Gjobë deputetit demokrat që humbi pistoletën

605
Në një vendim të marrë në datën 8 prill 2016, Gjykata e Lezhës ka vendosur që deputeti demokrat Mhill Fufi të paguaj pistoletën e humbur rreth tri vite më parë. Kjo Gjykatë detyron deputetin Fufi që të paguaj shumën totale prej 162.600 lekë, bashkë me shpenzimet e procesit gjyqësor. 
Padia ndaj deputetit demokrat është bërë nga Drejtoria e Policisë së Lezhës për humbjen e pistoletës tip Beretta 9 mm. “Detyrimin për shlyerjen e dëmit pasuror të shkaktuar si rezultat: Humbje e Armatimit (pistoleta Beretta 9 mm Nr.18453Z, që vlerësohet në shumën 150.000 (njëqind e pesëdhjetëmijë) lekë si dhe fishekë 9 mm, copë 30 (tridhjetë), me një çmim 420 lekë për copë e barabartë me 12.600 lekë në shumën totale 162.600 lekë të reja”, thuhet në kërkesën e Drejtorisë së Policisë Lezhë, depozituar në Gjykatë dhe regjistruar më datë 28 tetor të vitit 2015.
Fufit i humbi pistoleta në dhjetor të vitit 2013. Ai deklaroi në atë kohë se persona të panjohur i kishin thyer xhamin e makinës së tij dhe për pasojë i kishin grabitur armën. Vendimi i Gjykatës vjen ndërkohë që ligji i ri nuk lejon më mbajtjen e armëve nga ana e deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë, përfshirë prokurorët dhe gjyqtarët. Ligji ka hyrë në fuqi në muajin mars. 
Sigal