Gjykata lë në burg pronarin e ‘shtëpisë së barit’ dhe vëllezërit Borova! 21 vjeçari pretendon se është me probleme mendore

46
Sigal

Gjykata e Beratit la në burg edhe për 30 ditë të tjera,  21 vjeçarin Frederik Borova, banues në Fier, deri në rivlerësimin e masës së sigurisë. Borova u arrestua një muaj më parë së bashku me vëllain e tij, pasi kujdeseshin për një ambient të përshtatur me llamba për kultivimin e bimëve narkotike.

Sipas prokurores së çështjes, Albiona Papajani, ripërsëritja e të njëjtës masë sigurie vjen pas pretendimeve të 21-vjeçarit se vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Kujtojmë se edhe në 25 Gusht, Gjykata e Beratit vendosi masën ‘burg pa afat’ për pronarin e banesës, 21-vjeçarin Bejdo Rrapo dhe për vëllain e Borovës, 29-vjeçarin Igli Borova, i cili ishte shpallur në kërkim që prej vitit 2021 për një laborator hashashi, në një karburant tek “Pushimi i Shoferit” në Lushnje.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan edhe dy elektriçistët Eriglen Bejdo dhe Renato Mingo, të cilët u njohën me masat e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Ngjarja

Drejtoria Vendore e Policisë Berat finalizoi të Shtunën e 19 Gushtit operacionin policor të koduar “Pobrati”, ku u zbulua një ambient i përshtatur me llamba dhe pajisje të tjera elektrike për kultivimin e bimëve narkotike.

Shtëpia e barit u zbulua në fshatin Pobrat në Dimal, ku policia sekuestroi 80 bimë kanabisi, 315 kubik, 25 llamba, 1 aspirator, 6 ventilatorë dhe 20 rritës të energjisë elektrike, që i shërbenin kultivimit të lëndëve narkotike në ambiente të mbyllura. Në kuadër të këtij operacioni, policia arrestoi pronarin e banesës Bejdo Rrapo, 21-vjeç dhe dy vëllezërit Igli dhe Frederik Borova, banues në Fier, përkatësisht 29 dhe 21-vjeç, të dyshuar si autorë të kësaj veprimtarie kriminale.

Njëri prej vëllezërve, Igli Borova, ishte i shpallur në kërkim në vitin 2021 nga DVP Fier si kultivuesi i bimëve narkotike në një karburant në Lushnje tek “Pushimi i shoferit” dhe Gjykata e Shkallës së Parë Lushnje kishte vendosur për të edhe masën e sigurisë “arrest në burg”. Në kuadër të këtij operacioni, policia arrestoi edhe dy punonjës të OSHEE-së për shpërdorim detyre.