Greva e naftëtareve, Meta: Qeveri çnjerëzore, një humbje jete – përgjegjësi e rëndë për kryeministrin

303
Sigal

Prononcimi për mediat i Presidentit Meta në Bylis

Presidenti Meta: Ishte kënaqësi për të hapur siparin e shumë aktiviteteve në kuadër të pranimit të polifonisë sonë në UNESCO këtu në Bylis, në këtë vend të jashtëzakonshëm, në këtë kulm të qytetërimit ilir,  që na bën krenar të gjithëve, ashtu si dhe vetë polifonia.
Polifonia është një nga pasuritë më të mëdha kulturore e shpirtërore të kombit tonë në shekuj që gjithmonë i ka dhënë forcë popullit tonë, për të përballuar vështirësitë e tij më të mëdha, por edhe hallet e dertet e përditshme dhe për të gëzuar jetën.

Pyetje: Zoti President, në Amerikë po zhvillohet numërimi i votimeve  për zgjedhjet presidenciale. Më pranë fitores është zoti Biden, Ju me kë jeni, kë do të kishit dëshirë që ta fitonte këtë garë? Rama ka deklaruar se, nuk ka asnjë ndryshim pasi  Trump dhe Biden,  janë miqtë e mi!
 
Presidenti Meta: Asnjëherë nuk kam pasur interes për zgjedhjet që janë zhvilluar në Amerikë.
As në të kaluarën, as tani, as në të ardhmen, përveç interesit që ato zgjedhje të forcojnë demokracinë amerikane.
S u takon raporteve më Amerikën,  ato janë raporte midis dy shteteve, dy vendeve partnere, dy vendeve që janë  aleate në NATO.
Për ne, është e rëndësishme që të forcohet lidhja trans-atlantike, të forcohet NATO, aleanca më e madhe dhe më e rëndësishme në botë.
Në Shqipëri ka vetëm një faktor, që ndikon dhe që do të ndikojë, është populli shqiptar, i cili do të vendosë në zgjedhjet e 25 prillit 2021, me votën e tij në mënyrën më të lirë dhe më demokratike dhe të pandikuar nga askush përveç interesit më të mirë kombëtar, shtetëror dhe demokratik.

Pyetje: Zoti Meta, jeni njohur me draftin e Partisë Socialiste për sa i përket kompetencave të Presidentit?

Presidenti Meta: Kam zero interes për çdo draft dhe përpjekje puçiste.

Ju e dini që ky është një Parlament jo kushtetues, është një Parlament që kudo ku dal, qytetarët më kërkojnë shpërndarjen e tij të menjëhershëm.

Është një Parlament puçistësh dhe fat të keq një pjesë e mirë e tyre janë tradhtarë dhe mercenarë.

Kështu që për mua ka vetëm një interes tani,  është 25 prilli, është populli i Shqipërisë.

Unë kam nisur nisur marshimin tim si President i Shqipërisë, drejt referendumit të 25 prillit dhe ky do të jetë një referendum tepër i qartë, mbi 95% e shqiptarëve do të votojnë për Shqipërinë në Evropë, dhe ju e dini shumë mirë se kjo është një çështje që është vendosur tashmë.

Pyetje: Përsa u përket zhvillimeve të fundit në Kosovë, cili është qëndrimi juaj si President i Republikës së Shqipërisë? A ka një prapaskenë?
 
Presidenti Meta: Krijimi i Gjykatës Speciale, ishte një investimi i Serbisë, i aleatëve të saj. Është edhe një çmim që paguhet për çlirimin dhe Pavarësinë e Kosovës. Absolutisht! Kjo është një përpjekje e dështuar për të vënë në diskutim luftën e drejtë të shqiptarëve të Kosovës, apo edhe për të futur në krizë funksionimin e shtetit të Kosovës.

Unë kam besim te përgjegjshmëria dhe bashkëpunimi i të gjithë udhëheqësve të Kosovës për ta përballuar këtë sfidë me shumë vigjilencë.

Kosova është tashmë një faktor i qartë i stabilitetit të këtij rajoni. Është një vend demokratik, pavarësisht disa bllokadave dhe fatkeqësish, që kërkojnë të vënë në pikëpyetje integritetin e saj. Kjo gjë që nuk ka për të ndodhur dhe absolutisht që në këtë sfidë shqiptarët kudo ku janë do të jenë edhe më të bashkuar, do të jenë edhe më syçelët, do të rrinë edhe më pak pa gjumë, por do t’ia dalin mbanë.

Pyetje: Zoti Meta, edhe diçka të fundit: Vetëm pak larg prej këtu gratë naftëtare janë prej 23 ditësh në një grevë për pagat e prapambetura. Ju keni reaguar dje lidhur me to. A do të ketë një qëndrim Presidenti i Republikës lidhur me zgjidhjen e kësaj çështjeje?

Presidenti Meta: E vetmja zgjidhje që mund të bëhet është shpërndarja e Parlamentit dhe shpërndarja e Qeverisë për të zgjidhur një problem mjaft të agravuar social, por nuk mendoj se është ky momenti për t’i dhënë përgjigjen e merituar një qeverie çnjerëzore, aq më tepër kur rëndohet shëndeti i grave dhe shëndeti i të gjithë grevistëve.

Korrupsioni pa fre dhe mungesa e përgjegjësisë ndaj jetës së njerëzve dhe problemeve të tyre është një dimension i përditshëm i kësaj qeverie dhe Presidenti për të gjithë këtë neglizhencë që u bëhet jo vetëm grave naftëtare, jo vetëm naftëtarëve, jo vetëm atyre, por të gjithë shtresave më të vuajtura të shoqërisë sonë, të cilat kanë kontribuar aq shumë për zhvillimin e ekonomisë, për zhvillimin e vendit, do të gjejë kohën dhe përgjigjen e duhur së bashku me të gjithë popullin shqiptar.

Megjithatë unë shpresoj që të ketë një dialog sa më parë që të jetë e mundur, dhe për humbjen e jetës apo të shëndetit të çdo qytetari e qytetareje do të ishte një përgjegjësi tepër e rëndë e qeverisë aktuale dhe në veçanti e kryeministrit.