Greqia bllokon lëvizjen e shqiptarëve deri më 14 qershor

280
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Reagim ndaj urdhërit të Këshillit Teknik, që ndaloi emigrantët nga Greqia në 25 prill

Greqia shtyn sërish hapjen e kufijve me Shqipërinë deri më 14 qershor. Masat ishin në fuqi deri më 7 Qershor dhe shumë shpresonin se me rënien e rasteve aktive me Covid-19, në vendin tonë kjo do të ndryshonte. Rregullat vijojnë të mbeten të njëjtat, që do të thotë se në vendin fqinj mund të shkojnë vetëm shtetasit grekë dhe ata që disponojnë leje qëndrimi të rregullt. Në doganat greke do të lejohen si më parë 400 persona nga Kakavija dhe 400 punonjës sezonalë nga Kapshtica, ndërsa për herë të parë nga marsi i 2020, hapet dogana e Qafë-Botës, me kapacitet deri në 250 persona në ditë.

Shqipëria diskriminoi Greqinë

Sado absurd në dukje të duket vendimi i Greqisë që të bllokojë shqiptarët deri ën 14 qershor, në një kohë që Shqipëria deklaron se pandemia e Covid-19, thuajse është zhdukur, ka të bëjë me një “hakmarrje” ndaj vendimit të qeverisë shqiptare, që të bllokonte ardhjen e emigrantëve shqiptarë nga Greqia në Shqipëri, 1 javë para zgjedhjeve të 25 prillit. Ky vendim i Këshillit Teknik (me urdhër politik nga kryeministri Rama), përveçse realisht bllokoi ardhjen e emigrantëve shqiptarë në Shqipëri të votonin, diskriminoi edhe Greqinë, duke e bërë “macja e zezë” në Evropë, ngaqë e cilësoi si një nga vendet më të infektuara në Evropë, ndërkohë që atë javë, Greqia deklaronte një numër në rënie të rasteve të reja të infektimit dhe shtete të tjera, sikurse Turqia, deklaronin rekorde në rritje, e megjithatë, qeveria shqiptare nuk i cilësoi vende me rrezikshmëri të lartë.