Grabiten shinat metalike për skrap, Hekurudha kërkon ndihmën e policisë

638
Sigal

DURRËS/Në një vit, 13 grabitje. Rrezikohen tragjedi të rënda hekurudhore

Vjedhja e pjesëve metalike dhe deri e shinave, ka nisur të alarmojë drejtuesit e Hekurudhës shqiptare, të cilët duket se ndjehen të pafuqishëm për t’i mbrojtur. Ata, ditët e fundit kanë kërkuar me urgjencë mbrojtjen e policisë, për të evituar tragjeditë njerëzore e mjedisore.

SITUATA

Burime nga Drejtoria e Infrastrukturës në HSH  thanë se, “vjedhja e pajisjeve hekurudhore, e deri daljet nga shinat të trenave, kanë mobilizuar stafin e hekurudhave dhe kanë rritur angazhimin e tyre, në segmente të ndryshme po na vidhen pjesë metalike që mbajnë traversat, madje, po vidhen edhe shinat, duke rrezikuar trenat e mallrave dhe pasagjerët”. Mendohet që shinat vidhen gjatë natës dhe dërgohen për skrap, një fenomen që është konstatuar shpesh kohët e fundit në disa zona, të cilat po kthehen në ankth dhe frikë për mashinistët, po vidhen pajisjet e shinave, mbajtësit e binarëve dhe po rrezikohet jeta e udhëtarëve. Duket se hajdutët e natës, nuk po kursejnë edhe shinat e trenit, duke  mos pyetur për jetën e qindra udhëtarëve që lëvizin me trena. Hekurudha Shqiptare ka pasur disa herë bashkëpunime me Drejtorinë e Policisë Shtetit dhe ka firmosur marrëveshje bashkëpunimi dhe shkëmbimi informacioni, por duket se edhe uniformat blu nuk mund të sigurojnë në çdo 100 metra gjithë sistemin hekurudhor.

REAGIMI

Ngjarjet e fundit kanë ngritur në këmbë gjithë stafin e Drejtorisë Përgjithshme të Hekurudhave dhe specialistët e Drejtorisë Infrastrukturës, duke dërguar mjetet dhe pajisjet e tyre grupet e avarisë  dhe duke riparuar defektet. Janë zëvendësuar pjesët e vjedhura, por që gjithsesi  frika mbetet e madhe sidomos ndaj  trenave të pasagjerëve, ndaj stafi HSH po angazhohet maksimalisht për t’u lidhur me stacionet me radiondërlidhje, duke vendosur edhe sistem rojesh në linjat  kryesore. Por edhe policia duhet të ketë angazhimet e veta sidomos në linjat kryesore. Vetëm gjatë vitit 2013, në linjat e Hekurudhës Shqiptare janë konstatuar mbi 14 raste vjedhjesh, që kanë rrezikuar seriozisht jetën e pasagjerëve dhe trenave, por në pak raste janë zbuluar autorët e këtyre krimeve. Një pistë e mundshme e hetimit mbetet edhe  bashkëpunimi grupeve të hajdutëve me ndonjë punonjës, gjë e cila do t’i serviret organeve të hetimit, pasi vjedhja e shinave dhe pjesëve të tjera ndihmëse, do të rrezikonte seriozisht që treni të dalë nga binarët.