Një grup çiklistësh italianë përshkuan 1300 kilometra për të falenderuar mjekët dhe infermierët shqiptarë që mbërritën në Itali në fundmars, gjatë urgjencës së Covid-19. Ambasadorja shqiptare në Itali, Anila Bitri Lani dhe koordinatori i komitetit tekniko-shkencor të qeverisë italiane për emergjencën Covid-19, Agostino Miozzo, (i pranishëm në Shqipëri pas tërmetit të 26 nëntorit si kreu i Mbrojtjes Civile Italiane), mirëpriti grupin e çiklistëve nga Conegliano Veneto.
Grupi i çiklistëve “Alè Azzurri” udhëtoi më shumë se 1300 km, duke u nisur nga Conegliano Veneto (qyteti i ish-trajnerit të ekipit kombëtar shqiptar, Gianni De Biasi). Grupi mbërriti në Ambasadën Shqiptare dhe falënderoi mjekët përmes videokonferencës për përkushtimin në spitalin e Breshias.
”Një takim emocionues dhe i përzemërt. Ne jemi miq të shkëlqyeshëm edhe në ditë të vështira. Një tjetër moment simbolik dhe i rëndësishëm që dëshmon për lidhjen midis vendeve dhe njerëzve tanë. Një det solidariteti dhe vëllazërimi na bashkon”, lexohet në postimin e Ambasadës së Shqipërisë në Itali.




















