Gjergj Fishta/Gomari i Babatasit

962
Sigal

“Ju rrugaca sallahana

vagabonda shakllabana

rricna t’ndyet, mikrobe të kqi

qi të mjerës moj Shqipni

kthelltë hi i keni në mushkni

pa dhimbë gjakun tuj ia pi,

por der kur, bre batakçi!

pa ndo ‘i msim, pa ndonji dije,

me ‘i fillore a nji iptadije,

erz e shpirt qitun nën themër:

turq a sllave a grek me zemër,

falun barkut veç Shqipnisë,

si ajo marrja e t’gjith njerzisë…

tuj u shite ju për gjithë treg,

sod na mbahi “Skandërbeg”,

e ngërdhucë, goditë, limue,

rrue, qethë, pipirique,

tash n'”smoking”, tash në “bon-jour”

ju, qi dje s’kishit as ushkuer

Ani kush, pra, me i pri kombit:

ju, do pyka bijtë prej llomit

qi “shqiptarë” vedit i thoni,

jo pse ju Shqipninë e doni,

jo pse ju ndo ‘i send kuptoni

shka asht Atdheu e shka asht Liria,

shka asht Vllaznija a Parasija,

Përparimi e Qytetnia,

por veç pse ende der më sot

nji tyran s’po e gjeni dot,

nën kambë t’cillit ju me u shtrue,

se un ma tash ma jam regjë me jue,

e jau njof shpirtin der m’palc,

pleh i ndytë me u bartun n’shalc

e me u qitë jashta Shqipnije. “