Gjon Bruçi: Jo “Shengen Ballkanik”, por “Shengen” mes shqiptarëve!

731
Sigal

Nga Gjon BRUÇI

Këto ditë, nëpërmjet një shkrimi në “facebook”, gazetari Sebastian Zonja, na vë në dijeni për një studim të bërë kohët e fundit në Shqipëri dhe në Kosovë, lidhur me çështjen tonë kryesore dhe shekullore, Bashkimin Kombëtar. Studimi,  “pro” apo “kundër” idesë së Bashkimit Kombëtar, është realizuar nga disa shoqata të shoqërisë civile të Shqipërisë dhe Kosovës, nëpërmjet një pyetësori të thelluar, drejtuar qytetarëve të këtej e matanë kufirit artificial, shqiptar – shqiptar. Gazetari në fjalë, na bën me dije se këtë javë (java që kaloi) në Tiranë ishte planifikuar botimi dhe publikimi i tij për qytetarët, por një natë përpara u anulua, duke mos dhënë asnjë sqarim.

Nuk i dimë arsyet e pathëna të këtij anulimi, ne veçse mund të hamendësojmë, por disa nga shifrat e publikuara do t’i linçojmë. Sepse çështja kombëtare nuk është pronë e individëve apo dhe shoqatave të çfarëdo lloji, ajo është pronë e gjithë shqiptarëve, kudo që ata ndodhen në trojet e tyre etnike.

Në këto dy dekada të lira, gjysma e cë cilës me Statusin e Republikës, Kosova, së bashku me Shqipërinë, duhej të kishin realizuar, në mos bashkimin fizik, së paku bashkimin politik, ekonomik e social të tyre. Por kjo nuk ka ndodhur. Nuk ka ndodhur, as ajo që varet më shumë nga ndërkombëtarët, por as ajo që varet nga vetë shqiptarët. Pse? Thjeshtë dhe vetëm thjeshtë për faj të liderëve politikë e shtetërore  të Republikave tona. Në Kosovë, si dikur në Trojën tonë të lashtë, iu gëzuan “Kalit” të Fitores dhe në vend që të forconin “bedenat” e dëmtuara nga lufta, u gatitën të shijonin paqen, duke pritur se “ç’do të sillte moti”. 10 vite më pas shpallën Republikën, një arritje historike, dhe duke kujtuar Komandantin e UÇK-së, Adem Jashari, shkruan në sheshin e kryeqytetit me germa të mëdha “BACË U KRYE”, duke harruar se objektivi i Bacës dhe i çdo shqiptari ishte ribashkimi kombëtar. Nga ana tjetër e kufirit, domethënë në tokën mëmë, Shqipërinë, pas pritjes e përcjelljes shembullore të vëllezërve nga Kosova të dëbuar nga gjenocidi serb, iu kthyen ngatërresave të tyre, që i kishin ftilluar qysh në nëntëdhjetën, por të mos i ndalur edhe sot pas plot tri dekadave. Për këtë gjendje amorfe të qytetarëve në të dy anët e kufirit shqiptar-shqiptar, “kontribut të jashtëzakonshëm” dhanë e po japin liderët politikë e shtetërore të të dy Republikave tona me të njëjtin emër. Në “ndihmë” të këtyre liderëve, dedhën “djersën” jo vetëm armiqtë e përhershëm të shqiptarëve, serbo-sllavët, por edhe “filot” e këtyre të fundit dhe pse jo edhe pseudointelektualët, kozmopolitët dhe soje të tjera që ka krijuar e formuar teoria dhe praktika e globalizimit të ideve, mallrave, njerëzve. Falë kësaj “vepre”, edhe Studimi për të cilin po diskutojmë, ballafaqohet me shifra jo entuziaste në atë shkallë që, siç e thashë më sipër duhej të ishin. Po citoj disa shifra të studimit, që lidhen me marrëdhëniet midis shqiptarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë:

Shumica e shqiptarëve të të dy republikave, thonë se nuk e kanë problem të kenë marrëdhënie sociale me njëri-tjetrin. Por për martesa midis tyre ndalen në shifrat 75 % në Shqipëri dhe  me 56  %  në Kosovë.  Për martesat me perëndimoret ndahen në shifrat 65,5  % dhe 19.5 %. Akoma më i thelluar është raporti për martesat midis besimeve të ndryshme fetare, ku raporti Shqipëri – Kosovë është 79 % me 13.5 % për Shqipërinë. Në fushën ekonomike, të dy palët e të anketuarve mendojnë në shumicë se marrëdhëniet Shqipëri – Kosovë nuk janë sa duhet të zhvilluara. Gjithashtu në shumicë kërkojnë që të bëhet unifikimi i tarifave doganore. Për të mos harruar edhe kërkesën në shumicë të unifikimit të arsimit, sidomos të librave shkollorë.

Për të justifikuar disi hapin e dyshimtë dhe tepër të rrezikshëm për “Shengenin Ballkanik”, që ndërmori së bashku me ortakun e djeshëm të Millosheviçit, kasapit të Ballkanit dhe sidomos shqiptarëve, Kryeministri ynë perifrazoj: “Në jemi të vegjël dhe nuk mund ta heqim kufirin me Kosovën. E vetmja mënyrë për ta bërë këtë, është hyrja në Shengenin ballkanik”!!!

Ndaj perifrazimi i Kryeministrit tonë, se “ne jemi të vegjël dhe nuk mund të heqim kufirin me Kosovën, pa u futur në “Shengenin Ballkanik”, është jo vetëm i pavërtetë, por edhe një qëndrim liliput, në mos dashakeq për perspektivën e popullit shqiptar. Kryeministri Rama dhe gjithë politikanët e shtetarët e dy republikave shqiptare, por edhe ata të trojeve të tjera të shqiptarëve në Ballkan, duhet ta kenë të qartë, se as “Shengeni Ballkanik”, dhe  as vetë “Bashkimi Europian” nuk do ta zgjidhin çështjen tonë kombëtare, dhe as do ta realizojnë aspiratat e tyre, pa realizuar më parë “Shengenin” midis vetë shqiptarëve.