Grabitën çantën me 250 milionë lekë nga makina e biznesmenit, zbardhet dëshmia: Nuk e dinim që kishte aq shumë para, u habitëm dhe ne vetë!

66

Zbardhet dëshmia e dy autorëve të grabitjes së 250 milionë lekëve të vjetra nga makina tip “Range Rover” e biznesmenit Flamur Behi. Mësohet se në dëshminë e tyre, Donald Hoxhaj, 27 vjeç dhe Gentian Kane, 44 vjeç, kanë pranuar grabitjen.

Megjithatë ata kanë shtuar se nuk e dinin shumën që biznesmeni Behi kishte me vete dhe se ishin habitur edhe vetë nga paratë që kishin gjetur.

“Nuk e dinim se çfarë shume kishim grabitur. U habitëm dhe vete. E njihnim si biznesmen por nuk mendonim se do kishte aq shumë para në bagazhin e makinës”, janë shprehur dy autorët para hetuesve.

Për dy të arrestuarit, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’, ndërsa pritet ende vendimi i Gjykatës për ta.

Por si ndodhi ngjarja?

Donald Hoxhaj dhe Gentian Kane kanë ndjekur të gjitha veprimet e Flamur Behit qysh nga qendra tregtare “Vesa” deri tek qendra “Kristal”.

Në momentin që biznesmeni Behi ditën e ngjarjes, është paraqitur së bashku me bashkëshorten e tij B.Behi në ambientet e “Kristal Center”, për të blerë një hekur rrobash dhe parkoi te qendra tregtare e tentoi që të mbyllë makinën, dy autorët bllokuan me një aparat valët e pultit për mbylljen e automjetit për të hapur më pas ‘Range Rover’-in.

Por teksa kanë blerë hekurin dhe janë kthyer në makinë, Flamur Behi, ka konstatuar se çanta me para që ai kishte futur në bagazhin e makinës ishte zhdukur në rrethana të mistershme.

Ai menjëherë ka njoftuar policinë e Tiranës, ku oficerët e kësaj të fundit filluar këqyrjen e pamjeve filmike, ku është qartësuar një person që pasi ka marrë çantën me para ka hipur në një automjet tip “Benz” me targë AA 362 ZN.

Pas verifikimeve të kryera për pronësinë e këtij automjeti me të cilin hajduti i çantës është larguar, rezultoi se mjeti ishte në pronësi të Greta Hoxhajt, spikerja e lajmeve në televizionin “Zjarr” në Tiranë. Oficerët e policinë kanë telefonuar Greta Hoxhajn duke i kërkuar kësaj të fundit të paraqitet në polici së bashku me mjetin e saj.

Por Hoxhaj, ia ka kthyer oficerëve se ndodhej në qytetin e Fierit dhe se në datën 22 maj makinën e saj e ka përdorur, vëllai Donaldo Hoxhaj. Përmes Donald Hoxhajt është identifikuar edhe i dashuri i gazetares Gentian Kane.

Fillimisht policia ka telefonuar Hoxhajn, por dhe ky person i ka pohuar se ndodhej në Fier, pasi kishte babain sëmurë dhe të shtruar në spital.

Jo shumë minuta pas kësaj telefonate, policinë e Tiranës, e ka marrë një avokate e cila i ka kërkuar uniformave blu se do paraqitej në polici së bashku me Donald Hoxhajn dhe Gentian Kanen për t’u vetëdorëzuar së bashku me shumën e parave që kishin vjedhur, 250 milionë lekët, që grabitën tek makina “Range-Rover” e Behit.