Gjykata e Lartë, zbardh arsyet përse u la në qeli deputeti i PS-së, Armando Prenga

577
Gjykata e Lartë ka zbardhur arsyet pse caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për deputetin Armando Prenga, i dyshuar për kryerjen e tri veprave penale mbrëmjen e 4 shtatorit para Komisariatit të Policisë, Kurbin. Ai u përfshi në një konflikt mes familjes së tij dhe familjes Cali për shkak të të drejtës së shfrytëzimit të Lagunës së Patokut. Në vendimin e arsyetuar të shpallur në 8 shtator, një kopje e të cilit u sigurua nga gazeta, Kolegji Penal shprehet se nga provat e paraqitura nga Prokuroria e Përgjithshme, ekziston mundësia që deputeti të ketë konsumuar tri veprat penale për të cilat dyshohet. Po në vlerësim të Gjykatës, deputeti nën hetim paraqet rrezikshmëri të veçantë shoqërore. “Kolegji Penal vlerëson se në rastin konkret dyshimi i arsyeshëm në caktimin e masës së sigurimit personal ‘arrest me burg’ ndaj shtetasit nën hetim, Armando Prenga, është i mbështetur në prova të një natyre të tillë që, në gjendjen në të cilat ato ndodhen, prej tyre mund të nxirren përfundime se ndaj këtij shtetasi ekziston një shkallë e arsyeshme mundësie fajësie, për kryerjen prej tij të veprave penale ‘prodhimi dhe mbajtja pa leje të armëve luftarake’ në ambientet publike, ‘plagosjes së rëndë me
dashje’ në bashkëpunim dhe të ‘kanosjes në bashkëpunim’”, thuhej në vendimin e Gjykatës.

Më tej Gjykata theksonte se dy prej këtyre veprave penale dënohen nga shtatë dhe pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet heqje lirie. Duke theksuar përputhshmërinë e masës “arrest në burg” ndaj deputetit me kërkesat ligjore për caktimin e kësaj mase, Kolegji Penal theksonte se “në rastin konkret plotësohen këto kritere, pasi si vepra për të cilën ka nisur procedimi ndaj personit nën hetim, po ashtu edhe vetë ky i fundit paraqesin rrezikshmëri të veçantë shoqërore”. Sipas të dhënave të dosjes hetimore, të cituara në vendimin e Gjykatës, deputeti Armando Prenga në konfliktin para Komisariatit të Kurbinit, në orët e vona të datës 04.09.2015, dyshohet se ka mbajtur dhe përdorur armë zjarri luftarake të tipit pistoletë, jo të njëjtë me atë të pajisur me leje të organit kompetent. Po sipas Prokurorisë, ai ka plagosur me këtë armë shtetasin Tom Calin, duke qëlluar mbi të. Përmes këtyre veprimeve ai ka konsumuar veprat penale të “armëmbajtjes pa leje” dhe të “plagosjes së rëndë me dashje”. “Me veprimet e tij të nxjerrjes dhe drejtimit të armës ndaj shtetasve që shoqëronin shtetasin Gjok Calin në Komisariatin e Policisë Kurbin, në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, deputeti Armando Prenga dyshohet të ketë konsumuar edhe elementet e veprës penale të ‘kanosjes në bashkëpunim’”, thuhej në vendimin e Gjykatës. Konflikti mes familjeve Cali e Prenga kulmoi mbrëmjen e 4 shtatorit ku “palët” u përfshinë në një konflikt të dhunshëm dhe të armatosur para Komisariatit të Kurbinit, ku u plagosën 7 persona. Në lidhje me ngjarjen u arrestuan gjashtë persona, pesë prej të cilëve po hetohen në masën e sigurisë “arrest në burg”. 
Sigal