuar hetimet për inceneratorin e Fierit dhe kishte siguruar 11 masa arresti nga Gjykata e Posaçme. Nga hetimi, sipas njoftimit të SPAK, ka rezultuar se nga kreditimi i TVSH-së, bërë nëpërmjet faturimeve fiktive, i është shkaktuar dëm ekonomik buxhetit të shtetit 4 mln euro për punë të pakryera dhe manipulime raportesh.

Në pranga kanë rënë deri më tani 5 persona, ndërsa 6 prej tyre janë në kërkim. Është konfirmuar që 5 prej tyre tashmë në kërkim ndodhen jashtë territorit shqiptar. Përkatësisht këto persona kanë kryer rolin e administratorit me të cilat koncensionari ka kryer blerje fiktive në shërbim të kokave të aferës. Mbase po shijojnë milionat në arrati larg përgjegjësisë.

“Prokuroria e Posaçme ka gjetur prova të reja për skandalin e incineratorëve. Në dosjen që flet për episodin e Elbasanit, të dorëzuar në gjykatë, thuhet se janë gjetur emaile dhe komunikime direkte me bosët e incineratorëve, madje dhe private”

Ajo që ngre pikëpyetje në lidhje me arrestimet e kryera është vonesa e reagimit, pasi ndonëse flitet për sinjale arratisje të administratorëve, nuk u morën masat e duhura. Edhe në rastin e , Mirel Mërtirit që u shpall si person që duhet të arrestohet pasi i’u la mjaftueshëm kohë për t’u larguar nga vendi. Ndërsa nga ana tjetër shteti shqiptar vijon të mbajë me para duke furnizuar me shuma të majme llogaritë bankare të personave, që drejtësia shqiptare i ka shpallur në kërkim si Gugalla, Zoto dhe Mërtiri, ku pas tyre mendohet se janë të implikuar  zyrtarë të qeverisë.

Një pjesë e këtyre urdhërave ishin përsëritje të arrestimeve të mëparshme, sidomos në rastin e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputetit socialist, Alqi Bllako.

Kompania koncesionare “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” u pagua deri më 30 qershor 2022 në shumën 4.2 miliardë lekë [rreth 35 milionë euro], ndërsa një pjesë e këtyre pagesave u kryen mbi bazën e situacioneve të punimeve të falsifikuara.

SPAK njoftoi se hetimet e reja kanë zbuluar se Ministria e Mjedisit dhe ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë pranuan fatura fiktive dhe vazhduan të paguanin qindramijëra euro për punë të pakryera, edhe pasi inceneratori i Fierit u sekuestrua dhe administratorët e kompanisë koncesionare dhe zyrtarë publikë ishin vënë nën akuzë për korrupsion dhe pastrim parash.

Skema e abuzimit me kontratat koncensionare PPP të tre inceneratorëve do të mbahet mend si një precedent i pazakontë i shpërdorimit të fondeve publike, nëpërmjet thyerjes të të gjitha ligjeve, parimeve dhe rregullave me përfshirje të gjerë të zyrtarëve të lartë publik të të gjitha niveleve. Koncesioni u dha pёr njё periudhё 30 vjeçare. Lloji i financimit është i formës “pay për use” ose pagesa e një tarife fikse për çdo ton mbetjesh të depozituara.

Sakaq dhjetëra persona janë në hetim për dosjen e koncesionit të inceneratorëve e mbushur plot me abuzime sipas hetimeve të SPAK. ish ministri i Mjedisit Lefter Koka tashmë është në burg dhe dhjetëra persona të lidhur me inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit janë në hetim dhe për shumë prej tyre është lëshuar masa e arrestit me burg.

“Sallatë akuzash” / Hetimi i SPAK konfirmon faktin se qeveria vijon të paguajë për punë të pakryera në inceneratorin e Fierit, bazuar në dokumente të falsifikuara dhe fiktive, por rrethi i përgjegjësisë mbyllet te të njëjtët të akuzuar.”

1-Bogdani: “Largimi i administratorëve të inceneratorëve nuk është rastësi”

Gazetarja e BIRN, Sandra Bogdani ka hedhur dritë mbi prapaskenat e arrestimeve të SPAK, lidhur me aferën e inceneratorëve. Ajo është shprehur se nuk është e rastësishme që grupi i njerëzve që kanë administruar inceneratorët, janë arratisur. Bogdani shprehet se SPAK i ka larë duart me këtë çështje me një deklaratë, që sipas saj më tepër është një “sallatë akuzash” të reja e të vjetra. Gazetarja thotë se ky është një tjetër dështim i drejtësisë shqiptare.

“Nuk është rastësi, praktikisht gjithë grupi i njerëzve që e kanë administruar kanë marrë arratinë. Administratorët e dorës së dytë i kemi parë në komisionin hetimor. Dukej qartë që rrethi do shkonte deri te këta njerëz që kanë paguar miliona euro fatura nga paratë e shqiptarëve. Ka më shumë se 2 vjet që njerëzit kërkojnë përgjigje nga SPAK për këtë çështje, pse kaq vonë. Ka pasur denoncime e shkrime nga mediat, pra u është dhënë mundësia atyre që janë të përfshirë. SPAK lan duart me një deklaratë për shtyp me një sallatë akuzash të vjetra e të reja në lidhje me një çështje kaq të madhe. Askush nuk hap telefonat për t’u sqaruar me publikun. Ky është një dështim tjetër i drejtësisë shqiptare, ata duhet të ishin pas hekurave për të treguar kush fshihet pas inceneratorëve. Kjo është historia më absurde në lidhje me pandëshkueshmërinë”, -tha ajo.

2- Emailet e ministrisë i dërgoheshin Mërtirit dhe Zotos

Prokuroria e Posaçme ka gjetur në kompjuterin e ish deputetit socialist Alqi Bllako e-maile dhe komunikime direkte mes tij dhe pronarëve të kompanive të inceneratorëve.

Ky fakt evidentohet në dosjen e SPAK të dorëzuar në gjykatë për inceneratorin e Elbasanit, ku nën akuzë është vendosur edhe ish i zgjedhuri socialist i akuzuar deri tani vetëm për inceneratorin e Fierit.

Bllako dhe avokati i tij mbrojtës janë njohur me materialet që Prokuroria e Posaçme ka në adresë të tij, sa i takon përfshirjes edhe në inceneratorin e Elbasanit. Për hetuesit është konsideruar prove, për ngritjen e akuzës e-mailet në postën e tij private.

Emailet të cilat konsiderohen komprometuese janë nga adresa e tij private dhe kanë të bëjnë me procedurat e ndjekura për koncesionin e djegësit të Elbasanit.

Sipas informacioneve të gjetura në kompjuterin e Bllakos, pas arrestimit të tij rezulton se ai ka komunikuar me një prej pronarëve të kompanisë që kishte fituar tenderin për ndërtimin e inceneratorit Mirel Mërtiri, i cili deri në këtë moment nuk kishte dalë vetë në skenë, por kishte përdorur bashkëjetuesen e tij Stela Gugallja.

Gazetarja Klodiana Lala ka konfirmuar se janë zbuluar disa dhjetëra e-maile dhe komunikimi të ish deputetit socialist Alqi Bllakos njerëzit e inceneratorëve Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.“Janë disa e-maile të shkëmbyera mes Alqi Bllakos dhe Mirel Mërtirit që janë konsideruar si prova nga SPAK për të çuar nën akuzë ish-deputetin”, -ka thënë Lala. Komunikimet nuk kanë lidhje vetëm me inceneratorët, por Alqi Bllako flet dhe për aktivitete private të kompanive të Mërtirit dhe Zotos.

“A pa harrohet roli i Ahmetaj: Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk ka analizë kosto-përfitim: Moskryerja e një veprimi të tillë, tregon se Ministria e Financave dhe ministri Ahmetaj nuk kanë operuar konform ligjit dhe VKM 575/2013, duke u dakortësuar me procedurën jo të ligjshme, të propozuar nga Ministri Koka.”

3-Dosja e abuzimit vetëm zgjerohet, shteti dha 8.2 mln euro për inceneratorin e Tiranës në janar-nëntor 2022

Dosja hetimore e abuzimit me fondet buxhetore të financimit të koncesioneve të inceneratorëve sa vjen e zgjerohet, por thesari i shtetit po tregon një korrektesë të admirueshme për pagesën e faturave ndaj Integrated Energy BV SPV e ngarkuar për ndërtimin e impiantit të Tiranës, i cili ka lidhje me ata të Elbasanit dhe Fierit.

Të dhënat nga Open Data që burojnë nga dega e thesarit në Ministrinë e Financave tregojnë se nga janari deri me 8 nëntor 2022, kompania integrated Energy BV SPV e kontraktuar për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës ka përfituar nga buxheti i shtetit mbi 974, 00 milionë lekë (8.3 milionë euro). Pagesat kumulative që nga viti 2018 arrijnë në 5.4 miliardë lekë ose 46,2 milionë euro, raportohet nga të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave.

4-Monika Kryemadhi: Aferë me firmën e kryeministrit

Deputetja Monika Kryemadhi deklaroi se SPAK duhet të marrë veprime të tjera për çështjen e inceneratorëve. Skema e inceneratorëve është një ndër aferat më të mëdha në buxhetin e shtetit. Është e vetmja çështje që për herë të parë kemi firmën e një kryeministri dhe disa zyrtarëve të tjerë. Pra fakton grabitjen e parave të buxhetit të shtetit.  Ajo deklaroi se duhet të ketë kryebashkiakë në burg dhe se nëse Edi Rama ka konfirmuar si kandidatë krerët aktual të bashkive Tiranë, Fier dhe Elbasan, vjen prej presionit të bërë prej tyre. Rama do i suportojë se janë bashkëpunëtorë dhe ata e kërcënojnë.

5- A po “harron drejtësia Arben Ahmetaj ?

Opinioni publik e priti sërish me skepticizëm këtë zhvillimin e fundit nga SPAK-u. Të dhënat e bëra publike ngrenë dyshime të forta se afera e inceneratorëve nuk është një vjedhje ordinere, por që shkon deri në majën e piramidës shtetërore, tek kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë qeveritarë.

Një rast tejet i dyshimtë është ai i Arben Ahmetajt, që ka mbajtur poste kyçe në qeverisjen “Rama” dhe që ka pasur një rol super-aktiv në nënshkrimin e kontratave koncesionare me kompanitë fantazmë të krijuara nga Klodian Zoto-Stela Gugallja-Mirel Mërtiri.

Roli i Ahmetajt

Gijotina/Në vitin 2016, qeveria “Rama”, nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit, shpall tenderin për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të mbetjeve urbane në qytetin e Fierit. Kompania koncensionare zotërohet, në masën 70 përqind të saj, nga kompania “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier””, e cila nga ana e saj zotërohet në 70 përqind nga “Integrated Technology Service” e Klodian Zotos.

Në një audit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në dhjetor të vitit 2018, thuhet se “Kompania fituese konçesionare e riciklimit të mbetjeve në Fier, është regjistruar si operator për këtë shërbim në Qendrën Kombëtare të Licensimit (QKL) 15 ditë pas shpalljes së tenderit…”. (http://ëëë.klsh.org.al/ëeb/09_inceneratori_fier_4702.pdf)

Kontrata koncensionare është me afat 6-vjeçar dhe investimi fillestar është vlerësuar 28 milionë euro.

Procedurat e kësaj procedure të Partneritetit Publik Privat (PPP) kishin autoritet Kontraktor Ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, ndërkohë që ai ka dërguar shkresa të vazhdueshme informuese edhe Ministrit të Financave.

Fillimisht, në postin e ministrit ishte Shkëlqim Cani që arrin të shkëmbejë vetëm një shkresë me ministrin Koka në lidhje me këtë projekt. Më tej në krye të Ministrisë së Financave u emërua Arben Ahmetaj.

Ky i fundit, në letërkëmbimin e tij me ministrin Koka, në kundërshtim nga kërkesa e Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 575, nuk merret me procedurën e ndjekur nga kolegi i tij i arrestuar tashmë, Lefter Koka.

Për kontratën me vlerë 30.6 mln euro, sot paguar tërësisht nga buxheti i shtetit, ministri Ahmetaj nuk zbatoi procedurat e kërkuara nga Ligji 125/2013 neni 42 dhe as ato të VKM 575/2013 të nenit 17 dhe 22.

I vetmi shqetësim për Ministrin Ahmetaj, të cilin ai e ka paraqitur në përgjigjet e tij, ka të bëjë me tavanet buxhetore dhe jo për atë që ka detyrë funksionale, pra për analizën e implikimit financiar që ka.

Nuk ka analizë kosto-përfitim

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, rezulton se autoriteti kontraktor nuk ka pasur një analizë kosto-përfitim “si një veprim të planifikuar që në thelb, që gjen, vlerëson dhe llogarit të gjithë faktorët pozitivë dhe më pas identifikon, vlerëson dhe zbret të gjitha shpenzimet, ku diferenca e përfitimeve dhe shpenzimeve ose kostove tregon nëse kjo vepër është e këllishueshme”, pra nëse ka përfitim apo leverdi ekonomike.

Moskryerja e një veprimi të tillë, tregon se Ministria e Financave dhe ministri Ahmetaj nuk kanë operuar konform ligjit dhe VKM 575/2013, duke u dakortësuar me procedurën jo të ligjshme, të propozuar nga Ministri Koka.

Në analizën e mëtejshme që kryen KLSH në raportin e saj evidentohet se nga katër alternativat që ajo ka studiuar; metoda e Landfillit me riciklim është alternativa më e mirë përsa i përket leverdishmërisë ekonomike.

Kjo formë respekton normat dhe standartet mjedisore kombëtare dhe ndërkombëtare, shkruhet në raport dhe gjithashtu sjell një vlerë neto prej 32.39 mln euro.

Nga ana tjetër, projekti i inceneratorit të Fierit, që u miratua edhe me dakordësinë e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, ka një vlerë totale neto të 32 milionë euro.

Fatura e fryrë e inceneratorit

Sakaq, sipas raportit të KLSH, kostoja për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane të Qarkut të Fierit dhe Prodhimit të Energjisë është disa herë më e lartë se kostot që rezultojnë nga ndërtimi i impianteve të tilla në BE.

Kosto e përllogaritur pasi ai t’i kalojë në pronësi shtetit është 7.2 mln euro dhe për rrjedhojë kjo skemë e nxjerrë me humbje operimin e impiantit.

Humbje të tilla dhe situata të tilla financiare që kanë rritur shpenzimet për një kontratë PPP që nuk ka analizë të kostove dhe që gjithashtu ka vendosur në rrezik buxhetin e shtetit, duke e përfshirë në një kontratë, nga e cila shteti del me një vlerë neto negative dhe me një kosto prej 7.2 mln eurosh që në ditët e para që ai i kalon në pronësi shtetit, tregojnë moskryrjen e detyrës funksionale të Ministrit Ahmetaj, në lejimin për t’u nënshkruar dhe për t’i dhënë rrugë procedurave të Inceneratorit të Fierit, duke sjellë një dëm të pallogaritshëm miliona Euro nga ky projekt.

Detyra e tij ka qenë ajo e analizës së plotë të këtij koncesioni/PPP nën frymën e VKM 575.2013 të nenit 19 dhe gjithashtu Ligjit 125/2013 neni 42.

Duke mbajtur parasysh objektin e kontratës Koncesionare dhe, nëse edhe sot, pas disbursimit të të gjithë parave nga buxheti i shtetit, nuk është dorëzuar dhe vënë në funksionim inceneratori, një nga përgjegjësit kryesorë është Arben Ahmetaj.

Përzgjedhja e firmës fantazmë me mangësitë ligjore, financiare, në personel, makineri, eksperiencë, etj, tejkalimi i të gjithë parashikimeve ligjore, të cilat vlejnë dhe janë në fuqi dhe janë miratuar pikërisht për të parandaluar situata të tilla.

Lejimi i supervizimit nga të njëjtën kompani në të tre inceneratorët Ave Consulting, me admistrator Arben Dervishaj dhe mungesa e qëllimshme nga ana e tyre në kryerjen e detyrës dhe parandalimin e situatës kaotike buxhetore që është shkaktuar.

Sot, ka plehra, por nuk ka inceneratorë. Ndërkohë që ekzistojnë dyshime të forta se fondet janë keqpërdorur me dashje dhe me qëllim vjedhjen e pasurisë shtetërore dhe qytetare.