Suplementi Pena Shqiptare/ Letra e poetit Bilal Xhaferi dërguar Nënë Terezës

535
Sigal

Një nga gjërat më të çmuara, një gjetje e veçantë për qytetarët e Sarandës, një objekt krenarie për ta, është padyshim një letër e poetit tonë të lirizmit elegjak, Bilal Xhaferri dërguar Nënë Terezës dhe botuar për herë të parë në gusht të vitit 1976 në “Krahun e Shqiponjës”, revistë e themeluar prej tij në SHBA. Kjo letër autentike është një nga fijet e arta që na lidh ne me Nënë Terezën. Ajo është dëshmi origjinale e krenarisë së poetit për figurat e ndritura të kombit tonë:

E dashur Nënë Terezë,

Ne që me dëshirë do të kishim qenë të gatshëm të merrnim rrugën e Indisë për të realizuar një intervistë me Ju, kur Ju erdhët papritur për një vizitë të shkurtër në Çikago javën e kaluar, e humbëm këtë shans: në momentin që reporterët tanë morën lajmin, ishte tepër vonë,-Ju ishit larguar.

Na vjen keq për këtë. Në qoftë se do të kishim humbur shansin që të jepet një herë në jetë për të parë një kometë, ne nuk do të kishim humbur shumë, por në të vërtetë ne ju humbëm Ju, Nënë Terezë. Intervista me Ju, thjesht biseda me Ju, do të ishte një përvojë e paharrueshme për ne si staf i një reviste shqiptare.

Ju i përkisni gjithë njerëzimit, por ne ndjejmë se së pari dhe mbi të gjitha ju na takoni ne, shqiptarëve. Ju jeni e jona. Ka njerëz për të cilët kombësia Juaj nuk do të thotë asgjë. Për ne ajo nënkupton gjithë botën: Ju jeni e jona, imazhi jetësor i Shqipërisë, atij vendit tonë të dashur, që nga shumë vetë është konsideruar si vend i harruar nga Zoti, imazhi i gjallë i popullit shqiptar, popullit më të lashtë e më të vuajtur në Evropë.

Sa të shqetësuar jemi ne, kur shohim që media e trajton origjinën Tuaj si diçka pa aspak rëndësi. Edhe ata që shkruajnë volume të tëra për Ju, mezi shënojnë:”Është lindur në Shkup të Jugosllavisë nga prindër shqiptarë.”, pastaj e lënë mënjanë si një çështje të vogël, që as ia vlen të përmendet.

Rastësisht rajoni i vendlindjes Suaj është ai i Perandorit Justinian i Madh dhe Iindia, ku Ju përkujdeseni me dhembshuri e dashuri për të varfërit dhe për ata që janë në prag të vdekjes, na sjell ndërmend një tjetër shqiptar të madh, arkitektin e mrekullueshëm Sinanin, ndërtuesin e Taj Mahallit.

Ne jemi krenarë për njerëzit e shquar të racës dhe të kombit tonë, të cilët nëpër shekuj, që nga agimi i historisë e deri në ditët tona, i kanë përkushtuar jetën dhe talentin e tyre çështjes fisnike të përparimit dhe lumturisë njerëzore. Në mënyrë të veçantë ne jemi krenarë për Ju, Nënë Terezë. Si një dritë e largët qiellore, zemra Juaj e mirë, rrezaton rreze shprese dhe dashurie në zemrat tona dhe në zemrat e miliona njerëzve në mbarë botën.

Zoti e bekoftë zemrën Tuaj!

Bilal Xhaferri