Greva, naftëtarët: Po vdesim këtu, qeveria shkon dhe bën ahengje

254
Sigal

Teksa kanë hyrë në ditën e shtatë të grevës së urisë, gjendja e naftëtarëve të Ballshit është përkeqësuar ndjeshëm, ndërsa shumë prej tyre tashmë kanë kollë dhe dobësi fizike.

Të lënë në harresë prej shtetit, naftëtarët thonë se nuk do të heqin dorë nga greva, pasi borxhet ua kanë pamundësuar jetën, e nuk kanë më besim te asnjë prej institucioneve.

Një pjesë e naftëtarëve kanë më shumë se 25 rroga pa marrë.

Në qendrën shëndetësore, ku tashmë naftëtarët qëndrojnë prej shtatë ditësh nuk ka shkuar asnjë mjekë për të parë nga afër gjendjen e tyre, ndërkohë që nuk mund të thuhet e njëjta gjë për familjarët dhe kolegët, të cilët e gdhijnë dhe e ngrysin jashtë dere, në pritje të një shprese e një reagimi që duket se nuk do të vijë kurrë.

“Situata është e rëndë siç e shikoni dhe vetë, unë kam kaluar një parainfrakt, dhe gjendjen nuk e kam të mirë. 

Greva do të vazhdojë, ne mirë që nuk po marrim përgjigje nga qeveria, jam telefonuar nga familjarët se më janë prerë dritat dhe uji.

Ky shtet që më ka lënë në grevë urie, më shton edhe më shumë stresin, ku shkon kjo qeveri, janë 900 familje që janë sot pa bukë.

Ata shkojnë dhe bëjnë ahengje në Berat dhe Gjirokastër, dhe ne po vdesim këtu. Asnjë se ka mendjen te naftëtarët”, shprehet një prej grevistëve.